1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Drejt një fejese të suksesshme

Më të lexuarat

Nga: Dr. Dua Raxhih

Drejt një fejese të suksesshme

Para se të zgjedhësh shokun e jetës, fillimisht njih veten.
 
Të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që janë në prag të martesës dhe krijimit të jetës bashkëshortore, kanë shumë pikëpyetje mbi periudhën e fejesës dhe rëndësinë e saj. Pyetjet me natyrë të pastër fetare dhe këshilluese mbi problemet kryesore, që hasen gjatë fejesës, janë të shumta. Gjithmonë pyetet, nëse këto probleme ndikojnë në prishjen e kësaj lidhjeje apo jo.
Vihet re që këto pyetje janë bërë më të shpeshta me rritjen e përqindjes së beqarisë tek vajzat dhe zvarritjes së martesës tek djemtë. Kështu, vendimi për prishjen e fejesës është një vendim shumë i vështirë, sidomos për vajzat, pasi kanë ndjerë një farë qetësie në zgjedhjen e të fejuarit.
Faktorët, që e bëjnë prishjen e fejesës të vështirë, mund të jenë familjarë, socialë dhe psikologjikë. Megjithatë, besoj se është më mirë, që të bëhet një reflektim dhe tërheqje në këtë periudhë, sesa të bëhet pas martese dhe lindjes së fëmijëve.
Njih veten
Të rinjtë duhet ta kuptojnë, se fejesa është një periudhë për thellimin e njohjes dhe prezantimit më në detaje me palën tjetër. Ajo është një etapë, ku secili heton aftësinë e tjetrit, për të qenë shok jete dhe ky është objektivi i vetëm i kësaj etape. Shumë të rinj e konceptojnë fejesën si premtim për martesë, premtim i cili vështirë të shkelet. Disa të tjerë e konceptojnë si një periudhë e zhvillimit të ndjenjave dhe dashurisë, pa u bazuar tek logjika dhe arsyeja.
Këtu del në pah dhe urtësia e fesë, sipas së cilës fejesa është mirë të mbahet e fshehtë dhe të mos publikohet, sepse është periudha e testimit të mirëkuptimit mes dy palëve, periudhë e cila mund të kurorëzohet me martesë ose jo. Prandaj mbajtja fshehtë shmang sikletin tek të dy palët, pasi u jep shansin që ta prishin fejesën, nëse konstatojnë se nuk ekzistojnë ura lidhëse mes të dyve.
Që të realizohet objektivi dhe qëllimi i plotë i fejesës, duhet të kemi parasysh disa hapa, të cilët duhen marrë në konsideratë nga të rinjtë e të dy gjinive, para se të marrin vendimin e martesës. Ato janë mekanizma të rëndësishëm për të finalizuar objektivin real të fejesës, që është “njohja”.
Besoj se hapi i parë drejt një fejese të suksesshme është “Njih veten”.
Gjatë këtij hapi, i cili i paraprin fejesës, secili duhet të prezantohet qartë me veten e tij, të njohë botën e tij të brendshme, psikologjinë, mendjen, ndjenjat, vlerat, objektivat dhe planet. Bazuar në këtë, secili e ka të qartë pastaj se çfarë kërkon nga pala tjetër, si duhet të jetë dhe çfarë kriteresh duhet të plotësojë.
1 – Aspekti shpirtëror
Me këtë dua të them, sa i përkushtuar je në fe, sa hapësirë zë feja në jetën tënde. Ky aspekt përbën një pjesë të madhe të motiveve të tua, vlerave dhe sjelljeve. Lidhur me këtë, njerëzit kanë diferenca, sipas vlerësimit të ritualeve, praktikumit të veprave vullnetare, afrimit me Zotin, veprimit të gjynaheve të rënda apo të lehta.
A ndjen se ke shumë mangësi lidhur me përkushtimin fetar? A je i kënaqur me marrëdhëniet që ke krijuar me Krijuesin tënd? Nëse jo, ku e sheh se çalon puna, në ritualet e përditshme, moralet apo marrëdhëniet me njerëzit? Përcaktoje qartësisht ku ndodhesh, që pastaj ta kesh të lehtë zgjedhjen e shokut të jetës. Problemet mes jush do të jenë të mëdha, nëse vihet re një dallim i madh në përkushtimin tuaj fetar.
2 – Identiteti.
Kur dikush na pyet:”Kush je ti?” Zakonisht përgjigjemi:”Unë jam filani”. Prandaj identiteti përcakton mënyrën si e sheh ti veten, negativisht apo pozitivisht.
Ka njerëz që përgjigjen:”Unë jam mysliman”. Ka të tjerë që përgjigjen: ”Unë jam doktor”. Të tjerë përgjigjen: ”Unë jam një dështak” “Unë jam i turpshëm”, “Unë jam ambicioz”, “Unë jam i pashpresë” etj… Prandaj kur dikush të pyet: ”Kush je ti”, përgjigja duhet të jetë e qartë, sepse ofron shumë informacion mbi identitetin tënd.
Të thuash se “Unë jam mysliman”, do të thotë se bindjet, sjelljet dhe vlerat e tua burojnë nga fakti, që ti i përket kësaj feje. Kur dikush tjetër përgjigjet: ”Unë jam doktor”, do të thotë se orientimi i tij në jetë është i lidhur ngushtë me këtë profesion. Kur dikush thotë: ”Unë jam i turpshëm”, do të thotë se ai nuk ka një komunikim social në nivel të kënaqshëm. Ai mund të ketë probleme bashkëshortore në të ardhmen për këtë shkak, pasi martesa nuk është gjë tjetër, veçse një lidhje sociale mes dy palëve, madje mes dy familjeve.
Prandaj mënyra si e sheh dhe e njeh veten, vlerësimi yt objektiv për veten me të mirat dhe të këqijat e saj, do të përcaktojnë edhe mënyrën si i sheh të tjerët dhe si të shohin ata.
3 – Bindjet.
Ato janë idetë, mendimet dhe opinionet që kemi magazinuar në mendjen tonë për njerëzit, shoqërinë dhe të gjithë botën, negative qofshin apo pozitive. Gjëja që ndikon më së shumti në jetën bashkëshortore, janë bindjet dhe koncepti yt për martesën dhe për seksin tjetër.
Prandaj, kur dikush pyetet: ”Çfarë është martesa për ty?”, dikush mund të përgjigjet:”Dashuri”. Dikush tjetër mund të përgjigjet:”Seks”, një tjetër thotë: ”Të bëhesh prind”. “Të çlirohesh nga prangat e prindërve dhe familjes” – thotë një tjetër. Dikush e sheh martesën si stabilitet dhe prehje. E njëjta gjë vlen dhe për konceptin dhe bindjen që ke krijuar për seksin tjetër. Le të shohim disa opinione dhe bindje të burrave për gratë dhe anasjelltas:
Të gjithë femrat janë idiote dhe mendjelehta. Në këtë rast, ti e sheh veten superior ndaj femrës.
Ato kanë mangësi në gjykim, por dhe në fe.
Eh, janë krijuar nga një brinjë e shtrembër.
Me gratë vlen vetëm dajaku.
Kur them femër, më shkon mendja tek bukuria.
Femër do të thotë arsye.
Femra është simbol i brishtësisë dhe butësisë.
Të gjithë burrat e kanë mendjen tek femrat.
Burrave u duhet treguar kufiri. .
Burrat janë të padrejtë.
Burrëri do të thotë morale.
Burrëri do të thotë hijeshi.
Burrëri do të thotë energji dhe forcë.
Burrëri do të thotë pasuri.
Bindjet dhe koncepti i njerëzve rreth martesës dhe seksit tjetër janë të ndryshme. Prandaj, duhet përcaktuar qartë koncepti që ke për martesën dhe si e sheh seksin tjetër. Kur dikush e koncepton femrën si simbol të bukurisë, ai kërkon të bukurat për t`u martuar. Nëse heq dorë nga ky kriter, martesa nuk do të jetë e suksesshme. Ajo që ka bindjen, se burrat e kanë mendjen tek femrat, mund ta mbyllë njërin sy përsa i përket lidhjeve të mëparshme të djalit, që ka kërkuar dorën e saj.
4 – Kapacitetet.
Ato janë aftësitë, që e dallojnë dikë nga të tjerët. Aftësitë dhe kapacitetet që të mungojnë, shkaktojnë probleme në jetën tënde. Gjëja që ndikon më së shumti në jetën bashkëshortore, është aftësia jote për kontakte dhe komunikim me njerëzit. Prandaj, a ke probleme në komunikimin tënd me motrat e tua, shokët, familjet etj…, apo je person i lehtë në komunikim dhe pa komplekse.
Bazuar në aftësitë e tua për komunikim me të tjerët, do të bazohet edhe aftësia për mirëkuptim me palën tjetër dhe shokun e jetës. Sa më i sinqertë dhe i qartë të jesh me veten, në përcaktimin dhe identifikimin e aftësive që të mungojnë, aq më i suksesshëm do të jesh në zgjedhjen e shokut të jetës. Por kjo ndodh, nëse ke në plan t`i zhvillosh aftësitë e tua dhe t`i plotësosh mangësitë.
5 – Sjelljet.
Cilat janë sjelljet e tua pozitive, të cilat u bëjnë përshtypje njerëzve dhe i bëjnë objekt bisede? Cilat janë sjelljet e tua negative, prej të cilave vuajnë njerëzit që të rrethojnë, shokët dhe të afërmit? Përgjigja e saktë të ndihmon në vlerësimin e vetes dhe pastaj në përcaktimin e pikave të dobëta tek vetja.
6 – Ambienti.
Këtu kam për qëllim rrethin, ku jeton ti, familja, shokët dhe komuniteti yt, si dhe shkallën e ndikimit të tyre tek ti.
Për shembull, niveli ekonomik dhe rangu shoqëror i familjes tënde. A është familja jote e hapur, apo është fanatike dhe e mbyllur? A është familja jote fetare dhe besimtare apo jo? Cilat janë zakonet dhe traditat e ambientit ku jeton dhe sa ndikojnë ato në formimin e bindjeve të tua? A është familja jote një familje e shëndoshë dhe e stabilizuar, apo është një familje e denigruar dhe e shpërbërë? A kanë prindërit e tu, nëna dhe babai, personalitet tirani dhe diktatori?
Këto që cekëm, përcaktojnë qartë tipin e personalitetit tënd, të cilin lipset ta njohësh mirë. Duhet të njohësh pikat e forcës dhe të dobësisë tek vetja, me qëllim që kur të marrësh vendimin e martesës, ta kesh të qartë se çfarë dëshiron nga pala tjetër dhe si ta shtosh mirëkuptimin me të.
Kështu, nëse je i turpshëm dhe jo social, mund të preferosh një ekuivalent të kësaj natyre në zgjedhjen e shokut të jetës, gjithmonë nëse je i kënaqur me këtë natyrë. Ose mund të kërkosh një tip social, i cili do të ndihmojë ta ndryshosh natyrën tënde të turpshme dhe jo sociale. Në këtë rast duhet të jesh i qartë me palën tjetër, lidhur me këtë pikë dhe t`i kërkosh ndihmë në përmirësimin dhe kapërcimin e kësaj “pengese” të natyrës dhe personalitetit tënd. Kështu, pala tjetër e ka më të lehtë durimin dhe rezistencën, që i duhet të përballojë për këtë çështje.
Duke ditur pikat e fuqisë tek vetja, ti do kesh aftësi t`i përdorësh ato në mënyrë ideale, për të forcuar marrëdhëniet me shokun tënd të jetës. Duke i ditur pikat e tua të dobëta, ti sapo ke hedhur hapin e parë drejt zhvillimit dhe ngritjes tënde në nivel të kënaqshëm, gjithmonë nëse ekziston vullneti dhe dëshira e mirë për ndryshim. Bazuar në këtë që thamë, do të bëjmë zgjedhjen e duhur të shokut të jetës, do të jemi të hapur dhe të qartë me të dhe do të na duhet të përcaktojmë rolin e pritur prej tij, me qëllim që të garantojmë ndihmën e tij në ndryshimin e kësaj natyre. Kështu, ai ose ajo, do të mirëkuptojnë më shumë, lidhur me këtë pikë dobësie, duke i shmangur faktorët, që i acarojnë marrëdhëniet bashkëshortore në të ardhmen.
Kur një i ri ose e re merrvendimin e martesës, përjeton një periudhë lëkundjeje dhe hezitimi, si për të hedhur hapin për të kërkuar dorën e saj, apo dhe për ta finalizuar fejesën me martesë. Vajzat përjetojnë stres dhe janë të lëkundura për të hedhur hapin e martesës, pas fejesës. Që këtu lindin problemet dhe shumë të rinj bëjnë zgjedhje të gabuar. Shqisat që bëjnë zgjedhjen Njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri lidhur me mënyrën e zgjedhjes dhe kjo bazuar në tipet e personalitetit të secilit dhe vlerësimit që i bëjnë kritereve bindëse. Kështu, disa prej tyre e bëjnë zgjedhjen duke u bazuar në arsyen dhe logjikën e tyre, sipas kritereve që përfaqësojnë bindjet, vlerat dhe rrethanat personale të secilit. Ka njerëz që bëjnë zgjedhje emocionale, duke u mbështetur kryekëput tek intuita, edhe pse diferencat mes tyre duken të konsiderueshme logjikisht. Ka të rinj, të cilët zgjedhjen e tyre e bëjnë duke u mbështetur vetëm tek shikimi, pasi i kushtojnë rëndësi të madhe pamjes së jashtme, të cilën e kanë si kriter të rëndësishëm të zgjedhjes. Të rinj të tjerë e bëjnë zgjedhjen me veshë. Ata u kushtojnë rëndësi të madhe mënyrës si flet pala tjetër, artikulacionit të fjalëve dhe intonacionit të zërit. Zakonisht, kjo zgjedhje bëhet kryesisht nga vajzat, të tërhiqen nga djem të cilët i bombardojnë me fjalë të bukura dashurie. Por ka edhe djem të cilët lënë kokënë pas mënyrës që flet një vajzë, brishtësisë së zërit të saj dhe intonacionit. Ashtu siç ka të rinj, të cilët zgjedhjen e bazojnë tek shqisa e nuhatjes. Ata jepen pas parfumit të vajzës dhe butësisë të cilën e manifeston vajza në komunikimin me të tjerët. Kriteri i afërsisë dhe i largësisë Ka të rinj të cilët e shohin të rëndësishme afërsinë ose largësinë me palën tjetër. Kështu, ata hetojnë dikë që u duket i përafërt; i përafërt në personalitet dhe tipare, në atmosferën ku është rritur, në banesë, në profesion, i afërt në familje, i përafërt në nivelin kulturor, shkencor dhe shoqëror. Sakaq, të rinj të tjerë anojnë nga largësia; largësia dhe dallimi në personalitet, largësia dhe distanca në familje, vendbanim, niveli shoqëror dhe kulturor. Kjo, pasi dallimet që zbulon tek pala tjetër, janë faktorë tërheqës. Ose sepse kërkon faktorë plotësues të personalitetit të tij, ose sepse kërkon të gëzojë epërsi ndaj palës tjetër. Kështu, djali mund ti përkasë një niveli të caktuar kulturor dhe shkencor, prandaj kërkon që vajza e ëndrrave ti përkasë të njëjtit nivel dhe shtrese kulturore dhe shkencore. Një tjetër kërkon një vajzë një niveli më të ulët kulturor dhe social, sipas këndvështrimit dhe idesë së tij për martesën dhe bashkëshorten. Ka djem të cilët preferojnë moshën e përafërt, kurse të tjerë preferojnë dallimin e thellë në moshë. Ka vajza që janë të tërhequra dhe të mbyllura, prandaj parapëlqejnë një djalë të hapur dhe të integruar, sepse u duket tepër tërheqës. Ato e shohin këtë tip si rast për të ndryshuar veten. Por ka edhe vajza të tilla që preferojnë një tip të mbyllur si vetja. Ka vajza që pëlqejnë djem romantikë dhe emocionalë, kurse të tjera e konsiderojnë këtë dobësi dhe njeri pa personalitet. Ka vajza të cilat janë shumë të lidhura me babanë, prandaj kërkojnë dikë që i ngjan babait në pamje dhe tipare. Ashtu siç ka të rinj të lidhur ngushtë me nënat dhe preferojnë vajza që kanë karakter të përbashkët me nënat e tyre. Disa vajza, janë shumë të lidhura me personalitete të famshme dhe tërhiqen shumë nga djemtë që u ngjajnë atyre. Disa vajza të tjera, kanë krijuar në mendje një imazh të caktuar dhe me të gjetur dikë të ngjashëm me imazhin e krijuar në mendje, gjejnë prehje dhe joshje. Shumë të rinj pyesin rreth avantazheve dhe disavantazheve të tyre dhe si ti zbulojnë. Të rinjtë gjithmonë shtrojnë pyetje lidhur me preferencat dhe prioritetet, si ti kuptojnë? Njeriu mund ti dallojë tiparet karakteristike të njerëzve më të dashur dhe më të afërt me zemrën. Ai mund të jetë babai, nëna, një mik apo mikeshë, por mund të jetë dhe motra, vëlla, një koleg apo kolege në punë dhe shkollë. Pasi të kuptosh personalitetin tënd, mund të kuptosh dhe personalitetin e atij që do. Bazuar në të njëjtat kritere, mund të prezantohesh me tiparet e saj, pamjen, gjërat që të tërheqin më shumë, çfarë të josh, të bukurën apo atë që të qetëson psikologjikisht, atë që të përngjan apo atë që është krejtësisht e ndryshme me ty por që plotëson mangësitë e tua. Në fund, do të kesh një listë me tiparet dhe cilësitë e princit/princesësh së kaltër që dëshiron të kalosh jetën me të. Mandej, këto tipare dhe cilësi i rendit sipas prioriteteve të tua personale. Kur një i ri fillon të mendojë për martesë dhe jetën në çift, duke pikturuar një imazh në mendje, ndodh shpesh që të bie në gabimin e idealizmit. Kështu, ai pikturon një imazh ideal, një vajzë të bukur, fetare, të kulturuar, të edukuar, të një sëre sociale dhe ekonomike të lartë etj… Por kur bie me këmbë në tokë dhe troket dyert në kërkim të këtij imazhi që ka në kokë dhe në imagjinatë, zhgënjehet pasi nuk e gjen në realitet. E njëjta gjë ndodh edhe me vajzën, e cila ka pikturuar një imazh ideal për princin e ëndrrave të saj. Ai është i hijshëm, fetar, i kulturuar dhe gjithë edukatë, i pasur, i dhembshur etj… Ajo i refuzon njëri pas tjetrit ata që kërkojnë dorën e saj, në pritje të princit të saj që ka në kokë dhe që e ka ëndërruar me kohë. Ndodh që ajo ta pranojë dikë nën presionin e ushtruar nga familjarët dhe nga frika se mos mbetet beqare, por kurrë e bindur me këtë zgjedhje. Pranoj… dhe nuk pranoj Të rinjtë e dy gjinive, duhet ta dinë mirë se është e vështirë, madje e pamundur, që të piqen me dikë që ka të gjithë cilësitë e mira që ka dashur dhe ëndërruar tek njeriu i jetës. Prandaj, lipset të përcaktohen prioritetet, ose më saktë, cilësitë tek të cilat nuk mund të bëjë asnjë lëshim. Por vlen të përcaktohen edhe cilësitë më pak të rëndësishme. Për shembull: Nëse do që vajza me të cilën dëshiron të krijosh familje të jetë; fetare, e bukur, e qetë, e kulturuar, e arsimuar dhe e pasur. Dikush mund të radhisë si dy kriteret më kryesore fenë dhe bukurinë, kritere tek të cilët nuk bën asnjë lëshim. Dikush tjetër sheh me prioritet më të madh arsimin dhe kulturën dhe është gati të bëjë lëshime tek kriteret e tjera. Kjo varet nga prioritetet e secilit. Sakaq, vajzat dëshirojnë një djalë të pashëm, të kulturuar, të jetë i një niveli të lartë social, të jetë i pasur dhe me edukatë. Për dikë, pamja e jashtme dhe hijeshia mund të jetë kriter kryesor, një tjetër mund të ketë si kriter primar moralin dhe edukatën, një tjetër ka pasurinë dhe ekonominë e tij. Pra, njerëzit kanë mendime të ndryshme lidhur prioritetet. Aftësitë e njerëzve janë të ndryshme edhe në pranimin e cilësive negative. Prandaj lipset përcaktimi edhe i cilësive negative sipas aftësisë së pranimit dhe ambientimit me to, si dhe i atyre të cilat i refuzon kategorikisht. Një burrë me natyrë të qetë, mund të ambientohet me një grua nevrike, por një burrë nevrik, ndoshta e ka të pamundur të ambientohet me një grua të tillë. Një vajzë e mbyllur mund të ambientohet dhe jetojë me një burrë të hapur dhe social, por një vajzë e hapur dhe sociale ndoshta nuk e duron dot një burrë të tillë. Mund ta pranojë vajza një burrë autoritar, sepse ka parë që i ati sillej në të njëjtën mënyrë me të ëmën e saj. Ndërkohë që një grua tjetër nuk e duron dot një komunikim të tillë, pasi në familje ka parë model tjetër, më të butë dhe mirëkuptues. Kështu, prioritetet tona dhe aftësia për ti pranuar të metat e tjetrit, ndryshojnë sipas personalitetit të secilit. Feja… jo fetari Unë dua tu kujtoj të gjithë djemve e vajzave që kanë mbushur moshën për martesë një thënie të profetit Muhamed a.s, e cila i ndihmon në përcaktimin e prioriteteve. Thotë i dërguari i Allahut a.s:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një person tek i cili konstatoni fenë dhe moralin, pranojeni…” Pra, feja dhe morali duhet të përbëjnë dy prioritetet bazë që duhet të plotësojë një djalë. Ato janë garancia më e madhe për një jetë bashkëshortore të qëndrueshme. Nëse djali do e dojë, do e nderojë, në të kundërt nuk do e persekutojë. Me këtë rast, dua të tërheq vëmendjen se i dërguari i Zotit a.s, ka bërë dallim mes fesë dhe moralit, pasi jo çdo fetar është i moralshëm dhe jo çdo njeri i moralshëm është fetar. Ne nuk duhet të mashtrohemi nga paraqitja e jashtme. Ka shumë njerëz të cilët në pamje të parë duken fetarë, por që në komunikim dhe moral janë blozë. Të jesh fetar siç duhet, do të thotë të përvetësosh dhe të reflektosh moralet më të larta. Nga ana tjetër, i këshilloj djemtë që duan të hedhin hapin drejt martesës me këshillën profetike:”Një femër martohet për bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe fenë. Kapu fort pas asaj që është fetare, tu mbushshin duart me dhe!” Nga hadithi, shohim se i dërguari i Zotit a.s nuk i ka injoruar edhe kriteret e tjera përveç fesë. Ai e ka orientuar të riun mysliman, që si prioritetin e parë të ketë besimin dhe fenë e vajzës. Lidhur me këtë kriter, nuk pranohet asnjë lloj lëshimi. Mandej, djali mund ti radhisë tre kriteret e tjera sipas shijeve të tij. Edhe në rastin e përzgjedhjes së vajzës, nuk duhet të mashtrohemi me pamjen e saj të jashtme. Ka vajza të mbuluara me hixhab dhe që në pamje të parë të ngrohin zemrën, por veprat dhe etika e tyre nuk përputhen me pamjen e jashtme. Prandaj, tiparet e jashtme si mjekra apo hixhabi, janë një pjesë e vogël e fesë. Prej nesh lipset të zhbirojmë tiparet më të rëndësishme.
Shumë të rinj mendojnë, se periudha e fejesës është periudhë e zhvillimit të emocioneve mes djalit dhe vajzës. Gjatë këtij stadi, të dy palët përpiqen t`i bëjnë lidhjet mes tyre sa më të bukura dhe romantike, duke harruar se objektivi i parë i stadit të fejesës është njohja më e thellë me palën tjetër. Kjo bëhet, duke grumbulluar sa më shumë informacion dhe duke vlerësuar aftësinë e tij/saj si shok/shoqe jete. Prandaj, mbledhja e informacionit mbi palën tjetër është një ndër mjetet më të rëndësishme për realizimin e objektivit të parë të fejesës. Kjo realizohet nëpërmjet dy mënyrave themelore: 1 – Forma e drejtpërdrejtë 2 – Forma indirekte Forma e drejtpërdrejtë do të thotë, që palës tjetër t`i shtrosh pyetje në formë direkte, ku vajza e pyet djalin dhe djali vajzën. Është shumë e rëndësishme, që bisedat gjatë fejesës të jenë të kësaj natyre, edhe pse kjo nuk do të thotë që pyetjet të jenë të ngjashme me ato të hetuesve. Ajo që synohet është, që si djali dhe vajza të ndërgjegjësohen mbi objektivin e fejesës dhe mbi çfarë duhet të interesohet. Një fakt i tillë i bën këto biseda pozitive dhe i shërben objektivit të fejesës, i cili është njohja më e thellë. Pyetjet direkte Ndër pyetjet më të vlefshme, të cilat mund të shtrohen gjatë kësaj periudhe, janë ato që përcaktojnë personalitetin e palës tjetër, e mandej të faktorëve që kanë ndikuar në formimin e këtij personaliteti. Por vlen të përmendim, se natyra e pyetjeve lidhur me personalitetin, ndryshon nga djali tek vajza dhe anasjelltas. Fillimisht do të merrem me vajzën, edhe pse disa pyetje do të jenë të përbashkëta. Pyetjet e vajzës që ia adreson djalit, duhet të fokusohen kryesisht në: a) Aspektin fetar: Pyet mbi farzet dhe sa është i rregullt me kryerjen e tyre, sidomos namazin e sabahut, agjërimin, haxhin dhe zekatin nëse është i pasur. Pyet mbi namazet nafile, leximin e Kuranit, sadakanë, agjërimin nafile. Është shumë e rëndësishme të njihen faktorët e përkushtimit në fe, roli i familjes, roli i xhamisë, shoqëria dhe mediat. b) Të pyesësh mbi identitetin, do të thotë mbi ambiciet e tij për të ardhmen, objektivat, me çfarë merret aktualisht, cilat janë preferencat dhe hobet e tij. c) Kur ta pyesësh mbi idetë, e pyet mbi mendimin e tij rreth fesë, politikës, lidhjeve bashkëshortore të suksesshme, lindjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre, parimet dhe vlerat e përgjithshme si: dashuria, miqësia, sinqeriteti, amaneti dhe zemërgjerësia. d) Lidhur me aftësitë e tij, pyetet mbi hobin, lidhjet me sportin, leximin dhe çfarë lexon, vendet ku argëtohet, çfarë programesh ndjek në TV, faqet më të preferuara të internetit, nëse flet anglisht dhe nëse njeh ndonjë zanat. e) Kur ta pyesësh mbi sjelljet e tij, pyete se çfarë e tërheq dhe i bën përshtypje tek shokët, me të cilët shoqërohet, pyete mbi sjelljet e tij pozitive dhe ato negative, të cilat mund të ndikojnë në jetën bashkëshortore si; nervozizmi, fjalët e pakta, koprracia dhe dyshimet. E gjitha kjo duhet të realizohet me pyetje indirekte dhe jo të drejtpërdrejta. Pyete nëse është njeri i hapur, nëse është racional apo emocional, realist apo idealist, i pëlqen të ndjekë një axhendë apo është rastësor.. f) Lidhur me ambientin, pyetjet mbi marrëdhëniet e tij me familjen, deri ku do të shkojë ndërhyrja e tyre në jetën e tyre bashkëshortore, lidhjet e tij me shokët dhe cilët janë ata, sa ndikon shoqëria në lidhjet në çift. Atij i duhet marrë informacion edhe mbi lidhjet me punën, orët që kalon në punë, sa ndikon puna në marrëdhëniet e tij me familjen, si e rregullon kohën mes punës dhe familjes, sa ndikojnë të gjithë këto faktorë në personalitetin e tij, lidhjet e tij me vëllezërit dhe xhaminë etj… Gjatë bisedës një rëndësi të veçantë ka mënyra se si drejtohen pyetjet. Vajza duhet të jetë e kujdesshme, në mënyrë që pyetjet të mos i ngjajnë hetuesisë, duke e vënë në siklet djalin. Është mirë që të fillojë ajo e parë të flasë mbi veten dhe idetë e saj në një fushë të caktuar dhe pastaj të kërkojë dhe mendimin e djalit. Rruga e gjurmimit Të gjithë e dimë se mundësia e mashtrimit dhe maskimit është tepër e madhe gjatë këtij stadi. Secila nga palët orvatet të duket sa më mirë, prandaj nevojitet përdorimi i mënyrës indirekte në shtrimin e pyetjeve. Kështu, rruga indirekte ka të bëjë me mbledhjen e informacionit rreth djalit nga vendi ku punon, shokët e tij, të njohurit, familjarët, komshinjtë, xhamia e lagjes ku jeton. Pyetjet indirekte kanë të bëjnë me aspektet negative në personalitetin e tij, të cilat vështirë të zbulohen gjatë bisedës së drejtpërdrejtë. Kur pyesim mbi çështjet e besimit, pyesim lidhur me marrëdhëniet e tij me gjynahet e rënda, me femrat, konsumin e alkoolit, bixhozin, drogën dhe kryerjen e farzeve. Lidhur me identitetin e tij, na intereson sa i suksesshëm është në punë, serioziteti, mendimi i eprorëve, kolegëve dhe arritjet e tij në punë. Nëse e pyet mbi idetë fetare, interesohu nëse ka përqafuar ide të tilla si afetarizmi, tekfirizmi apo terrorizmi. Kur ta pyesësh mbi gjendjen e tij ekonomike, mund ta pyesësh për hobin, ku e kalon kohën e lirë etj.. Lidhur me sjelljet e tij, pyete mbi sjelljet negative, nëse është nevrik, shan dhe bërtet, nëse është koprrac, dyshues apo hipokrit. Për të njohur mjedisin ku është rritur, pyetet për familjen, punën, shokët, vendet që frekuenton. Kjo periudhë kërkon kohën e saj të nevojshme dhe nuk duhet të mjaftohemi me mendimin e dy tre personave. Grumbullimi i informacionit nga drejtime të ndryshme na garanton besueshmërinë e tij dhe na jep një ide sa më të plotë mbi personalitetin e personit në fjalë. Unë i bëj thirrje çdo prindi, që dëshiron ta shohë bijën e tij nuse, që të mos e neglizhojë këtë hap të rëndësishëm, të mos e injorojë mbledhjen e informacionit të bollshëm lidhur me djalin që ka kërkuar dorën e vajzës, të mos mashtrohet me ato që thotë djali dhe t`i kushtojë kohën e duhur këtij stadi. Pasi të jenë mbledhur informacionet e duhura nga rrugët indirekte, vihen para informacioneve të mbledhura në rrugë direkte, gjë e cila do të minimizonte çdo përpjekje për të na hedhur hi syve. Pas fejesës… vetëm ndjenjat e zemrës nuk mjaftojnë për martesë. Shumë të rinj dhe të reja përjetojnë lëkundje dhe hezitim, para se të hedhin hapin e martesës dhe kjo ndodh për shkak të disa problemeve: Problemet gjatë periudhës së fejesës Nuk kemi krijuar një mendim të plotë mbi palën tjetër dhe jetës së ardhshme në çift. Dy të fejuarit nuk kanë qëndruar me njëri-tjetrin (në kuadrin fetar) për t`u prezantuar më mirë, gjë e cila do i ndihmonte për një vendim të drejtë. Shpeshherë fejesa përfundon me martesë, edhe pse njëra palë, ose të dyja, nuk janë plotësisht të bindur për këtë hap, gjë e cila shkakton një zinxhir problemesh pas martese. Mbi ç`baza merret vendimi për martesë? Një vendim kaq i rëndësishëm duhet të bazohet në tre kritere kryesore: 1 – Kriteri racional. Si djali dhe vajza duhet të kenë arritur një bindje të caktuar, lidhur me aftësitë e palës tjetër për të qenë shok i jetës, shok i ëndrrave dhe ambicieve, shok i gëzimeve dhe hidhërimeve, shok i sukseseve dhe dështimeve. 2 – Kriteri i zemrës dhe ndjenjave. Vlen të dihet, se zemrat e njerëzve pajtohen dhe gjejnë prehje me simotrat e tyre. Djali mund të duket i përshtatshëm si shoqërisht, fetarisht, moralisht dhe ekonomikisht. Sakaq, vajza nuk ndihet e qetë me këtë djalë. E njëjta gjë vlen dhe për palën tjetër, vajzën, e cila mund të ketë tiparet dhe karakteristikat e duhura, por që djali nuk ndihet rehat dhe komfort me të. Shkaku mund të jetë i kuptueshëm, siç mund të jetë ndonjë e metë fizike, mënyrë komunikimi, lëvizje të trupit etj… Por mund të ketë të bëjë edhe me familjarët dhe mentaliteti, kurse në disa raste kjo mund të mbetet mister. Në çdo rast, duhet të respektohen ndjenjat e zemrës dhe të mos mjaftohemi vetëm me vlerësimin racional dhe logjik. 3 – Kriteri viziv dhe pamor Bindja dhe pranimi i pamjes së jashtme të palës tjetër. Kjo ndodh, sepse bukuria është diçka relative. Me pamje të jashtme nuk kam qëllim vetëm atë bukurinë fizike, por edhe mënyrën si flet, si shikon, intonacionin e zërit, lëvizjen e duarve, si qëndron ulur, pra gjuhën e trupit. Ato ose duhet të jenë të pranueshme dhe na rehatojnë, ose jo. Pyetja që mbetet është: A duhet që bindjet e mësipërme të plotësohen 100 %? Cila është periudha ideale e fejesës? Padyshim që për të arritur këto bindje, nevojitet kohë, e cila është relative nga një person tek një tjetër. Koha e përshtatshme për të marrë vendimin, është ajo kur bindjet arrijnë një përqindje të logjikshme dhe të arsyeshme. Gabime të rëndomta Një ndër gabimet më të rëndomta, që hasen tek të fejuarit, është se pala tjetër do të ndryshojë për mirë pas martese. Njëri nga të fejuarit, mund të ketë një të metë të madhe, për të cilën bën kushedi sa premtime se do të ndryshojë pas martese. Madje, mund të marrë edhe hapa konkretë, për t`i bërë qejfin palës tjetër. Por kjo nuk ka asnjëherë garanci. Sado e madhe të jetë dashuria dhe forca e personalitetit, askush nuk e ka në dorë ta ndryshojë palën tjetër, përveç vullnetit të çeliktë dhe të sinqertë nga vetë personi me probleme. Nëse ai nuk do të ndryshojë para martese, nuk do të ndryshojë as pas saj. Ndryshimi është i mundur gjatë zhvillimit të botës sentimentale mes të fejuarve, gjë e cila e shtyn t`i bëjë qejfin palës tjetër dhe kështu ndodh ndryshimi. Por pas martese, ndjenjat sentimentale pësojnë rënie – gjë e cila është normale – dhe secili i kthehet botës së tij para martese. Kështu, nuk kemi ndryshim, pasi mungon vullneti i brendshëm dhe i fuqishëm, i cili nuk mungonte gjatë fejesës. Një gabim tjetër është injorimi i qetësisë dhe zhvillimit të ndjenjave, ose besimi se kjo do të ndodhë pas martese. Unë jam nga ata, që besojnë se nëse ndjenjat dhe emocionet nuk zhvillohen gjatë fejesës, është e vështirë të zhvillohen pas martese, kur dhe përgjegjësitë shtohen. Në fund, pasi të jenë marrë të gjithë masat, fjala i mbetet namazit të istihares, i cili përbën një çështje kyçe, para se palët të marrin një vendim të caktuar.
 
Perktheu: Elmaz Fida

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit