Nga Genti Zotaj
Herës tjetër që do të jesh në Venecia, ose do të shikosh magjinë e saj në Google mendo që dikur, rreth viteve 1300 ka qenë ndër ekonomitë më të fuqishme në planet. Kjo falë një praktike të thjeshtë, La Colleganza, një formë bashkëpunimi mes të rinjsh me “oreks” për aventurë dhe biznesmenësh të fuqishëm që financonin udhëtimet e tyre tregtare në Azinë e largët, kundrejt ndarjes së fitimit.
Kjo formë shumë e ngjashme me Silicon Valley sot, ku investitorët “hedhin” kapital në bizneset e reja, solli zhvillimin e qytetit, por trazoi dhe ujërat për elitën, që trembeshin nga zhvillimi i konkurencës. Për të ruajtur statusin dhe privilegjet e kësaj Elite, u vendos një standard i ri për kontrollin mbi titujt e aristokracisë, duke publikuar Librin e Artë, Il Libro D’oro, një regjistër i Aristokracisë që kontrollohej nga Aristokracia dhe oligarkët e qytetit.
Ky veprim, rezultoi shkatërrues për venecianët, që e quajtën këtë lëvizje La Serrata, ose e përkthyer Bllokimi. Me kalimin e kohës, të rinjve ju pre mundësia për t’u angazhuar në biznes, duke çuar në ndalimin e La Colleganza. Në këtë mënyrë, Elita vendosi kontroll absolut mbi qytetin, duke pasur përfitime afatshkurtra, por që çuan në rrëzimin e Venecias si fuqi politike, ekonomike dhe rrjedhimisht shkatërrimin e vet familjeve elitare. Rreth vitit 1500 Venecia kishte një popullsi më të vogël se në 1300, edhe pse Europa ishte rritur. Vetëm një veprim, e shndërroi Venecian nga një superfuqi ekonomike në një atraksion turistik.
Rasti i Venecias më goditi për ngjashmërinë e asaj që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Shqipëri. Kontroll absolut nga disa, përjashtim nga gara i çdo biznesi që nuk i përket kastës se oligarkëve, që nuk po bën gjë tjetër veçse po çon në shkatërrimin e një shteti, Shqipërisë.
Sot në vendin e dytë me moshën mesatare më të re në Europe (mbas Kosovës, shtetit të dytë shqiptar), angazhimi kryesor i rinisë është emigracioni, politika ose kriminaliteti. Në qoftë se emigracioni shikohet si shpresë, politika dhe kriminaliteti konsiderohen si aktivitetet më fitimprurëse në vend dhe kombinimi i të trejave i shërben në mënyrë fantastike Elitës së re Shqiptare. Edhe pse në afatshkurtër, na duhet të ndërhyjmë për të shpëtuar ata dhe veten nga kjo sipërmarrje dritëshkurtër shtetërore.
Ashtu si shumë nga ne, edhe unë ndihem i pafuqishëm financiarisht dhe politikisht për të pasur një ndikim mbi atë çfarë po ndodh në këtë vend, por ngjarjet e para shpresëdhënëse po ndodhin dhe formula e suksesit ashtu si në rastin e Venecias është fatmirësisht e thjeshtë dhe ka aplikim praktik të menjëhershëm. Mjafton të ketë një treg transparent, garë, bashkëpunim mes bizneseve të konsoliduara dhe rinisë.
Duke qenë se gjithë karriera ime ka qenë rreth financës dhe teknologjisë, mënyrën më të lirë dhe të shpejtë që kjo të ndodhë shikoj teknologjinë. Në vizitën time të parë në Estoni, vendin me rritjen me të shpejtë ekonomike mes vendeve Nordike dhe simbol të aplikimit të teknologjisë në politikë, shëndetësi, dhe shteti ku 99,7% e veprimeve kryhen elektronikisht, më goditi historia e tyre. Pas deklarimit të pavarësisë nga bashkimi sovjetik në vitin 1991, ishte vizioni i kryeministrit të dytë pas pavarësisë Mart Laar, vetëm 32 vjeç në atë kohë, i cili mori vendimin që vendi të shkonte drejt teknologjisë. E shikonte si të vetmen rrugë, për faktin se një vend me një popullsi rreth 1 milion banorë dhe sipërfaqe shumë të shpërndarë në ishuj, rreth 2 herë sa Shqipëria do të përfundonte të kishte gjysmën e popullsisë të punësuar në administratë publike. Gjë që do të çonte në kolaps ekonomik të vendit. Kur e pyeta cilat janë ato 0.3% të dokumentave që nuk bëhen elektronikisht, përgjigja ishte: kemi dashur që disa procese simbolike si martesa, vdekja dhe divorci të mos jenë online.
E gjitha kjo rrugë, solli atë progres që Venecia pati në 1300. Sot në Estoni çdo gjë është transparente. Vendime të rëndësishme merren me referendume kombëtare që organizohen në vetëm 1 javë. Sistemi online i votimit ka kushtuar vetëm 16 mijë euro. Skype krijuar në këtë vend në vitin 2005 u shit për 2.6 miliardë dollarë. Vetëm në vitin 2011 në Estoni u hapen 14,000 kompani të reja dhe ky trend është vetëm rritës.
A mundet Shqipëria të ketë suksesin e Venecias dhe Estonisë?! Përgjigja është zhbërja e elitave kontrolluese. Hapja e tregut. Angazhimi i rinisë në ekonomi.
Shikoj tre mënyra për ta arritur këtë gjë, teknologjia, teknologjia, teknologjia.