Kryeministri i Kosovës drejt Sarajevës, tërbohet faktori serb në Bosnjë
Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, tha se gjërat në Bosnje do të komplikohen ndjeshëm nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti vjen në Sarajevë dhe përsëriti se faktori serb në Bosnje nuk e lejon dhe nuk do të lejojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Bosnje nuk e njohu Kosovën. Nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ajo zonë të hyjnë me letërnjoftim sepse kjo do të nënkuptonte një njohje të caktuar të të ashtuquajturës Kosovë. Në kwtw drejtim kemi lajme se Kurti po arrin në Sarajevë. Pra, ata janë këmbëngulës që ta sjellin në Sarajevë dhe ta provokojnë dhe pastaj të na thonë se Serbia po bën diçka të gabuar, edhe pse respekton integritetin territorial të Bosnjës”, tha Dodik.
Ai ka theksuar se Serbia e respekton integritetin territorial të Bosnjës, por është i mendimit se “Sarajeva nuk e respekton integritetin e Serbisë”.
Albin Kurti pritet të jetë të premten në Sarajevë, ftuar nga një shoqatë. Më saktë nga Asociacionit të Intelektualëve të Pavarur në Bosnjë – Rrethi 99.
“Rrethi 99 për një kohë të gjatë ka pritur përgjigje pozitive nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe më në fund ka pranuar të vijë në Sarajevë dhe të flasë në një event të zgjeruar”, u njoftua nga shoqata.
“Synimi ynë është të diskutojmë situatën dhe marrëdhëniet në rajon, si dhe perspektivat për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të botës.
Ne do të avokojmë për afirmimin e idesë së domosdoshmërisë së krijimit të një boshti jugor të paqes në Ballkan nga shtetet joekspansioniste, duke lidhur si shtetet dhe shoqëritë, komunitetin akademik dhe organizatat jo qeveritare. Besoj se edhe kryeministri Kurti do të ketë qëndrim pozitiv në këtë drejtim”, u tha nga shoqata në fjalë. /tesheshi.com/