-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Drama e muslimanëve të Arakanit në Mianmar nuk ka përfunduar

Më të lexuarat

Dhimbjet e muslimanëve të Arakanit nuk kanë përfunduar edhe pse kanë kaluar 3 vite nga masakra që ushtria e Mianmarit ka filluar ndaj civilëve më 25 gusht 2017 me arsyetimin e luftës kundër militantëve të armatosur në rajonin Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).

Muslimanët e Arakanit të cilët prej vitesh janë përballur me persekutim sistematik, po pësojnë humbje në konfliktet e kohëve të fundit në rajon mes ushtrisë dhe grupeve etnike të armatosura.

Në Arakan, për shkak të konflikteve të armatosura mes ushtrisë së Mianmarit dhe organizatës së ushtrisë Budiste të Arakanit që kryejnë akte të armatosura me kërkesën për autonomi në rajon, edhe muslimanët e Arakanit gjithashtu përballen me shumë probleme ekonomike dhe politike në fushat e sigurisë, shëndetësisë dhe të drejtat e njeriut.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, në raportin lidhur me të drejtat e njeriut të muslimanëve të Arakanit që ajo lexoi në sesionin e 44 të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut i cili u mbajt në muajin qershor në Gjenevë të Zvicrës, tha se nuk ka asnjë përmirësim në situatën e të drejtave të njeriut për muslimanët e Arakanit në Mianmar dhe se fshatrat vazhdojnë të digjen.

Pasi vuri në dukje se konfliktet që vazhdojnë në rajonin e Arakanit ndikojnë negativisht të gjithë komunitetet në rajon, Bachelet nënvizoi se nuk ekzistojnë ende kushtet e rikthimit të sigurtë, dinjitoz dhe të vazhdueshëm për muslimanët e Arakanit që janë strehuar në Bangladesh.

Ushtria e Mianmarit (Tatmadaw), në muajin maj dogji sërish një pjesë të madhe të zonës Buthidaung ku jetonin muslimanët e Arakanit para vitit 2017, njoftoi Bachelet, e cila theksoi se sipas dëshmitarëve dhe pamjeve satelitore dhjetëra fshatra të muslimanëve të Arakanit janë bërë si “grumbuj hiri”.

Edhe në raportin e paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë muajin e kaluar nga Arakan Rohingya Union (ARU) u njoftua për humbjen e jetëve të civilëve ose zhvendosjen e tyre si pasojë e konflikteve të armatosura mes ushtrisë dhe grupeve të armatosura etnike në Arakan.

Në raport theksohet se konfliktet në rajonin e Arakanit mes ushtrisë së Mianmarit dhe organizatës së Ushtrisë Budiste të Arakanit, përgatisin terren për okupimin e vendbanimeve të muslimanëve të Arakanit (Rohingya) nga militantët Budistë dhe refugjatët.

     Muslimanët e Arakanit konsiderohen “pa shtet”

Shumica e popullsisë së muslimanëve të Arakanit të cilët janë përballur me persekutim dhe presion sistematik që nga vitet 1970 në Mianmar, kanë migruar në vendet e rajonit duke braktisur territoret e tyre.

Muslimanët e Arakanit konsiderohen “pa shtet” pasi ata kanë humbur të drejtat e shtetësisë me një ligj të pranuar në vitin 1982 në vend.

Nga OKB, Muslimanët e Arakanit pranohen si “pakica më e persekutuar në botë”, dhe se ata përballen me ngjarje të dhunshme dhe diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror në vend.

Pakica muslimane e cila jeton në rajonin Arakan në afërsi të kufirit të Mianmarit me Bangladeshin, në qeveritë e deritanishme janë vërejtur si “emigrantë të ardhur nga Bangladeshi” dhe në dokumentet zyrtare emërtohen “benghalezë”.

Në Mianmar ku ende 135 grupe etnike njihen zyrtarisht, budistët nacionalistë radikalë kundërshtojnë njohjen zyrtarisht të muslimanëve Arakanë.

     Vendet e rajonit kanë bërë përgjegjës qeverinë e Mianmarit

Konfliktet e shfaqura mes budistëve dhe muslimanëve në qershor 2012 në rajonin Arakan në perëndim të Mianmarit, kanë paraqitur para botës dramën e muslimanëve të Arakanit.

Në sulmet e ndërmarra nga budistët kanë humbur jetën shumë persona prej të cilëve shumica muslimanë, ndërsa për shkak të ngjarjeve të dhunshme ku janë djegur qindra shtëpi dhe biznese, mijëra persona janë detyruar të braktisin rajonin.

Zyrtarët e qeverisë pas ngjarjeve të dhunshme, arrestuan shumë persona dhe penguan dërgimin e ndihmave ndaj muslimanëve që mbetën të detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre.

Vendet e rajonit kanë bërë përgjegjës qeverinë e Mianmarit për tragjedinë e emigrantëve shumicën e të cilëve e përbëjnë muslimanët e Arakanit.

Më 23 tetor 2012 Arakanezët përfshirë edhe murgjit budistë u vendosën zjarrin 9 vendbanimeve në lagjet e muslimanëve.

Ndërkohë që forcat e sigurisë nuk ndërmorën asnjë përpjekje për të penguar sulmet, madje pretendimet se ata ndihmuan agresorët shkaktuan reagime nga e gjithë bota.

Në raportin prej 153 faqesh të publikuar në prill 22013 nga Organizata Human Rights Watch (HRW) theksohet se zyrtarët qeveritarë dhe zyrtarët lokalë në rajonin e Arakanit kanë nxitur sulmet e ndërmarra që nga qershori 2012 ndaj lagjeve ku jetojnë muslimanët dhe gjithashtu zyrtarët e Mianmarit u akuzuan për kryerjen e spastrimit etnik kundër muslimanëve të Arakanit në rajon.

     Sulmet ndaj stacioneve kufitare

Muslimanët e Arakanit u përballën me dhunë dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në operacionet që ushtria e Mianmarit filloi me objektiv kryesor sërish civilët pas sulmeve të kryera ndaj disa pikave të kontrollit policor në rajon në tetor 2016.

Në operacionet në fjalë u vranë të paktën 94 persona ku 17 u akuzuan si ushtarë dhe 76 si “agresorë”, ndërsa u arrestuan edhe 575 persona të tjerë.

Në anën tjetër grupet e solidarizimit Rohingya, njoftuan se që nga fillimi i operacioneve në rajon humbën jetën 400 muslimanë të Arakanit. Ndërsa qeveria e Mianmarit njoftoi 86 numrin e të vdekurve.

Shkatërrimi i vendbanimeve civile, krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera në operacionet e ushtrisë shkaktuan reagime në opinion ndërkombëtar kundër ministres së Jashtme dhe lideres së Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe ndaj qeverisë së saj.

Në një deklaratë të bërë në dhjetor 2016 nga Human Rights Watch (HRW) u njoftua se fshatrat e banuara nga muslimanët e Arakanit në zonën Maungdaw në rajonin e Arakanit ku mbizotëronin konfliktet në Mianmar ishin shkatërruar nga forcat e ushtrisë që kryente operacione në rajon. Organizata publikoi fotografi satelitore që provonin se në Arakan janë djegur nga forcat e sigurisë së Mianmarit 1.500 shtëpi.

     Tragjedia e emigrantëve të paligjshëm në Azinë Juglindore

Muslimanët e Arakanit që konsiderohen “pa shtet” në Mianmar, braktisin vendin për të shpëtuar nga kufizimet dhe diskriminimi dhe përfundojnë në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore. Me shpresën për të gjetur ndonjë vend pune në vendet e rajonit muslimanët e Arakanit e gjejnë shpëtimin tek trafikantët e qenieve njerëzore duke u nisur nëpër udhëtime nën uri, të etur dhe fundi i të cilit nuk dihet.

Muslimanët e Arakanit erdhën në rendin e ditës së botës me tragjedinë e emigrantëve në Azinë Juglindore në vitin 2015.

Pasi qeveria e Tajlandës filloi një operacion kundër trafikantëve të qenieve njerëzore që kishin formuar kampe në zonën e pyllëzuar në jug të vendit në maj të vitit 2015, emigrantët e përbërë shumica nga muslimanët e Arakanit të larguar nga Mianmari, të cilët mbaheshin peng nga trafikantët për ti kërkuar shpërblim familjeve të tyre u hipën në barka dhe u lanë në mes të detit. Indonezia dhe Malajzia vendosën që të siguronin strehim të përkohshëm për një vit për emigrantët muslimanë të Arakanit.

     Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë, filluan aktet e dhunës masive më 25 gusht 2017

25 gushti 2017 është data që paraqiti para syve dramën e muslimanëve të Arakanit. Duke treguar si arsye sulmet e ndërmarra ndaj stacioneve kufitare në Arakan, ushtria e Mianmarit dhe budistët nacionalistë filluan aktet e dhunës masive dhe masakruan rreth 10 mijë njerëz.

Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) në raportin me temë “Askush nuk ka mbetur pas (No One Was Left)” të publikuar në mars 2018, njoftoi se në ngjarjet e dhunshme të përjetuar mes 25 gusht-24 shtator 2017 në Mianmar humbën jetën të paktën 9.400 muslimanë të Arakanit.

Në sulmet e shndërruara në spastrim etnik u shkatërruan qindra fshatra nga ushtria dhe budistët fanatikë si dhe rreth 900 mijë muslimanë të Arakanit mbetën të detyruar të strehohen në Bangladeshin fqinj duke kaluar nëpërmjet zonave malore, lumit ose detit.

Ndërkohë dhjetëra persona shumica e të cilëve fëmijë, humbën jetën duke u mbytur si pasojë e hapjes së zjarrit ndaj anijeve që transportonin muslimanët e Arakanit në udhëtimin e tyre migrues. Po ashtu varkat me muslimanë të Arakanit që ishin në kushte të këqija shpeshherë u përmbysën gjatë udhëtimeve si dhe herë herë u përballën me hapjen e zjarrit nga forcat e sigurisë së Mianmarit.

Në raportin e HRW në nëntor 2017 u theksua se muslimanët e Arakanit janë përballur me përdhunimet, torturat dhe masakrat masive të ushtrisë së Mianmarit. Raporti me 37 faqe dhe me temë “I gjithë trupi im është në dhimbje: Dhuna seksuale kundër grave dhe fëmijëve në Mianmar” vërtetoi dhunën dhe përdhunimet e kryera nga ushtria e Mianmarit ndaj grave dhe vajzave muslimane të Arakanit.

Sipas OKB-së, pas gushtit 2017 numri i personave që u strehuan në Bangladesh pas largimit nga presioni dhe persekutimi në Arakan arriti në 900 mijë.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut me pamjet satelitore që publikuan provuan shkatërrimin e qindra fshatrave.

Ndërsa në anën tjetër, agjencia e lajmeve Associated Press (AP) në shkurt 2018, njoftoi se nëpërmjet intervistave me dëshmitarë të masakrave në Arakan që jetojnë në kampet e refugjatëve, si rezultat i pamjeve satelitore dhe i vëzhgimeve mbi videot e regjistruara në data të caktuara me celular kanë konfirmuar të paktën praninë e 5 varreve masive në fshatin Gu Dar Pyin në zonën Buthidaung në veri të rajonit Arakan.

     Presioni ndërkombëtar ndaj Mianmar u rrit

Vlerësimet e bëra të OKB-së, vunë në dukje rritjen kundër Mianmarit të presionit ndërkombëtar i cili për një kohë të gjatë qëndroi i heshtur kundër persekutimit të ushtrisë së Mianmarit ndaj muslimanëve të Arakanit.

Misioni Ndërkombëtar i pavarur për hetime në Mianmar i ngritur nga OKB, në raportin e tij që përfshin gjetjet nga shtatori 2018 deri në shtatorin 2019 njoftoi se “Situata e muslimanëve të Arakanit (Rohingya), vazhdon të jetë një burim shqetësimi serioz për misionin. Është përmirësuar me prova se aktet e dhunës të qeverisë së Mianmarit kundër muslimanëve të Arakanit janë kryer me “qëllimin e gjenocidit” dhe se qeveria vazhdon veprimet çnjerëzore dhe persekutimin sistematik dhe në shkallë të gjerë kundër muslimanëve të Arakanit”.

Asambleja e përgjithshme e OKB-së, në fund të muajit dhjetor 2019 pranoi një projektrezolutë që dënon forcërisht shkeljet e të drejtave të njeriut të administratës së Mianmarit kundër muslimanëve të Arakanit. Në projektrezolutën në fjalë votuan “po” 134 vende dhe “jo” 9 vende. Në rezolutën ku kritikohen praktikat si tortura, përdhunime dhe arrestime arbitrare të qeverisë së Mianmarit ndaj pakicave në rajon kryesisht ndaj muslimanëve të Arakanit, i bëhet thirrje qeverisë që të marrë masat e nevojshme në këto çështje.

Në janar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në gjykimin e ngritur nga Gambia në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik kundër Mianmarit, vendosi se muslimanët e Arakanit ndodhen nën “kërcënim të vërtetë dhe emergjent” dhe që Mianmari të marrë masat e nevojshme për të parandaluar gjenocidin kundër muslimanëve të Arakanit dhe që për 4 muaj të paraqesë edhe raportin në lidhje me këtë”.

Organizatat e OKB-së dhe ato ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cilësojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid” dhunën ndaj muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut, kanë shqetësimin se kthimi i muslimanëve të Arakanit në Mianmar pa siguruar një mjedis të sigurtë do të shkaktojë një përpjekje të re për spastrim etnik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit