5.6 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Djersa e ballit!

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Djersa e ballit!

Shpenzoi dhe harxhoi gjashtë vite duke ndërtuar objekte të ndryshme me kunja dhëmbësh, i frymëzuar nga  vepra arti anembanë botës. Ndër objektet që ishte dhe Qabeja në Mekë. Çdo vepër që ndërtonte i zgjaste gjashtë muaj dhe në total, kishte përdorur gjashtë milionë kunja dhëmbësh.
Dikujt mund ti duket diçka e kotë, vrasje dhe abuzim me kohën, nëse nuk e percepton drejt energjinë që buronte dhe rrezatonte tek ky gjeni.
Druvari ishte mbytur në djersë dhe mezi mbushej me frymë, teksa godiste drurët me sëpatën e tij. Në çdo goditje, fluturonin copat e prera lart në ajër. Një ditë, dikush iu afrua dhe e pyeti:”Sa fiton në ditë nga kjo punë?”
Druvari u përgjigj:”Dhjetë dollarë.”
Burri i propozoi:”Do të jap njëqind dollarë në ditë, me kusht që këto drurë të mos i godasësh nga e mprehta e sëpatës, por nga ana tjetër e saj. Thjesht dua ti shtypësh.”
I habitur, druvari e pyeti:”Po kështu druri nuk pritet kurrë!!!”
Burri iu përgjigj:”Nuk më intereson fare nëse pritet apo jo. Vetëm dua që ta godasësh me pjesën e shtypur të sëpatës.”
Druvari:”Dakord, si të thoni ju.” dhe menjëherë ia nisi punës. Por… shumë shpejt ndjeu se po bënte diçka pa vlerë, diçka koti. Pasi u orvat dhe pak, i hodhi njëqind dollarët në fytyrën e burrit që i kishte propozuar dhe i tha:”Merri se nuk më hyjnë në punë!” Mandej, iu kthye punës së tij të përditshme.
Burri e pyeti për arsyen dhe druvari iu përgjigj:”Unë ndjej ekzaltim dhe kënaqësi kur i shoh copat e drurit të fluturojnë në ajër. Ndjej kënaqësi kur sëpata ime ngulet thellë e më thellë në drurin e madh. Kur arrij ta rrëzoj dhe ta ndaj më dysh drurin, përjetoj ndjenja kënaqësie që s’ta përshkruaj dot. Ndjej se arrita të bëj diçka.”
A u ka rastisur ta ndjeni diferencën mes një gote çaji të përgatitur nga vetë ju dhe një gote tjetër të blerë në kafene?
A e keni ndjerë dallimin në shije, mes një molle të blerë në treg dhe një tjetre të këputur vetë nga dega? Po sikur ta kishit mbjellë vetë këtë pemë, ta kishit vaditur dhe përkujdesur për të derisa të kishte hyrë në prodhim?
Rrobat më të dashura tonat janë ato që i kemi qëndisur me duart tona.
Të mbështetesh në forcat e tua në larjen e rrobave, hekurosjen dhe mirëmbajtjen e tyre, është një e mirë që i bën vetes.
A e keni parë Bill Gates me fëmijët e tij? Ai është ndër njerëzit më të pasur, megjithatë e refuzon jetën e shfrenuar dhe me harxhime të tepërta. Ai i edukon fëmijët duke u thënë se puna është e rëndësishme, madje e shenjtë, se vetëm kështu mund të plotësohet rrugëtimi i nisur prej tij.
Një nga mbretërit e Kinës, kishte zgjedhur një dënim të çuditshëm për armiqtë e tij. Ai i detyronte të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre, duke u vënë dhe shërbëtorë që u shërbenin dhe u plotësonin nevojat. Ajo që ndodhte, ishte se shumë shpejt, armiqtë plogështoheshin, sëmureshin dhe vdisnin.
Njeriu është një krijesë plot energji të brendshme për të punuar dhe korrur arritje.
Ai dëshiron të ushqehet, e nëse gjen ushqim të mirë e han, në të kundërt mjaftohet me çfarë të gjejë.
Ai dëshiron të pijë, nëse gjen diçka të pastër dhe të kulluar e pi, në të kundërt pi dhe ujin e turbullt.
Ai dëshiron të punojë, nëse gjen një punë e cila i rrit vlerësimin për veten dhe është e dobishme për shoqërinë, e bën me qejf dhe derdh të gjithë talentin e tij. Në të kundërt, pranon çfarëdo lloj pune.
Kufizimi është dënim.
Shpesh herë, dëgjojmë të thuhet për dikë: Atë se mban  toka.
Kur fëmija është harakat i madh dhe lëviz sa lart poshtë, familjarët i thonë: Si s’qëndron pa lëvizur një sekondë ky fëmijë more aman?!
Në fakt, ata po kërkojnë diçka të pamundur! E si mund të qëndrojë pa lëvizur një organizëm të cilin Zoti e ka pajisur me dinamikë?!
Lëvizja dhe dinamika është reagim normal i energjive të brendshme. Në të njëjtën kohë, ajo është produkt që i jep kuptim jetës dhe përforcon rëndësinë e njeriut.
Kur regjimet politike apo rregullat sociale e kufizojnë këtë energji, prodhohen njerëz të shpërfytyruar, që kanë humbur rrezatimin e tyre human, fisnikërinë dhe karakteristikën e iniciativës. Në fakt, më shumë se njerëz, ato prodhojnë instrumente të ngjashëm me njëri-tjetrin, por pa gojë dhe pa veshë, në të shumtën e rasteve as nuk kuptojnë dhe as kuptohen.
Detyra e regjimeve dhe sistemeve politike është të organizojnë jetën, jo të mos i lejojnë njerëzit ta jetojnë atë.
Ta privosh qytetarin nga puna, kreativiteti, novatorizmi, vullnetarizmi dhe pjesëmarrja, do të thotë të çosh dëm një pjesë themeltare të humanizmit të tij.
Që të jesh i gjallë me gjithë kuptimin që rrok kjo fjalë, duhet të plotësosh tre kritere:
1 – Të kesh diçka me të cilën merresh.
2 – Diçka që e dashuron.
3 – Diçka që e shpreson.
Kur punojmë dhe lodhemi, e dashurojmë jetën dhe ajo na dashuron.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit