Bashkësia Islame e Kosovës edhe këtë vit ka organizuar prerjen dhe shpërndarjen e mishit të kurbanëve përgjatë festës së Kurban Bajramit.
Por e gjithë situata u komplikua kur në media u raportua se BIK-u ka manipuluar me çmimin e kurbanit dhe shitjen e tyre nga ana e individëve të ndryshëm në treg.
Kjo e fundit ka reaguar nëpërmjet një deklarate me shkrim duke demantuar pohimet e raportuara në medie se 1 kilogram mish t’i ketë kushtuar 17 euro.
BIK shpjegon se mishi i kurbanëve të ardhur nga Hungaria kap sasinë mbi 100 tonë, e jo 15 tonë, siç u raportua.
BIK-u po ashtu ka sqaruar edhe për mënyrën e organizimit të therjes dhe përpunimit të mishit të kurbanëve.
BIK-u ka sqaruar edhe procedurat e dhënies së tenderit për furnizim me kafshë për mish kurbani.
Edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, deklaroi për Tribuna Channel se sasia e importit që ka ardhur nga shteti i Hungarisë për BIK-un ka qenë 108 mijë kilogramë të mishit të llojeve të ndryshme i cili ka kushtuar 573 mijë euro, ose 5.3 euro për kilogram.
Zëdhënësi i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, deklaroi për Tribuna Channel se Kushtetuta dhe Ligjet e rregullojnë çështjen e tregut të lirë dhe në këtë relacion asnjëherë si autoritet nuk kanë ndërhyrë që ta favorizojnë njërën palë apo tjetër.
Thaçi tutje tha se e kanë njoftuar BIK-un mbi procedurat e importit dhe kushtet që duhet t’i plotësojnë në raport me kurbanët.
Ai siguron qytetarët e vendit se mishi i kurbanëve është i sigurt dhe se nuk është paraqitur asnjë ankesë përkitazi me cilësinë e tyre.
Kujtojmë se Bashkësia Islame e Kosovës çdo vit organizon shpërndarjen e kurbanëve përgjatë festës së Bajramit.