Kelvin Hopkins: “Shpresoj se Hamasi është i sinqertë në ndryshimin e pozicionit dhe në pranimin e kufijve të vitit 1967.”
LONDËR (AA) – Deputeti i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, Kelvin Hopkins tha se dokumenti i ri politik i shpalosur nga Hamasi duhet të jetë i mirëpritur dhe që shpreson se edhe Izraeli do të japë një reagim pozitiv ndaj këtij dokumenti.
Duke e vlerësuar dokumentin e ri të Hamasit që përfshin vizionin e ri politik të kësaj lëvizjeje, Hopkins në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se “Shpresoj se Hamasi është i sinqertë në ndryshimin e pozicionit dhe në pranimin e kufijve të vitit 1967.”
Duke shprehur se “Nëse është i sinqertë duhet të mirëpritet”, Hopkins tha “Shpresoj se Izraeli do t’i përgjigjet në mënyrë pozitive këtij dokumenti. Nëse do të formohet paqja në Lindjen e Mesme të dy palët duhet të fillojnë të dialogojnë.”
Në anën tjetër edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Lordëve të krahut të sipërm të Parlamentit Britanik, David Howell, lidhur me vendimin e Hamasit tha se “Ndërrimi i tonit të Hamasit është një shenjë pozitive”.
Sipas tij, Izraeli duhet të hyjë në “negociata të ngushta” dhe të krijojë “një bashkëpunim domethënës”.
Kurse anëtari i lëvizjes së shoqërisë civile “London Palestine Action”, Yael Kahn, i cili është me prejardhje izraelite dhe shtetas britanik, tha se Izraeli po e përdor Hamasin si një justifikim për aktet e tyre dhe që nuk do të vonohet në gjetjen e një justifikimi tjetër të ri.
Kahn duke vënë në dukje se Izraeli po e mban si justifikim Hamasin për ta rrethuar Gaza-n, për ta shkatërruar infrastrukturën e qytetit dhe për t’i masakruar mijëra palestinezë, tha se “Nëse merret parasysh se qëllimi i vërtetë i Izraelit është spastrimi etnik, atëherë unë dyshoj se Izraeli do të gjejë një justifikim alternativ për ta vazhduar politikën e gjenocidit ndaj palestinezëve.”
Ndryshe, kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Halid Meshal, në një konferencë për media të organizuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, shpalosi vizionin dhe dokumentin e ri politik të lëvizjes që përmban 42 pika.
Pikat më të rëndësishme të dokumentit të shpalosur nga Meshal dhe që ka për synim t’i hapë lëvizjes horizonte të reja në komunitetin ndërkombëtar, përbëhen nga përkufizimi i ri i Hamasit, krijimi i shtetit palestinez brenda kufijve të vitit 1967 dhe çështje mbi hebrenjtë dhe ekstremizmin fetar.