1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ditë të numëruara

Më të lexuarat

Ndër kuptimet e tjera që janë përmendur nëpër tekste fetare për muajin Ramazan, është edhe ai që mund t’i referohemi si: Ditë të numëruara

Disa karakteristika të Ramazanit, që Allahu i Lartësuar i përmend në Kuran, muslimanit i japin ndjenja të përziera. Është një lëmsh ndjenjash i përzier me pasion, vëmendje dhe përdëllim për fundin që vjen shpejt. Allahu i Madhërishëm, për muajin Ramazan thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Ditë të numëruara…”. (Bekare, 183–184)

Përse Allahu thotë këtu: “Ditë të numëruara”? Kuptohet, me termin “ditë të numëruara”, fjala është për muajin Ramazan. Ajeti është i qartë. Nuk është fjala për ditët e mbetura që janë përmendur në dispozitat e anuluara. Me “ditë të numëruara”, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, nënkuptohet vetë muaji Ramazan.

Kur përmendet numri, kuptohet se një gjë është e caktuar apo e kufizuar. Por kur Allahu Dijeplotë thotë për Ramazanin: “Ditë të numëruara.”, kuptohet se përveç faktit që është i kufizuar dhe i caktuar, ai ka edhe një kuptim shtesë për të cilin aludon konteksti; pra, qëllimi është pakësimi. “Ditë të numëruara”, d.m.th. “pak ditë”. Në një ajet tjetër thuhet: “Ata e shitën Jusufin me një çmim të ulët, për pak grosh…” (Jusuf, 20). Këtu, ajeti nuk ka kuptimin “e shitën për një sasi të numëruar ose të caktuar groshësh ”, por “për një sasi të vogël të tyre”.

Përse është përzgjedhur fjala “të numëruara” për të aluduar sasinë e paktë? Është zgjedhur kjo fjalë për shkak se gjërat e pakta janë ato që numërohen, kurse gjërat në sasi të madhe nuk numërohen, por llogariten si tërësi.

Kurani tregon se muaji Ramazan është me ditë të numëruara. Duke qenë kështu, muslimani e kupton domosdoshmërinë e interesimit për çdo çast të këtij muaji, ngase ai zgjat vetëm për disa ditë të numëruara. Vlera e madhe e tij është e kufizuar brenda atyre ditëve.

Ndër kuptimet e tjera të muajit Ramazan, që janë përmendur nëpër tekste fetare, është edhe:
Lidhja ndërmjet vlerës së veprës dhe kohës
Islami ka pesë shtylla, katër nga të cilat janë: namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi. Përse Allahu i Lartësuar ka zgjedhur që shtylla e agjërimit të përmbushet në Ramazan? Përse të mos përmbushet në një muaj tjetër?

Allahu Dijeplotë i ka privilegjuar kohët e veçanta nëpërmjet agjërimit. Rrjedhimisht, koha privilegjohet me agjërim, e agjërimit i rritet shpërblimi për shkak të privilegjit të kohës. Kjo ka shembuj të shumtë brenda fesë. Pra, ka një lidhje ndërmjet privilegjit të agjërimit dhe atij të kohës, që në këtë rast është Ramazani.

Si shembull të kësaj mund të përmendim: dita kur ka lindur Pejgamberi ﷺ është ditë me vlerë më vete; dita kur i Dërguari ﷺ u zgjodh pejgamber, është kohë me vlerë më vete. Në sahihun e imam Muslimit përcillet hadithi i Ebu Katade Ensariut, në të cilin thuhet se Pejgamberi ﷺ u pyet njëherë rreth agjërimit të ditës së hënë. Si u përgjigj ai?
Ai tha: “Ajo është dita kur kam lindur dhe dita kur jam zgjedhur pejgamber; ose “dita kur më ka ardhur shpallja për herë të parë.” Pra, kur Pejgamberi ﷺ u pyet për agjërimin e ditës së hënë, — siç përmendet në sahihun e Muslimit, — ai përmendi një rast të veçantë: ditën e lindjes së tij dhe ditën kur u zgjodh pejgamber, apo kur i zbriti Kurani. Ku ka nder dhe privilegj më të madh sesa ky?

Begatimi i krijesave me lindjen e diellit të mesazhit islam, është mirësia më e madhe. Edhe kodrat janë krenuar me këtë shpallje madhështore. Njerëzit kanë nevojë për mesazhin që solli Muhamedi më shumë se ç’kanë nevojë për ushqim, pije, frymëmarrje, dritë e gjithçka tjetër. Shikoni se si agjërimi është gjëja më e qëlluar për privilegjimin e kësaj kohe! Kur Pejgamberi ﷺ u pyet për agjërimin e ditës së hënë, ai tha: “Ajo është dita kur jam zgjedhur pejgamber.”

Nga shembujt e këtillë është edhe dita e Ashurasë. Kjo ditë është e veçantë, siç përmendet në dy sahihët nga hadithi i Ibn Abasit. Sipas versionit të Muslimit, në hadith thuhet: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, ai i gjeti hebrejtë duke agjëruar ditën e Ashurasë. Ai ﷺ i pyeti: ‘Çfarë është kjo ditë që po agjëroni?’ Ata u përgjigjën: ‘Kjo është dita kur Allahu shpëtoi Musain e popullin e tij, dhe kur fundosi faraonin e popullin e tij. Musai e agjëroi këtë ditë në shenjë falënderimi, ndaj e agjërojmë edhe ne.’ Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: ‘Ne jemi më meritorë dhe më të afërt me Musain sesa ju.’ Kështu, ai ﷺ e agjëroi dhe porositi që ajo ditë të agjërohet.”

Dita e Ashurasë ishte e veçantë, pasi në të ndodhi një mirësi prej Allahut, ndaj dhe Musai e agjëroi atë në shenjë falënderimi. Njëlloj e agjëroi edhe Pejgamberi ﷺ në shenjë falënderimi. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se kohën e veçantë, Allahu e privilegjon me agjërim; njëkohësisht, agjërimi fiton privilegj për shkak të kohës së veçantë.

Këto ishin disa nga kuptimet dhe meditimet e Ramazanit. Ky ishte takimi i parë në të cilin folëm për “Konceptet e Ramazanit”.

Lusim Allahun të na i gëzojë zemrat tona me përjetimin e hënës së Ramazanit, të na privilegjojë me agjërim gjatë ditës dhe të na lëshojë mëshirën e Tij në namaz gjatë netëve të Ramazanit.

E lusim Allahun që të na mundësojë të kalojmë çdo çast të këtij muaji fisnik në shoqërinë e ajeteve të Librit të Tij.

Mëshira, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin, Pejgamberin tonë, mbi familjen dhe shokët e tij!

#Ibrahim_Sekrani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit