1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dobitë e të udhëtuarit

Më të lexuarat

Dobitë e të udhëtuarit

Thotë imam Shafiu në divanin e tij:
Lëre vendlindjen në kërkim të fisnikërisë
për pesë gjëra udhëtimi do të leverdisë
largimit të brengës dhe të fituarit e jetesës
diturisë, kulturës dhe shoqërisë së besës
 
Në këto vargje, imam Shafiu përmend pesë dobi të udhëtimeve, të cilat janë: Largim i brengave, halleve dhe shqetësimeve të përditshme. Udhëtimet e çlirojnë njeriun nga streset dhe ia ripërtërijnë forcat. Dobia e dytë hyn tek përfitimet materiale, pasi vetëm duke udhëtuar tregtarët dhe biznesmenët, por edhe krahu i punës, sigurojnë të ardhura dhe jetesën. Dobia e tretë, ka të bëjë me arsimimin dhe shkollimin. E katërta me përftimin e kulturës dhe edukatës. Zakonisht, gjatë udhëtimit njeriu nxjerr në pah brumin e tij dhe karakterin e vërtetë. E pesta, udhëtimi të mundëson të njihesh me shokë të mirë dhe të besës dhe të shoqërohesh me ta.
Megjithatë, dobitë e udhëtimit nuk kufizohen tek këto të pesta që ka cekur imam Shafiu. Ndër dobitë e tjera të udhëtimit, mund të radhisim dhe:
–      Pranimi i lutjeve. Thotë profeti Muhamed a.s:”Tre lutje janë padyshim të pranueshme: Lutja e dikujt që i është bërë padrejtësi, lutja e prindit për fëmijën dhe lutja e udhëtarit.” (Tirmidhij)
–      Fitimi i eksperiencës në komunikimin me njerëzit.
–      Udhëtimi i ruan njeriut dinjitetin dhe e largon nga persekutimi dhe poshtërimi. Nëse dikush jeton në një vend ku dinjiteti njerëzor nuk respektohet, nëpërmjet udhëtimit ai mund të shpërngulet në një vend tjetër. Të njëjtën gjë bëri profeti Muhamed a.s me myslimanët kur migruan nga Mekka për në Medinë. Thotë Profeti a.s:”Hixhreti (migrimi) nuk skadon derisa të skadojë pendimi dhe pendimi nuk skadon derisa të lindë dielli nga perëndimi.” (Ebu Daud)
–      Adhurimi i Zotit të lartësuar. Këtu hyn udhëtimi që bëhet për të kryer ritualin e Haxhit.
Këto ishin disa dobi të udhëtimit, të cilat padyshim janë më të shumta. Por mos harrojmë se shumë njerëz i perceptojnë gabimisht dobitë e udhëtimit, duke menduar se këto dobi arrihen thjesht duke udhëtuar. Në fakt, udhëtimi nuk duhet të jetë objektiv në vetvete. Ai duhet të jetë objektiv për realizimin e qëllimeve jetësore apo fetare. Prandaj, nëse nëpërmjet udhëtimit arrihen rezultate dhe përfitime të konsiderueshme, ai klasifikohet si i dobishëm, në të kundërt jo. Ne lipset  të kuptojmë që të udhëtuarit renditet tek pesë kategoritë e veprave:
1 – Ai mund të jetë i lejuar nëse realizohet në kërkim të diçkaje të lejuar, siç është sigurimi i jetesës.
2 – Mund të jetë i pëlqyeshëm, siç është vajtja në Qabe për të kryer një haxh tjetër, pas atij të detyrueshmit. Ose, siç janë udhëtimet rituale drejt Qabes, xhamisë së Profetit a.s dhe xhamisë Aksa.
3 – Mund të jetë i detyrueshëm, nëse bëhet për të kryer një vepër të detyrueshme dhe një obligim, siç është Haxhi për herë të parë, ose si migrimi nga vendi i persekutimit në vendin e sigurt.
4 – Udhëtimi mund të shihet i papëlqyeshëm, nëse bëhet për të vepruar një vepër të papëlqyeshme. Disa dijetarë e rendisin udhëtimin për tu dëfryer tek udhëtimi i papëlqyeshëm.
5 – Ai është haram, nëse nëpërmjet udhëtimit synohet një vepër haram, si dikush që udhëton për të vepruar gjynahe.
Më mirë, çështjen e udhëtimin e shtjellon Profeti a.s i cili thotë:”Udhëtimi është një lloj ndëshkimi, sepse ndikon negativisht në gjumin dhe të ushqyerit e personit. Prandaj, nëse dikush i realizon objektivat e udhëtimit, le të shpejtojë për në shtëpinë e tij.” (Buhari dhe Muslim)
Sipas hadithit, të udhëtuarit pa ndonjë objektiv, renditet tek gjërat e papëlqyeshme. Prandaj, me të realizuar qëllimin e vizitës, është mirë që njeriu të kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij.
E lusim Zotin që të na e kujtojë gjithmonë se në këtë botë, jemi në një udhëtim dhe rrugëtim drejt botës tjetër së amshuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit