Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, Uğur Ünal, ka realizuar sot një takim me drejtorin e Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, ku është firmosur edhe një marrëveshje për dixhitalizmin e dokumenteve osmane që ndodhen në Tiranë, raporton AA.
Në një fjalim të mbajtur pas firmosjes së marrëveshjes, Bido është shprehur se nga kjo marrëveshjeje mundësohet dixhitalizimi i të gjitha dokumenteve në gjuhën osmane, që janë nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Turqisë, Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ai ka vënë në dukje se një kopje e tyre do ti mbetet Drejtorisë së Arkivave në Shqipëri, ndërsa një tjetër do t’i ofrohet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Turqi.
“Kjo vjen në kuadër të projekteve të ngjashme të dixhitalizimit që kemi patur mundësi ti prezantojmë. Besoj se do të ketë një bashkëpunim më të frytshëm në të ardhmen”, tha Bido në fjalën e tij. Ai më pas ka shtuar se bashkëpunimi me palën turke është përqendruar në shkëmbimin e materialeve arkivore të dy vendeve, sidomos për sa i përket periudhës së para çlirimit të Shqipërisë dhe të dokumenteve që gjenden në arkivat turke dhe që janë të një rëndësie të veçantë për kombin shqiptar.
Ndërsa drejtori i Arkivave të Turqisë, Uğur Ünal, në fjalën e tij tha se marrëdhënia mes dy institucioneve ka një të kaluar të hershme, vazhdojnë duke u zgjeruar, dhe sipas tij, në të ardhmen do të hidhen hapa në mënyrë konkrete.
“Gjatë vitit 2017 do të fillojë procedura për dixhitalizimin e arkivave që ndodhen në Shqipëri. Në këtë kontekst kemi përkrahjen e madhe të Ambasadës së Turqisë në vend dhe TIKA-s. Do të hedhim hapa të njëpasnjëshëm në vazhdim”, tha Ünal. Ai në fjalën e tij ka shtuar se ky është një projekt i cili do të mundësojë të ndahen me popullin turk dhe atë shqiptar të gjitha dokumentet arkivore. “Kemi një kulturë të përbashkët dhe një të kaluar me marrëdhënie shumë të mira politike dhe kulturore. Ajo që do të bëjmë ne është të ndajmë me dy popujt këto të vërteta të së kaluarës sonë”, u shpreh Ünal.
Duke vënë në dukje se arkivat janë burimi kryesorë i të vërtetës, Ünal në vijim ka shtuar: “Ne ndajmë me popullatën dhe historianët burimin pa komente rreth të kaluarës. Brezat e ardhshëm janë ato që i vlerësojnë. Shpresoj që ky projekt shumë i rëndësishëm të jetë sa më i dobishëm për brezat e ardhshme të të dy popujve.”
Ndërsa duke dhënë detaje për projektin kreu i Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë ka thënë se ky është një projekt që ka kohë që ka nisur. Ai ka vënë në dukje se gjatë takimit me homologun e tij turk është diskutuar edhe për shkëmbimin e informacioneve në lidhje me arkivat e tapive.