0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

DITURIA E (Ç)SISTEMATIZUAR – Dr. Muhamed Broja

Më të lexuarat

E përcolli të birin e vogël deri te dera e shkollës me sy të përlotur. Dalëngadalë, më në fund, ëndërrat për të po bëheshin realitet. Shpresonte që i biri, i cili sapo kishte hyrë në klasën e parë, një ditë do të bëhej kirurg me renome apo matematicient i shquar. Por, me kalimin e ditëve, megjithë zgjuarsinë e madhe që posedonte, i biri nuk po përparonte në mësime dhe shpeshherë rrinte si i hutuar në shtëpi, ngaqë nuk mund t’i kuptonte detyrat e matematikës dhe të gjuhës shqipe. Diçka nuk po shkonte mirë me mësimet e tij. Pasi që bëri një inspektim në mësimet e dhëna nga mësuesi, babai u shokua.
Vërejti se mësuesi e kishte përdorur këtë renditje në mësimdhënien e matematikës:
1. Numri 5
2. Kotangjetja (në trigonometri)
3. Rrënja katrore
4. Pjesëtimi i thyesave
5. Numri Pi
6. Shumëzimi i numrave
7. Vëllimi i konit
8. Ekuacionet me një të panjohur
9. Numrat dyshifrorë
10. Integralet.
Ndërsa mësimdhënien e gjuhës shqipe e kishte ngatërruar edhe më shumë duke ndjekur këtë renditje:
1. Shkronja A
2. Drejtshkrimi i zanores ë

3. Diateza pësore
4. Përemri pronor
5. Përcaktori kallzuesor
6. Zanoret dhe bashkëtingëlloret
7. Rasa dhanore
8. togfjalëshi
9. Shumësat e parregullt
10. Ndajfolja
Dikush mund ta fillonte tregimin e ngjarjes së mësipërme me fjalët: “Le të supozojmë se një mësues….”.
Qëllimi me këtë shembull hipotetik që kam përdor këtu edhe pse nuk është ngjarje e vërtetë, është të vë në pah rrezikun e marrjes së dijes në mënyrë të ngatërruar dhe të çsistematizuar.
Kjo nuk është specifike për dijet në fjalë por vlen për të gjitha dijet e edhe për ato fetare.
Le ta paramendojmë dikë, i cili duke dëgjuar videot short e përfiton dijen fetare në një renditje siç e kishte përdorur mësuesi në shembullin hipotetik.
Shumë fetarë janë përudhur në fe qe një kohë e gjatë. Por, me një testim të thjeshtë vërejmë se përparimi i tyre në dijet fetare nuk është edhe aq i madh. Ende nuk kanë arritur ta kalojnë klasën e parë. Çdoherë kur vjen stina e dimrit përsëriten pyetjet e njëjta që kanë të bëjnë me mestet. Shpeshherë pyetemi rreth distancës kur lejohet shkurtimi i namazeve dhe bashkimi i tyre.
Madje, mund të hasësh të atillë që ende nuk dinë të lexojnë Kuran megjithë dekadat e kaluara në Islam. Ndoshta mund të gjesh dikë që flet për çështje madhore, ndërsa ende nuk i din mirë rregullat e abdesit.
Rreziku më i madh qëndron me gjeneratat e reja të përudhura në fe. Zbehja e pjesmarrjes në derse që organizohen nëpër xhamia dhe preokupimi i tepërt me rrjetet sociale mund të shkakton çorientim në nxënien e dijes.
Marrja e dijes, sidomos ajo e besimit (akides) dhe fikhut në mënyrë të sistematizuar është garancë për moskeqkuptimin e fesë dhe dhënies përparësi prioriteteve.
Dëgjimi në vazhdimësi i ngjarjeve e tregimeve të artikuluara me art dhe emocione nga dikush, megjithë rëndësinë e tyre në disa raste, nuk prodhon dije të mirëfilltë. Jo çdo gjë që na servohet në rrjetet sociale duhet të jetë prioriteti ynë në nxënien e diturisë, edhe pse në to mund të ketë mësime e dobi fetare të shumta.
Nuk kërkohet nga të gjithë të bëhen hoxhallarë, por duhet që dijet elementare të fikhut dhe akides t’i marrim në mënyrë të sistematizuar, kapitull pas kapitulli. Kështu do të jemi në gjendje t’u bëjmë ballë stuhive të dyshimeve dhe dhe t’i tejkalojmë pyetjet e njëjta që përsëriten vazhdimisht. Ka ardhur koha t’i mësojmë njëherë e mirë gjërat elementare të fesë, sikurse sehvi sexhdeja, çka e prish abdesin, kur obligohet guslli etj.

Shkroi: dr. Muhamed Broja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit