Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) përmes një aksioni rrugor sot për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme, i rikujtoi shoqërisë si dhe institucioneve që çështja e personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur dhe familjarët e të pagjeturve dhe shoqëria kosovare vazhdojnë të përballen me mohimin e të drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.
Me slloganin ’22 vite ende në pritje’ përmes 22 siluetave të vendosura në sheshin Ibrahim Rugova YIHR KS simbolikisht shfaqi pritjen përgjatë 22 viteve të personave të pagjetur si dhe për angazhim dhe përkushtim nga Qeveria e Kosovës për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS)) është themeluar në vitin 2004.
Për më tepër se 17 vite, YIHR KS promovon, mbron dhe avokon për të drejtat e njeriut, proceset e ballafaqimit me të kaluarën, sundimin e ligjit dhe vlerat qytetare si parime fundamentale për një shoqëri të lirë, të përgjegjshme dhe progresive, demokratike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.