5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Dosja e Shefave XI: Muja “spiunon” bashkëpartiakët te shefi, Grabovci e quan Kurtin “peder”

Më të lexuarat

Ish-deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ishte shumë aktiv në komunikimet me Adem Grabovcin. Atë e informon për secilin aktivitet. Muja, gjatë bisedave telefonike sulmon bashkëpartiakët, Vlora Çitakun, Memli Krasniqin e Blerand Stavilecin për punësime. Ai i tregon Grabovcit se në seancën e radhës do të bëjë akuza për përfshirje në korrupsion në rastin e Feronikelit.

Insajderi sjell pesë biseda telefonike mes Grabovcit dhe Mujës.

Shaip Muja, ishte nervozuar me një iniciativë të Memli Krasniqit, Blerand Stavilecit e Vlora Çitakut, për të shënuar 12 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Nuk po i pëlqente formati i një ndeje në hotelin Emerald në Prishtinë. Aty nuk do të mbaheshin fjalime, por vetëm do të kishte muzikë. E, Muja thoshte se në këtë organizim do të marrin pjesë vetëm ata që i kishin punësuar Krasniqi, Stavileci e Çitaku.

Në këtë nervozë që ia shpreh shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit të cilit i raporton vazhdimisht, Muja, aso kohe deputet i këtij grupi parlamentar zotohej se në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, do t’i akuzonte bashkëpartiakët e tij për korrupsion në Feronikël.

“Të gjithë janë të zhytur”, thoshte ai.

Në serinë e radhës së publikimit të përgjimeve telefonike të Adem Grabovcit, Insajderi sjell pesë biseda telefonike mes Grabovcit dhe Shaip Mujës. Pos batutave të shumta që ka Muja, ai flet për kolegët e tij deputetë, të pozitës e opozitës.

I tregon po ashtu Grabovcit se partia do të sillte në Komisionin për Punë të Jashtme, shoqet e Vlora Çitakut, Bukurie Gjonbalën, Vjosa Dobrunën e Mimoza Ahmetin për ambasadore. Por, në këtë planet po ua prishte Albin Kurti, që ishte kryetar i Komisionit.

Muja, këshillohej nga Grabovci që mos të merrej me Kurtin, të cilin e quante “peder”. Si mjek që është, Muja u bënte diagnoza kolegëve të tij. Deputetin Nait Hasanin dhe ish-kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smjal Latifin i konsideronte të sëmurë psikik, ndërsa ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin të sëmurë prej sheqeri.

Të tre këta protagonistë të bisedave të Mujës më Grabovcin, ishin pengesë për votimin e Ligjit për Prizrenin dhe Hoqën e Madhe.

Përveç kësaj, Muja i raportonte Grabovcit se e kishte takuar kryetarin e Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinakun, me të cilin ishte marrë vesh që dy deputetët e këtij subjekti, do të votonin pro Ligjit për Buxhetin dhe do të abstenonin për Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atë për Hoqën e Madhe, ligje këto që i jepnin kompetenca Kishës Ortodokse të vendos për secilën ndërhyrje apo ndërtim brenda zonave të mbrojtura.

Dy zyrtarët e lartë të PDK-së, tallen vazhdimisht me kolegët partiak, si Ahmet Isufin, me të cilin thonë se “do të luajnë k…” në debatin televiziv që do të mbahej në Klan Kosova. Talljet e tyre me përmbajtje raciste i vazhdojnë edhe me deputetët e pakicave.

“A m’pe t’u luftu me armiqtë e popullit”, e pyet Muja, Grabovcin. Muja kishte folur në KTV për zgjedhjen e ambasadorëve.

“Albin Kurti thash… shfrytëzuesi ma i madh i institucioneve dhe refuzuesi ma i madh i institucioneve”, tregon Muja.

“Ai nuk e njeh Kushtetutën, ndërsa thirret kur i intereson ligji. Ndërsa kur si intereson e kundërshton ligjin. Ndërsa opozita thash osht e pa orientuar dhe e cila nuk ka vullnet politik t’i plotëson kapacitetet e Ministrisë t’Punëve të Jashtme”, vazhdon Muja për ta pyetur Grabovcin nëse është i informuar për ndonjë organizim të PDK-së për 12 vjetorin e themelimit.

“Kishe nifarë thirrje t’Prishtinës e do Memli, Vlora, Blerandi, njerëz kshtu. Tash ata po i hapin senet me Billbord e me sene, t’u i thirr a din, nifarë forme t’elektoratit. A p’i thirrin ata qe i kanë shti n’punë e po menojnë që kanë bo elektorat a. Ku me dit. Osht mirë mos me i thirr… mos me e përsërit Partinë e Drejtësisë a din. Se ja nis me e përsërit Partinë e Drejtësisë. E veta edhe Danin…”, shton Muja.

Muja thotë se do ta bënte një organizim tjetër të PDK-së në Drenas për të treguar fuqinë e tij, pa ndihmën e Sami Lushtakut dhe Skenderajt.

Muja ankohet se PDK-ja me këto veprime nuk është parti.

“Kjo s’osht as Parti… e nëse osht met partia për me e mbrojt Memli, hallall i koftë. Edhe Blerandi”, thotë ai, teksa Grabovci insiston se nuk ka ndonjë informacion.

Bashkëbiseduesi, Muja, thotë se do t’i akuzojë të gjithë për korrupsion dhe përlyrje në Feronikël.

“Nesër e nin për Feroniklin ça boj. Kom me i akuzu tanë qe janë t’përlyn n’korrupsion. Te Ferronikli”, vazhdon ai.

“Nesër e kom pyetje parlamentare unë edhe thom ktu unë jom t’u pa qe s’ka vullnet politik, toni le ti… Kujt ti djeg mbrapa veshit s’osht problem. Edhe du mu marr veç me Drenasin. Edhe me thanë prej sotit e shpalli veten, krejt qytetarët i falënderoj që m’kanë votu po… militantat e mi dhe të etablum do t’i mbaj në Drenas. As në Skënderaj, jo te Sami Lushtaku”, shton Shaip Muja.

Në një bisedë tjetër, ata flasin për takimin që kishte Muja me Avni Klinaku. Partia e Klinakut në mandatin paraprak kishte qenë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ata ishin ndarë pas një kohe. Aktualisht, janë në koalicion me PDK-në dhe kanë hise në Qeveri. Valon Murati, i këtij subjekti drejton Ministrinë e Diasporës.

“Kesh në drekë me…, Avni Klinakun… Edhe puna e dy votave tinaj, ma mos e diskuto me kërkon… Është e kryne”, garanton Muja.

Ai thotë se për punën e Prizrenit nuk ka folur, por vetëm për buxhet. E, Grabovci i thotë se për buxhet ka boll vota. I duhen për Ligjin e Prizrenit.

“Ka vota boll për buxhet, po për Prizren e kem pak ma pick”, ankohet Grabovci, i cili tregon se e kishte takuar dikë të quajtur Fadil, i cili kishte garantuar se do të abstenojnë për Ligjin për Prizrenin.

Muja tregon se të nesërmen janë ambasadorët. Grabovci e urdhëron që ambasadorëve t’u jepen vizat në Komision. Por, pengesë sipas Mujës është Albin Kurti.

“Po unë vizën ja kom jep… po s’po ja jep Albini”, shton ai.

“Po hiqmu Albinit pashë sytë e ballit. Kush është ai pederr me me… veç shtyj përpara, shtine n’votim, me i shku thuj propozoj që t’ia çojmë ksajna, kush ka, çka ka, veç e veç, përzgjidhe cilin let flet, le t’bon interpretim edhe t’ia… me ja përcjell Presidentes”, udhëzon Grabovci.

Muja e Grabovci flasin për debatin në Klan Kosova dhe për ambasadorët edhe në një bisedë tjetër. Qysh në fillim të bisedës, Grabovci e pyet Mujën se a e ka vrarë ndokë. Muja, thotë se kështu duke folur, po përgjohen telefonat dhe po bëhen dosje.

“He… bre Shaip qa, ku ka kërsit, ka i rave, a e pushkatove kon a”, thotë Grabovci.

“Qishtu tuj u shpreh ju po ma boni dosjen tani, t’u naj përgju telefonat thu ti që unë vrajë njerëz e prej njerëz e”, shton Muja, teksa i kërkon Grabovcit që të shkojë në debat me Ahmet Isufin. Tema e debatit do të ishte “për bisedimet n’veri, Merkelka, kto…”.

“… Ahmetit ja kisha bo bajat valla, a din kisha lujt koqe me to. Po shko ti lun koqe me to, shkon nëse e din që ja bon bajat, a din edhe politikën”, i thotë Grabovci, Mujës.

“Jo bajat me ja bo mas pari, mi kallxu që ti i ke fillu bisedimet për Ahtisarin.. Ku nuk e ke ditë epilogun e përfundimit të fatit t’Kosovës. Tash po mundohesh me rikthy Ahtisarin. Ne do ta përkrahim Ahtisarin plus me këtë përmbajtje. Do ta implementojmë Ahtisarin edhe plus do të bajmë ndërtime në veri, hahahah…”, shton Muja.

Ai e pyet Grabovcin se a e ka dikë afër se mos e dëgjon ato që do të thotë.

“Edhe ni femën sot po naj bishin, tri femna po naj bishin, prej atynev dyjave që t’thash. Shoqen e Vlorës, Bukurie Gjonbalën… Sot naj binë Bukurie Gjonbalen, na binë Vjosa Dobrunën edhe… Mimoza Ahmetin”, tregon Muja më tej. Ata nuk e din se si do të votojë Hydajet Hyseni, që atë kohë ishte deputet i PDK-së.

Muja e Grabovci flasin edhe për një debat tjetër televiziv. Aty, Muja kishte debatuar me Rexhep Selimin e Vetëvendosjes. I tregon Grabovcit se si ia kishte bërë “bajat” Selimit duke i treguar se nuk është “kërkushi”.

Për këtë, Muja merr lëvdata nga Grabovci.

“Edhe kur dulum përjashta a din ja nisi me parmen Shtabin e Përgjithshëm e kto. I thash o Rexhë, unë jom ma i madh se ti, se edhe n’televizor ja përmena, i thash mos u gut se unë jom pak ma i madh se ti thash për kto punë edhe i thash i di, n’televizor ja bona, a din”, thotë Muja.

“I thash o Rexhë, thash mos um kallxo ti mu ku je kanë, thash ti kur je ardhë n’Shipni mos me pas dal me adresë te unë thash ishe hup. Po hajt mos um kallxo, n’nërsy k’tina Kushtrim Sadikut”, vazhdon ai.

“Mirë ja ke bo”, i thotë Grabovci.

“E Kushtrimi tha s’po ta nike. Thash jo more, thash mu ma nin për njerëz që kanë njerzillak thash, e që kuqen, se që është i paftyrë, thash nuk…absolut. Tani jo po unë t’kom shok, e çka me t’bo ty a din, po t’çojnë me ta… me ta thy.. me tu thy kryet ty a din. Thash kush um ka çu, Kushtrim thash vetë, a m’ke thirr ti mu a m’ka çu partia? Edhe ja kallxova mesazhin, qy n’sa ora po thojnë, Rexhepi po vjen, t’lutëm hajde, t’um lut. Ia kallxova mesazhin e Kushtrimit, thash te na, thash, te na nuk bohet asi selektimi sikur te ju thash me thanë thash, mu s’pom vjen Glauku thash me Albinin thash me ia kallxu niher venin, se Visarin thash ta kom palu moti, hahahaha… a, alo”, vazhdon Tregimin Muja.

“Thanë ja ka hup terezinë”, i përgjigjet Grabovci.

Muja vazhdon bisedën duke e quajtur budalla, Jakup Krasniqit dhe të sëmurë.

“Po ish dal more ky budalla e kish rrok sheqeri prapë kta, a e nive”, thotë ai, teksa sqaron se Krasniqi kishte folur për kufijtë në televizion.

“Ja bona ktina Ismajl…, tha ligjin s’keni me kalu. Tha ligjin kofsha gjallë unë a din. Ik more thash kush t’pjerdh ty edhe Naiti, thash keni problemeve. Me ju çu n’psikiatri pak me ju kontrollu thash edhe thash me jau bo… A guxon me je than Naiti n’ërsy. I thash qy n’ërsy, po unë dosje i boj atij thash mos u bo budalla”, tregon Muja për të qeshur.

I kontaktuar nga Insajderi, Muja ka thënë se kurrë nuk u është bërë presion deputetëve për të votuar ligje, por ka pasur vetëm konsulta.

Për akuzat që do të bënte për korrupsion në Feronikël, Muja nuk ka folur se kush ishin të përfshirët.

“Kjo lidhet me këta të rrymës, që po foli unë. Vazhdimisht i kanë zezatë, janë 800 punëtorë që mujnë me met pa punë në Drenicë. Dhe nëse mesin 800 punëtorë pa punë, për mu…, veç sistemi munet me qenë, e jo diçka tjetër”, ka thënë ai.

“Individualisht unë s’di kurgja. Institucionalisht unë kam thanë kam me dalë, edhe jam t’u e thanë atë publikisht. Jam t’u thanë që nuk munet industria m’u trajtu në këtë mënyrë, m’i rritë çmimin e rrymës, e knej po thu ti hajde t’bimë investitorë”, ka shtuar Muja për të shtuar se e ka kritikuar Feronikëlin për dëmtim të ambientit. /Insajderi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit