14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Dorëzohet Ministria e Arsimit, pritet ndryshimi i udhëzimit administrativ për shaminë

Më të lexuarat

Udhëzimi Administrativ që ua ndalon vajzave nën moshën 18 vjeçare bartjen e mbulesës në shkolla, pritet të anulohet para fillimit të vitit të ri shkollor.

Kështu të paktën ka bërë të ditur njëri nga iniciuesit e kësaj nisme, Durim Berisha, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ku ka njoftuar se ka marrë garanci nga Ministria e Arsimit për ndryshimin e këtij udhëzimi.

“Njoftojmë opinionin publik se pas konfirmimit se kërkesa për anulim të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 është marrë serioziosht dhe garancive që kjo dispozitë do të fshihet para fillimit të vitit të ri shkollor, kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar”, ka shkruar Berisha në rrjetin e tij social në Facebook.

Berisha më tej ka bërë të ditur se në rast se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk përmbush detyrimin ligjor, ashtu si ka premtuar se do ta bëj, do të shfryzëtojmë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë.

“Nga sot ju kërkojmë që të ndaloni së komentuari nëpër postimet e bartësve të funksioneve publike. Ju njoftojmë se çdo përdorim tani e tutje i hashtagut #ndryshojeni_ua_për_shaminë nuk ka asnjë lidhje me kampanjën dhe iniciatorët e saj”, ka shtuar ai.

Javëve të fundit, pas më shumë se një dekade, bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike është rikthyer si temë diskutimi në Kosovë.

Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në vend.

Udhëzim ky i cili edhe në atë kohë kishte nxitur reagime të shumta.

Debati për lejimin e shamisë në shkolla nuk është i kufizuar në Kosovë. Shumë shtete janë në faza të ndryshme të këtij diskutimi.

Gjithsesi, për momentin, debati në Kosovë është kufizuar në rrejte sociale e studio televizive. Qeveria, përkatësisht ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që e ka në dorë largimin e nenit, ende nuk është marrë konkretisht me këtë çështje.

Megjithatë MASHT-i, dy ditë më parë përmes një komunikate për media njoftoi se si ministri ata do të përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe do të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore me fillimin e vitit të ri shkollor.

E ky reagim i Ministrisë së Arsimit në vlugun e debatit për shaminë u interpretua si zbutje e pozicionimit për këtë çështje.

Ndryshe nga Ministria e Arsimit, Albin Kurit, kryeministri i Kosovës, ishte më i qartë në artikulimin e qëndrimit të tij në lidhje me këtë çështje.

Kurti deklaroi se shamia nuk duhet të ndalohet për vajzat, por kushti është që ato të jenë mbi 16 vjet – “ky është pragu”, shtoi kryeministri duke e lidhur këtë moshë edhe me disa të drejta tjera që i kanë 16 vjeçarët – siç është martesa me pajtimin e prindërve.

Në debat për shaminë janë përfshirë edhe, profesorë universitarë, filozofë, teolog, juristë e shumë gazetarë.

Njëra anë argumenton në ekzistimin e një islamofobie në Kosovë dhe mungesë e të drejtave të vajzave myslimane për shkollim, derisa ana tjetër e quan nismën si prapambeturi dhe agjendë e islamit politik në Kosovë./albanianpost/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit