I
Në rezolutën e Këshillit të Europës (KE), të miratuar më 25.01.2006, për “Krimet e Regjimeve Totalitare Komuniste”, si krime cilësohen: vrasjet individuale dhe kolektive, ekzekutimet, vdekjet në kampet e internimit, uria, deportimi, torturat, puna skllavëruese dhe forma të tjera masive të terrorit fizik. Në fakt, gjithçka pati nisur më parë, që në vitin 2003, me propozimin e Presidentit të atëhershëm të Asamblesë së Këshillit të Europës, Rene Van der Linden, i cili mbajti fjalimin “Mbi domosdoshmërinë e dënimit të regjimeve totalitare”. Pas një debati të nxehtë u vendos që tema të ndahej në dy nëntema: moslejimi i heroizimit të nazizmit dhe domosdoshmëria e dënimit të krimeve të komunizmit. Në rezolutën e hartuar dhe të miratuar nga Presidenca e KE më 25 janar 2006 thuhet, ndërmjet të tjerash, se “rënia e regjimeve totalitare në Europën Qendrore dhe Lindore nuk tërhoqi vëmendjen e hetimeve ndërkombëtare për krimet e kryera nga këto regjime, të cilat tejkalojnë dyfishin e viktimave të shkaktuara nga nazizmi. Si rezultat, shoqëritë e këtyre vendeve dhe shoqëritë e Europës Perëndimore nuk janë njohur me krimet që kanë kryer regjimet totalitare komuniste në vendet e tyre. Partitë komuniste ose ato që kanë ndjekur trashëgiminë e komunizmit ekzistojnë me një bazë ligjore në disa prej këtyre vendeve, madje pa e distancuar veten nga krimet masive të komunizmit të kryera në të kaluarën”. Në lidhje me këtë çështje, Presidenca e Asamblesë së KE bën thirrje në rezolutën e saj për të vënë në zbatim një sërë masash për dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit. Rezoluta e KE iu dërgua të gjitha parlamenteve të vendeve anëtare, e, ndër to, natyrisht, edhe Parlamentit shqiptar. Në vitin 2010, Komisioni i BE për Çështjet e Drejtësisë në Bruksel qe përfshirë në analizën e të ashtuquajturës “Deklarata e Pragës”, të hartur nga 6 ministrat e Jashtëm të ish-vendeve komuniste të BE-së, në shtypin tonë dolën avokatët e diktaturës. Thelbin e “Deklaratës së Pragës” e formuloi presidenti i Institutit Shtetëror për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, shkrimtari rumun Marius Oprea. Ja çfarë parashtron shkrimtari rumun në këtë deklaratë, që përfshiu qëndrimin e 6 ministrave të vendeve ish-komuniste: “Ne kërkojmë që krimet komuniste të trajtohen njësoj si holokausti, që do të thotë se krimet nga koha e regjimit komunist duhet të trajtohen para drejtësisë në të njëjtën mënyrë. Veprat e tyre nuk duhet të deklarohen se u ka kaluar koha; me këtë problem konfrontohemi të gjithë në ish-vendet komuniste. Ne kërkojmë drejtësinë ligjore, jo vetëm dëmshpërblim moral. Ata që kanë kryer vrasje e gjenocid në emër të komunizmit, duhet të dënohen.”. Menjëherë pas rezolutës së KE, në të gjitha parlamentet e vendeve ish-komuniste, u miratua nga njëra anë, një ligj i posaçëm i quajtur “Ligji i lustracionit” dhe, nga ana tjetër, u ngritën me shpejtësi institute studimore të posaçme që merren me studimin e krimeve dhe pasojave që kanë shkaktuar regjimet totalitare komuniste. Në Shqipëri, siç e dimë, një ligj i tillë i lustracionit u miratua në Parlament, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në fund të vitit 2009. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist që nuk e ka miratuar këtë ligj. Përkundrazi, ka vazhduar edhe më tej t’i ngopë gjykatat, sidomos Gjykatën Kushtetuese me gjyqtarë që vijnë direkt nga përvojat e përgjakshme të regjimit komunist. Por duhet thënë se Parlamenti shqiptar miratoi ngritjen e një Instituti Studimesh për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, një institucion i pavarur dhe shtetëror, me ligjin dhe buxhetin përkatës, i cili u mishërua nga pushteti ekzekutiv (kryeministria) me një staf tejet të vogël, që në realitet nuk ia mbështeti asnjëherë veprimtarinë studimore e dëshmuese, duke injoruar edhe detyrimin që i caktonte ligji, ndonëse një pjesë të mbështetjes për produktin studimor, dëshmues e botues ky institut e gjeti vetë nëpërmjet bashkëpunimeve me fondacionet e huaja.
II
Në Shqipëri ka probleme të tmerrshme me trashëgiminë e komunizmit. Gjithë hapësira publike, institucionale dhe arsimore vazhdon të mbetet e ndotur me mendësinë, veprimin dhe simbolet e saj. Shoqëria jonë vazhdon t’i shëmbëllejë një restaurimi të komunizmit në të gjitha sferat e saj. Klasa politike nuk tregon as vetëdije, as vullnet për të dënuar as të shkuarën, as recidivet totalitare të së shkuarës, duke ngjallur një fëlligështi epidemike mbarëshoqërore në lidhje me vlerat demokratike të lirisë. Përkundrazi, e shkuara e përgjakshme që shkaktoi tragjedinë tonë, përkrahet me të gjitha mënyrat, rehabilitohet, glorifikohet dhe përnderohet zyrtarisht, nga institucionet e kulturës, shkencës, arsimit, medias e deri në nivelet më të larta të shtetit. Provokimet janë bërë të zakonshme dhe duket se elitës sonë intelektuale i ka ngordhur përfundimisht nervi moral. Në pushtetet postkomuniste ka një ligjësi djallëzore: ajo që u nënshtrohet ndryshimeve të vazhdueshme nuk është as e tashmja, as e ardhmja, por ndryshohet pandërprerë vetëm e shkuara. Patosi më i fundit recidivist zyrtar u dëshmua me rastin e 29 Nëntorit, mitit zyrtar komunist të Ditës së Çlirimit, ku me një performancë demonstrative gjatë homazhit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit u valëviten simbolet komuniste dhe formati i madh i portretit të diktatorit Enver Hoxha. Paradoksale, ta mendosh, që Shqipëria, e cila ngre solemnisht portretet e Enver Hoxhës, organizon në Akademinë e Shkencave sesione përkujtimore për familjen e tij, është pikërisht në ditët e pritjes së miratimit si vend kandidat i BE! Nuk e di cili mentor ua ka mbushur mendjen se dyert e BE duhen mësyrë me portretet e diktatorit! Po cila ishte arsyeja që jubileu i “Çlirimit” u nderua me simbolet komuniste dhe me portretin valëvitës të diktatorit? Avokatët e së Keqes thonë se “Enver Hoxha ishte një hero i Luftës”; se roli i tij gjatë Luftës Çlirimtare ka qenë vendimtar etj. etj. Ne që merremi me studimet e dokumenteve në arkiva, të na ndiejnë, por ky Enveri i tyre i dashur na del veçse një kriminel. Një kriminel që shënoi një të çarë të dhimbshme në jetën e kombit, që nxiti një luftë vëllavrasëse, që miratoi dhe ndihmoi masakrën e përllogaritur mbi partizanë kosovarë të Shaban Polluzhës dhe bashkëpjesëmori në kalvarin e vdekjes së tri eshalonëve me partizanë kosovarë sipas itinerarit Prizren-Shkodër-Tivar-Dubrovnik, ku i priti masakrimi i kobshëm serbo-malazez mbi katërmijë e dyqind të rinj kosovarë. Ne e kuptojmë fare mirë që establishmenti i historianëve komunistë, që i ka marrë gradat me shërbime militante ndaj diktaturës, vazhdon të njëjtën iso, sidomos në kushtet e një kuraje të gjestit politik. Por mendojmë se nuk bëjmë keq t’u dokumentojmë se portreti i udhëheqësit të tyre nuk ka qenë aspak portret heroi, por portreti i një krimineli gjakatar. Dhe duke gjykuar mbi meritat e tij vetëm të kohës së luftës (e cila nuk ishte aspak “antifashiste” dhe sidomos jo “çlirimtare”), po rreshtojmë më poshtë, po për këtë periudhë, një vështrim të shpejtë të pjesës së dukshme, të dokumentueshme të krimeve të Enver Hoxhës gjatë kësaj lufte.
III
Lufta është një veprimtari kriminale, ngado që ta rrotullosh, por shoqëria njerëzore s’ka mundur kurrë t’i shmanget dhe s’duket se do t’i shmanget edhe në të ardhmen. Megjithatë, edhe në barbarinë e saj kanë vepruar gjithmonë disa parime, norma e zakone, e më vonë ligje. Disa veprimtari, brenda kasaphanës së madhe, janë të ndaluara, sepse, për ironi, konsiderohen krime. Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, edhe në Shqipëri pati gjyqe që dënuan (ose pretenduan se dënonin) krimet e luftës. Fatkeqësia ishte se gjyqet i organizuan fituesit dhe ata dënuan kundërshtarët politikë, jo kriminelët e vërtetë. Ne po japim fillimisht përkufizimin e kriminelëve të luftës, sipas ligjit të krijuar nga komunistët, dhe lexuesi, pasi të lexojë faktet, le të bëjë ballafaqimin e tyre me ligjin dhe të arrijë në përfundimet e tij. Ligji i 23 janarit 1945, mbi të cilin vepruan gjithë gjykatat ushtarake komuniste, nenin 14, e përkufizon kështu krimin e luftës: “Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, seksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut” (Gazeta Zyrtare, nr 3-bis, 23 janar 1945). Faktet në lidhje me veprimtarinë e Enver Hoxhës po i rendisim më poshtë.
1. Enver Hoxha ka qenë përgjegjës, si anëtar i Komitetit Qendror Provizor të PKSH, për aktet terroriste të kryera nga komunistët e Gjirokastrës, si pasojë e të cilave u vranë 11 persona dhe u plagosën 5 të tjerë. KQP u vendos në dijeni për këto krime, të cilat atij i prezantoheshin si suksese, më 14 nëntor 1942.
2. Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi për pushkatimin e gjashtë xhandarëve të marrë rob nga Brigada I te postkomanda te Varri i Bamit në Tiranë. Ai është vënë në dijeni nga Gogo Nushi në tetor 1943 për vrasjen e xhandarëve, dhe po brenda atij muaji i ka kthyer përgjigje se vrasja e tyre ishte direktivë e PKSH. Nushi ishte shprehur kundër këtij akti (Xhandarët ishin shqiptarë, forca të ruajtjes së rendit, plus që, pasi u kapën robër ata duheshin trajtuar si robër lufte).
3. Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi për pushkatimin e 130 robërve italianë (i vranë për t’u marrë rrobat) në Orenjë, në tetor 1943, dhe 63 robërve ballistë në Matjan të Lushnjës. Për këto krime, Shtabi i Përgjithshëm është vënë në dijeni nga autorët kryesorë të këtij veprimi: Mehmet Shehu dhe Tuk Jakova, komandanti dhe komisari i Brigadës I, më 29 tetor 1943. Në korrespodencën me Shehun, Enver Hoxha nuk i përmend më italianët e masakruar, megjithëse vrasja e robërve ishte krim lufte. Për fshatarët myzeqarë, ai i tërheq vërejtjen Mehmet Shehut, në letrën e 5 nëntorit 1943, por duke e trajtuar çështjen si një problem politik dhe jo si një krim. Sipas tij, fshatarët s’duheshin vrarë se ashtu mbillej urrejtje në popull ndaj ushtrisë partizane, jo se vrasja e tyre ishte krim lufte. Për këto krime nuk u ndëshkua askush, duke u inkriminuar kështu gjithë Shtabi i Përgjithshëm, anëtar dhe komisar i të cilit ishte dhe Enver Hoxha.
4. Enver Hoxha është urdhëruesi i vrasjes së partizanit Tele Baçit, pjesë e batalionit “Reshit Çollaku”. Më 24 mars 1944, ai i shkroi Tuk Jakovës: “Tele Baçin duhet ta arrestoni, t’i bëni gjyq dhe ta pushkatoni”. Dhe ashtu ndodhi.
5. Enver Hoxha ka përgjegjësi për grabitjen (shiko ligjin për grabitjen dhe plaçkitjen e pasurisë) e 400-500 kokë bagëti në fshatin Bozhigrad të Korçës, nga batalioni “Fuat Babani”, në prill 1944. Ai urdhëroi më vonë që këto bagëti të ktheheshin, për arsye politike, por krimi nuk u dënua, dhe në të njëjtën letër, 3 maj 1944, Hoxha porosiste që të grabiteshin vetëm bagëtitë e “ndonjë armiku të popullit”. Ai s’kishte asnjë tagër ligjor të përcaktonte kush ishte armik i popullit dhe kush jo.
6. Enver Hoxha ka lëshuar urdhër më 1 qershor 1944 për spastrimin e zonës së Çermenikës, Zaranikës, Tiranë dhe Dibrës, nga kundërshtarët politikë, i cili u shoqërua me humbje jetësh, si nga banorët e këtyre zonave ashtu edhe nga partizanët, dhe shkatërrimin e pronës.
7. Enver Hoxha ka urdhëruar më 1 qershor 1944 vrasjen e Abaz Kupit.
8. Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, që më së shumti ai ishte vetë shtabi, ka përgjegjësi për urdhrin, 1 qershor 1944, e djegies së shtëpive të kundërshtarëve politikë, që cilësohen si “tradhtarë” ose “reaksionarë”. Shtabi s’kishte asnjë lloj legjitimiteti dhe tagri ligjor, ai vetë ishte një organizmi i paligjshëm sa kundërshtarët e vet politikë.
9. Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe anëtar i KQ të PKSH, Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi për mobilizimin me forcë të popullsisë në radhët e ushtrisë partizane. Kjo vërtetohet me letrën e Liri Gegës për Shtabin e Përgjithshëm, 16 qershor 1944; nga raportet e Brigadës VIII për KQ të PKSH, 7 korrik 1944, 10 korrik 1944 dhe 17 korrik 1944; nga raporti i Sami Gjeberos, anëtar i sektorit politik në Brigadën VII, 25 korrik 1944.
10. Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha ka përgjegjësi për këto vepra kriminale të kryera nga Brigada II, në zonën e Dangëllisë, dhe të raportuara në Shtab me letrën e 2 qershorit 1944, nga Beqir Balluku dhe Vasil Konomi. Në Frashër, Përmet: a) sekuestrimin e pasurisë dhe zaptimin e një pjese të shtëpisë (nga partizanët) së Mazllëm Skënderit, partizan i dezertuar; b) sekuestrimin e pasurisë së Hodo Skënderit, se ishte “aspirant në radhët e legalitetit”; c) sekuestrimin e shtëpisë së Seid Skënderit, kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar që kishte kaluar me Ballin. Në Zavalan, Kolonjë: a) djegien e shtëpisë së Izet Hysniut dhe sekuestrimin e bereqetit; b) sekuestrimin e një pjese të pasurisë së tundshme të Halit Kamberit, i akuzuar si ballist dhe pjesëmarrës në djegie shtëpish. Në Piskal: a) Sabri Nuredinit, ballist i akuzuar si pjesëmarrës në djegie shtëpish, iu sekuestrua pasuria, shtëpia nuk iu dogj se i ishte djegur nga gjermanët (kjo specifikohet në dokument nga Beqir Balluku dhe Vasil Konomi); b) Shaqir Mysliut, partizan dezertor, “ju sekuestruan të pestë dhënt qi kishte”. Në Bablaz: Qazim Goblarës iu sekuestrua pasuria, iu dogj shtëpia dhe iu mor peng djali Xhevir Goblara, me kushtin që të lirohej kur të braktisnin Ballin Kombëtar babai dhe dy vëllezërit e tjerë të tij. Në Radovickë: Avni Radovickës, ballist, iu sekuestrua pjesa e pasurisë së tij, shtëpia nuk iu dogj se në të jetonin dhe familjet e dy vëllezërve të tij partizanë (në dokument specifikohet: “çky nuk akuzohet për faje të rënda”). Në Miçan: Nexhip Mustafait dhe Fadil Abdurramanit iu sekuestrua pasuria dhe, nëse nuk braktisnin Ballin brenda 15 ditësh, do t’iu sekuestrohej dhe bereqeti.
11. Si komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi, i informuar nga Beqir Balluku dhe Vasil Konomi, ai ka qenë në dijeni për këto krime në zonën e Kolonjës dhe, përderisa nuk ka marrë asnjë masë ndaj kriminelëve, i ka aprovuar ato: a) për “internimin e disa nga baballarët e vëllezërit e elemntave të përlyer në punërat e Ballit Kombëtar”, internimi është, në fakt, pengmarrje, sepse bëhet derisa “të dorëzohen në forcat t’ona vëllezërit ose djemt e tyre”; b) për djegien e pesë shtëpive në fshatin Qafëzez, të cilat u përkisnin personave të akuzuar nga Beqir Balluku dhe Vasil Konomi si strehues të ballistëve dhe informatorë të Ballit; c) për ekzekutimin përpara popullit, me qëllim përhapje terrori, të Dalip Çaushit, i akuzuar si strehues i ballistëve.
12. Si anëtar i KQ të PKSH, ka pasur përgjegjësi, sepse ka aprovuar krimet e Brigadës V, për të cilat e ka vënë në dijeni Manush Myftiu, zv/komisar i brigadës, me raportin e 5 gushtit 1944: a) pushkatimin e 15 vetëve të pafajshëm, njerëz që i morën në shtëpira ose i ndeshën në rrugë, në Kurdari, Kukës; b) djegia e fshatit Sinë në Dibër, “pa asnjë arsye, vetëm për hakmarrje të shokëve të vrarë” (pasi i dogjën shtëpitë, shkruan Myftiu, partizanët shkatërruan dhe gjithçka që kishte shpëtuar nga zjarri).
13. Si komandant i UNÇ, Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi për vrasjen e partizanit Neki (mungon mbiemri) dhe e ka dënuar vrasësin Nuri Huta. Masa që mori, në dokument të shkruar prej vetë Hoxhës, Nuri Hutës i hoqi vërejtje (20 gusht 1944) dhe e këshilloi të mos provokonte më ngjarje të tilla (pra, vrasësi ishte dhe provokatori). Ngjarja ka ndodhur në Brigadën II. Dokumenti i ShP, nr. 10/rezervat. Për këtë krim janë përgjegjës dhe Beqir Balluku, Vasil Konomi dhe Kiço Ngjela.
14. Si anëtar i KQ të PKSH, Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi për vrasjen e Dr. Rashës, i cili u vra vetëm se Kristo Themelko, komisar i Çetës së Pezës, autor i raportit për KQ (8 shtator 1944), mendonte se ai ishte “agjent i Gestapos dhe i rrezikshëm”. Myslim Peza, komandanti i çetës, ishte kundër.
15. Si anëtar i SHP dhe komisari i tij, Enver Hoxha ka përgjegjësi për djegien e krejt fshatit Starovë, me përjashtim të pak shtëpive “qi qëndronin mirë”, nga Brigada I dhe IV në rrethin e Pogradecit, prill 1944.
IV
Lista e krimeve për të cilat Enver Hoxha ka pasur përgjegjësi direkte ose indirekte si një nga drejtuesit kryesorë të UNÇ është e gjatë, por dhe kaq mjaftojnë që çdo gjykatë, e përbërë nga juristë natyrisht, do ta shpallte kriminel lufte, në të gjallë apo pas vdekjes, duke u bazuar vetëm në ligjin ushtarak të vetë KANÇit, i datës 23 janar 1945, që e kemi cituar në hyrje të artikullit. Për të kuptuar më mirë personalitetin kriminal të Enver Hoxhës, mjaftojmë të citojmë vetë atë, nga një letër që i shkruan Gogo Nushit në lidhje me bashkëpunimin e partizanëve të Beratit (me në krye Gjin Markun) me gjermanët: “Për çështjen e Beratit do të na bëni shumë mirë të mos na shkruani asgjë, pse organizata e Beratit ose, më mirë, udhëheqësit e Beratit janë të tërë rebelë. I kanë prerë krejt lidhjet me ne dhe me Shtabin dhe kur do t’i lidhim këto penjë do ti lyejmë ca me gjak.” Ky citim tregon dimensionin real (makabër, në cilësi) të natyrës kriminale të Enver Hoxhës. Në 15 argumentet historike të mësipërme, duhet pasur parasysh që, kur përmenden ballistët e akuzuar për djegie shtëpish apo krime të tjera, akuzat janë bërë nga kundërshtarët e tyre dhe ata nuk i kanë shoqëruar akuzat me prova. Përveç kësaj, edhe sikur t’i marrim të mirëqena akuzat, ballistët dhe partizanët kishin të njëjtin autoritet ligjor, ose, e thënë ndryshe, asnjëra palë s’kishte tagër ligjor për veprime të tilla. E dyta, në tekst është përmendur shpesh fjala sekuestrim, ngaqë kjo fjalë është përdorur në dokumentet origjinale, por realisht sekuestrimi, rekuizimi dhe konfiskimi janë eufemizma për grabitjen. Çdo hajdut mund të pretendojë që nuk vjedh, por sekuestron, megjithatë prokuroria nuk do ta merrte parasysh këtë justifikim. Si drejtues i PKSH, Enver Hoxha ka qenë përgjegjës për shumë krime, por ne u ndalëm te krimet e luftës, edhe te këto vetëm aty ku ai ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Prej këtyre fakteve, ai rezulton se ka qenë kriminel lufte dhe një kriminel lufte nuk mund të nderohet. Jo vetëm kaq, një luftë e drejtuar nga një kriminel lufte, i cili kishte në varësi ca kriminelë të tjerë, nuk ka asgjë për t’u krenuar. /panorama/
———————
Nga AGRON TUFA*
ÇELO HOXHA
* Autorët e shkrimit janë, përkatësisht, drejtori dhe n/drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK)/shenja