-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dita e thirrjes

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Dita e thirrjes

Emrat e Ditës së Kiametit përmenden në Kuran dhe janë të shumtë dhe çdo emër, përcjell një domethënie të caktuar. Disa nga këto emra janë: Dita e Dridhjes së madhe, Dita e Tubimit, Dita e së Vërtetës së pashmangshme, Dita e Paraqitjes para Zotit, Dita e Ringjalljes etj…
Në fakt, unë nuk do të flas për asnjë nga këto emra që lart përmenda. Unë do të flas për një emër tjetër, i cili duket paksa i çuditshëm. Sa herë që e lexoja, habitesha dhe pyesja veten: Përse Dita e Kiametit është quajtur dhe me këtë emër? Kjo habi u shua, pasi grumbullova të gjithë ajetet dhe hadithet që flasin mbi këtë emër. Ky emër, është “Dita e Thirrjes”.
Ata Ditë do të dëgjohen zëra dhe thirrje që vijnë nga çdo anë dhe cep. Atë Ditë, njerëzit do të thërrasin njëri-tjetrin, melekët thërrasin njerëzit dhe vetë Zoti do i thërrasë të gjithë njerëzit.
Ky emër, Dita e Thirrjes, përmendet për herë të parë në Kuran, në suren Gafir. Ku besimtari që jetonte mes familjes së Faraonit, u druajt për pasojat që mund të binin mbi popullin e Faraonit. Edhe pse ishin idhujtarë dhe jobesimtarë, ai frikësohej se mos përfundonin në zjarr të xhehenemit. Ai shpresonte dhe uronte që ata të besojnë në Zotin dhe të shpëtojnë nga ndëshkimi. Për këtë, ai i kërcënoi dhe i paralajmëroi duke u përmendur Ditën e Thirrjes. Ai u tha:”
“O populli im, unë i druhem vërtet Ditës, kur do të thërrisni njëri-tjetrin, Ditës kur, nga frika do të ikni prapa, pa pasur askënd që t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut.” (Gafir, 32-33)
 
Forma thirrjeje
Në rreshtat e mëposhtëm, do të përmendim disa forma dhe kategori njerëzish që do të thërrasin të tjerët atë Ditë. Këtë e bëjmë me qëllim që ti lexues i dashur, ta shohësh veten se cilës kategori i përket.
Thirrja e parë, është ajo e fryrjes së bririt (sur). Thotë Zoti në Kuranin famëlartë rreth këtij fakti:”Dhe Ditën, kur të fryhet në Sur, do të tmerrohet çdokush që gjendet në qiej e në Tokë, përveç atyre që Allahu nuk dëshiron t’i frikësojë. Të gjithë do t’i vijnë Atij të përulur.” (Neml, 87)
Thotë Profeti a.s në një hadith rreth kësaj Dite:”Si të jem i qetë, ndërkohë që meleku përgjegjës për bririn (Israfili), e ka kapur atë në dorë, ka ulur ballin, ka hapur veshët dhe pret kur të urdhërohet që t’i fryjë bririt.”
Pra, thirrja e parë do të përbëhet nga fryrja në Sur (bri).
Nëse kjo thirrje dhe fryrje e bririt do të tmerrojë dhe tkurrë malet, fushat e kodrat, vallë çfarë impakti do të lërë tek njeriu? Nëse foshnjat do të thinjen nga fryrja në bri, vallë çfarë mund të na ngjasë ne të tjerëve?
Vetëm katër melekë, do të përjashtohen nga tmerri dhe paniku që zë krijesat nga fryrja e bririt. Gjithçka tjetër përveç tyre, është i destinuar të zhduket nga ekzistenca. Tashmë nuk ekziston gjë me emrin qiell, nuk ka më ajër dhe oksigjen, nuk ka më yje dhe planetë, nuk ka më male dhe ujë. I vetmi që ekziston është Allahu i madhëruar dhe katër melekët Xhibrili a.s, Israfili, Mikaili dhe meleku i vdekjes.  
Pasi të kenë vdekur të gjithë, Zoti do e pyesë melekun e vdekjes:”O meleku i vdekjes, kush ka mbetur gjallë?” Meleku i vdekjes do të përgjigjet:”Ka mbetur robi Yt Xhibrili, Mikaili, Israfili dhe unë meleku i vdekjes”.
Zoti do i thotë melekut të vdekje: “O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Xhibrilit”. Dhë kështu i merret shpirti Xhibrilit.
Zoti e pyet më pas përsëri: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani?”
Meleku i përgjigjet: “Ka mbetur Israfili, Mikaili dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”.
“O meleku i vdekjes – do i thërrasë Zoti- merre shpirtin e Israfilit”. Dhe i merret shpirti Israfilit.
Më pas pyet Zoti: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur”?
“Ka mbetur Mikaili dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”- do i përgjigjet.
“O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Mikailit”- do e urdhërojë Zoti. Dhe kështu do i merret shpirti.
Përsëri Zoti do pyesë: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani”? “Unë robi Yt o Zot, meleku i vdekjes”.
“O meleku i vdekjes – do urdhërojë Zoti – merre shpirtin e melekut të vdekjes”. Kështu meleku i vdekjes e merr shpirtin e tij. Më pas Zoti do të thërrasë:
 “Kujt i takon sundimi sot? Kujt i takon sundimi sot”?
Ku janë mbretërit? Ku janë tiranët? Ku janë njerëzit e mëdhenj? Ku janë faraonët? Ku janë gafilat? Ku janë gjynahqarët? Ku janë mendjemëdhenjtë? Ku janë kryeneçët? A i ke të qarta tashmë cilësitë e Zotit si “I pari, I fundit?”
Pyetjes së mësipërme, askush nuk do të përgjigjet, pasi askush nuk jeton më. Nëse do të kishte male, do i përgjigjeshin, nëse do të kishte ajër do të përgjigje, nëse do të ekzistonte diçka do të përgjigjej.
Zoti i madhëruar do të thërrasë:”Kujt i përket pushteti i asaj dite?” (Gafir, 16)
Thotë Profeti a.s:”Kjo pyetje do të përsëritet për dyzet.”
Se çfarë janë ato dyzetë, ditë, muaj apo vite, nuk dihet. Profeti a.s nuk e tregon këtë, pasi tashmë nuk më rëndësi koncepti kohë. Pasi të zhduket gjithçka, koncepti kohë nuk vlen më.
Ai që do i përgjigjet kësaj pyetje, do të jetë vetë Zoti që e shtroi më parë. Thotë Zoti në Kuran, si përgjigje të kësaj pyetjeje:”
Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!
“Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari.” (Gafir, 16-17)
Thirrja e dytë do u drejtohet të gjithë atyre njerëzve të cilët kanë dashur dikë tjetër më shumë se Zotin dhe Krijuesin e tyre. Kjo thirrje do u drejtohet atyre djemve të cilët lidhen me vajza dhe i duan ato më shumë se Zotin. Ajo u drejtohet atyre vajzave të cilat e konsiderojnë modën si gjënë më të shtrenjtë të tyren. Ajo i drejtohet të gjithë atyre që pasurinë, punën dhe materialen e kanë më të rëndësishme se Zotin. Ata njerëz që jepen pas diçkaje më shumë se ç’jepen pas Zotit dhe fesë së Tij, do të lodhen dhe do të vuajnë këtë ditë. Thotë Zoti në Kuran, rreth kësaj dite:
“Atë Ditë, Allahu do t’i thërrasë ata dhe do t’u thotë: “Ku janë ata për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Mi?!” Ata që kanë merituar dënimin Tonë, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë ata, që ne i çuam në rrugë të shtrembër. Ne i çuam ata në rrugë të shtrembër, ashtu siç shkuam edhe vetë në atë rrugë. Ne deklarohemi të pafajshëm para Teje; ata nuk na kanë adhuruar ne”. Atyre do t’u thuhet: “Thirrni hyjnitë tuaja!” – dhe ata do t’i thërrasin ato, por nuk do të marrin asnjë përgjigje. Ata do të shohin dënimin dhe do të dëshirojnë që të kishin qenë në rrugën e drejtë!” (Kasas, 62-64)
Thotë Profeti a.s:”Atë ditë, do të thërrasë një zë:”çdo njeri, të qëndrojë para atij që ka adhuruar në dynja.”
Ata që kanë adhuruar shejtanin, do të rreshtohen dhe tubohen para tij. Ata që kanë adhuruar femrën dhe epshet, do të qëndrojnë para tyre. Ato vajza që kanë adhuruar modën, do të qëndrojnë para disa rrobave të stiluara në një mënyrë të caktuar.
A keni menduar ndonjëherë se para kujt do të qëndroni atë Ditë? A ke menduar se para kujt do të qëndrosh atë ditë o vëlla dhe oj motër?
“Atyre do t’u thuhet: “Thirrni hyjnitë tuaja!” – dhe ata do t’i thërrasin ato, por nuk do të marrin asnjë përgjigje.”
Atë ditë, njerëzit që kanë adhuruar dikë tjetër përveç Zotit, do të thërrasin idhujt e tyre. Ata që kanë adhuruar pasurinë, do të thërrasin të hollat. Ata djem që kanë pasur marrëdhënie jashtëmartesore me vajzat e shkollë apo punës, do fillojnë t’i thërrasin ato. Ata që kanë konsumuar drogën dhe alkoolin, do të thërrasin pikërisht këto substanca të dëmshme. Atë Ditë, do të ketë edhe vajza dhe djem, të cilët nuk dinë kë të thërrasin. Ata kanë qenë të lidhur në këtë botë me botën e filmave, këngëve dhe muzikës, lojërave dhe dëfrimit etj… Kështu, nuk dinë kë të thërrasin.
“Atë Ditë, Allahu do t’i thërrasë ata dhe do t’u thotë: “Ku janë ata për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Mi?!” Ata që kanë merituar dënimin Tonë, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë ata, që ne i çuam në rrugë të shtrembër. Ne i çuam ata në rrugë të shtrembër, ashtu siç shkuam edhe vetë në atë rrugë. Ne deklarohemi të pafajshëm para Teje; ata nuk na kanë adhuruar ne”. Atyre do t’u thuhet: “Thirrni hyjnitë tuaja!” – dhe ata do t’i thërrasin ato, por nuk do të marrin asnjë përgjigje. Ata do të shohin dënimin dhe do të dëshirojnë që të kishin qenë në rrugën e drejtë!” (Kasas, 62-64)
Atë Ditë, ata shprehin dëshirë të kishin jetuar në rrugë të drejtë.
Ndërkohë që të gjithë njerëzit qëndrojnë para idhujve që kanë adhuruar në këtë botë, një kategori njerëzish qëndrojnë mënjanë, pa u përzier me njerëzit e tjerë. Ata janë profetët dhe të dërguarit e Zotit.
Thirrja e tretë do të jetë ajo e Zotit, drejtuar mbarë njerëzimit:
“Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ç’përgjigje iu dhatë të dërguarve? Atë ditë, argumentet e tyre do t’u ngatërrohen e ata nuk do të mund të pyesin njëri – tjetrin.” (Kasas, 65)
Si do i përgjigjesh Zotit o vëlla dhe oj motër, kur t’ju pyesë: Si i je përgjigjur mesazhit të Muhamedit a.s? A e di sa është lodhur profeti Muhamed a.s, me qëllim që ti të jetoje si mysliman? A e di sa ka sakrifikuar për këtë objektiv?
Duke qenë se njerëzit nuk do të dinë si të përgjigjen, këtë pyetje Zoti do ua drejtojë vetë profetëve dhe të dërguarve të Tij:”Një ditë Allahu do t’i tubojë të dërguarit e do t’u thotë: “Si ju janë përgjigjur?” E çuditshme se edhe profetët do të përgjigjen:”Ata do të thonë:“Ne s’kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha fshehtësitë” (Maide, 109)
Thirrja e katërt, është e dikujt që sillet Ditën e Kiametit i shoqëruar nga një melek që e mban për qafe dhe një tjetër që lexon në regjistrin e veprave të tij. Kjo thirrje është e veçantë, pasi i drejtohet çdo njeriu. A e imagjinon dot veten oj motër, e kapur për qafe nga meleku, ndërkohë që një tjetër të lexon veprat e tua, të cilat i dëgjon i gjithë njerëzimi? Thotë Zoti i madhëruar rreth këtij fakti:
“Çdo shpirt do të vijë i shoqëruar me një (engjëll) grahës dhe një (engjëll) dëshmitar. (Mohuesit do t’i thuhet): “Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.” E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: “Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati”. (Do t’u thuhet:) “Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç, pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe); çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!” E, shoku i tij (djall) do të thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”. Atyre (Allahu) do t’u thotë: “Mos u grindni para Meje, Unë ju kam paralajmëruar me kohë. Fjala ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi”. Atë Ditë Ne do ta pyesim Xhehenemin: “A u mbushe?” e ai do të përgjigjet: “A ka edhe më?” (Kaf, 21-30)
Të gjithë këto fjalë dhe biseda, ndërkohë që ti nuk ke të drejtë të flasësh. Në këtë fragment, flet meleku që ka regjistruar gjithçka ke punuar dhe vepruar në dynja. Aty flet Zoti që urdhëron që:
“Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç, pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe); çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!”
Ashtu siç flet dhe djalli i tij shoqërues, i cili thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”.
Kurse Zoti u përgjigjet të gjithëve:“Mos u grindni para Meje, Unë ju kam paralajmëruar me kohë. Fjala ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi”.
Një bisedë e shkurtër zhvillohet edhe me vetë zjarrin e xhehenemit, të cilit i thuhet pasi të jenë hedhur brenda tij gjynahqarët:“A u mbushe?” Kurse vetë xhehenemi përgjigjet:“A ka edhe më?”
Umer ibnul Hattabi, sa herë që lexonte këtë ajet thoshte:”O Zot! Unë kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos jem nga shtesa e zjarrit të xhehenemit!”
Ata njerëz që do të hyjnë tek shtesa që do i përfshijë zjarri i xhehenemit, janë ata që i kanë shpëtuar valës së parë. Janë ata që jetën e tyre në këtë botë, e kaluan herë me vepra të mira dhe herë të tjera me gjynahe. Nëse do e kishe mposhtur veten dhe t’i kishe rezistuar gjynaheve, do të shpëtoje nga zjarri i xhehenemit dhe dënimi i tij. Ato çaste do të dëgjosh  thirrjet plot vuajtje, dëshpërim dhe hidhërim të banorëve të zjarrit. Ato çaste, do të shohësh që të gjithë njerëzit që të njihnin në dynja, distancohen prej teje dhe veprave të tua. Ato çaste dëgjon urdhrin e Zotit:
“Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç, pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe); çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!”
Nëse në këto çaste, ngjarje të tilla të duken si të pamundura dhe larg realitetit, të jesh i sigurtë se ato do të ndodhin me të gjithë detajet e lartpërmendura. Një nga cilësitë e njerëzve të devotshëm, është se “besojnë në të fshehtën” (Bekare, 3)
Nëse do të vazhdosh të jesh indiferent dhe i shkujdesur, edhe pas kësaj teme, dije se i tillë do të vazhdosh derisa të vdesësh. Thotë Profeti a.s:”Njerëzit janë në gjumë dhe me të vdekur, zgjohen nga gjumi.”
Një thirrje tjetër, është ajo mes banorëve të Xhenetit dhe banorëve të zjarrit. Thotë Zoti në Kuran:
“Dhe banorët e Xhenetit do t’u thonë banorëve të zjarrit:“Ne e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po!” Atëherë, një lajmëtar midis tyre do të thërrasë: “Mallkimi i Allahut është mbi keqbërësit.” (Araf, 44)
Një zë do të thërrasë banorët e xhenetit:”O banorë të xhenetit! Shikoni!” Në çast, atyre do u shfaqet përpara një dash i majmë. Zëri do i pyesë:”A e dini çfarë është ky?” Banorët e xhenetit do të përgjigjen:”Po. Ky është vdekja.” Zëri u drejtohet banorëve të zjarrit:”O banorë të zjarrit! A e dini çfarë është ky?” Ata përgjigjen:”Po. Ky është vdekja.” Atëherë në çast, dashi (vdekja) do të therret dhe do të thërrasë një zë:”O banorë të xhenetit! Jetoni në përjetësi pa vdekje! O banorë të zjarrit! Jetoni në përjetësi pa vdekje!”
“Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit:“Derdhni pak ujë te ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar Allahu!” Ata thonë:“Në të vërtetë, Allahu këto i ka ndaluar për mohuesit.” (Araf, 50)
Një thirrje tjetër, është ajo që banorët e zjarrit i drejtojnë rojtarëve të xhehenemit. Pasi të ketë kaluar një kohë e konsiderueshme në zjarr dhe pasi të jenë shndërruar në qymyr, ata do të thonë:”Dhe ata që gjenden në zjarr, do t’u thonë rojtarëve të Xhehenemit:“Lutuni Zotit tuaj që të na lehtësojë dënimin, qoftë dhe një ditë! Kërkesa e tyre është shumë e thjeshtë. Ata nuk duan të dalin përfundimisht nga zjarri i xhehenemit. Jo. Ata vetëm duan që dënimi t’ju lehtësohet qoftë dhe një ditë. A ka ndonjë që ia uron vetes një vend të tillë? A ka ndonjë që ia dëshiron vetes të jetë me banorët e zjarrit?
“Ata do të përgjigjen: “Vallë, a nuk ju kanë sjellë të dërguarit tuaj prova të qarta?” – A nuk e dëgjuat filan hoxhë që u këshilloi gjatë një varrimi? A nuk e dëgjuat filan kasetë, filan ligjëratë dhe emision televiziv?
Ata do të thonë: “Po, është vërtetë”. Do t’u thuhet: “Atëherë thërrisni për ndihmë!” Por thirrjet e tyre do të jenë të kota.” (Gafir, 49-50)
Duke parë se rojtarët e xhehenemit nuk u ofruan asnjë ndihmë, banorët e zjarrit do i drejtohen përgjegjësit kryesor të rojeve të xhehenemit, emri i të cilit është Malik.
“Ata do të thërrasin: “O Malik! (Më mirë) Le të na vdesë Zoti yt!”, ndërsa Ai do të thotë: “Ju do të qëndroni përherë aty!” (Zuhruf, 77)
Ata kërkojnë që të vdesin përfundimisht dhe të mos i ndjejnë më dhimbjet dhe vuajtjet që u shkakton zjarri.
Duke mos marrë asnjë përgjigje nga Malik, ata do i drejtohen vetes me fjalët:
“Ata do të thonë: “O Zoti ynë, neve na mposhti e keqja (tekat dhe dëshira) jonë dhe ishim një popull i humbur. O Zoti ynë, nxirrna prej Xhehenemit e, nëse kthehemi prapë tek e keqja, atëherë jemi keqbërës të vërtetë.” Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!”
Këtu, ata humbasin çdo shpresë për shpëtim. A do të doje që fjalët e mësipërme t’i drejtoheshin djalit apo vajzës tënde?
Mes robërve të Mi, ishte një grup i cili thoshte: “O Zoti ynë, ne kemi besuar, andaj na fal dhe na mëshiro! Ti je më i miri i mëshiruesve! Por ju (o jobesimtarë) i keni tallur ata (aq shumë), sa ju bënë të më harronit Mua së përmenduri, e përherë i përqeshnit ata. Unë i kam shpërblyer ata sot për durimin e tyre e ata, me të vërtetë, janë të shpëtuar.” (Muminun, 105-111)
Një thirrje tjetër do të jetë kur njerëzve t’u jepen regjistrat e veprave në dorën e djathtë ose të majtë. Atë Ditë, ti nuk e ke në dorë ta kontrollosh dorën me të cilën dëshiron të marrësh librin. Ose do e marrësh në dorën e djathtë, gjë e cila është sihariqi më i mirë, ose do e marrësh me dorën e majtë. Ka njerëz, që do e marrin librin pas shpine. Kjo, sepse ata e fshihnin dorën e majtë pas shpine me qëllim që të mos e marrin librin me dorën e majtë. Por libri do u shkojë pas shpine dhe do të qëndrojë tek dora e majtë.
Thotë Zoti në Kuran:”Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht të lartë, frutat e të cilit do t’i kapë lehtë. (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” (Hakka, 19-24)
Ai që do e marrë librin nga dora e djathtë, do të gëzohet pa masë dhe do u thërrasë të gjithë njerëzve që t’a shohin dhe ta përjetojnë këtë moment. Ai thërret me të madhe nga gëzimi dhe lumturia.
Kurse lidhur me atë që do e marrë librin e veprave me të majtën, Kurani thotë:
“Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga, pastaj digjeni në zjarrin përvëlues, mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutësh, sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në Allahun e Madhërishëm dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë. Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt e as ushqim tjetër, përveç qelbit, të cilin e hanë vetëm gjynahqarët.” (Hakka, 25-37)
Ndërkohë që shejtani ka marrë pasuesit e tij dhe ka përfunduar në zjarr të xhehenemit, ndërkohë që njerëz të tjerë luten për shkatërrim total:”E kur të hidhen në një vend të ngushtë të tij, të lidhur duarsh, do të luten për shkatërrimin (e vet).  “Mos e kërkoni sot shkatërrimin vetëm një herë, por kërkojeni shumë herë!” (Furkan, 13-14), ndërkohë që shumë njerëzve nuk u intereson veçse vetja e tyre, ndërkohë që të tjerë mjerohen dhe hidhërohen, një kategori e konsiderueshme njerëzish do të kenë privilegjin të shijojnë një thirrje të një lloji të ndryshëm.
Thirrja e fundit me të cilën duam ta mbyllim këtë temë, është thirrja e Zotit, e cila u drejtohet banorëve të xhenetit. Zoti do të thërrasë:”O banorët e xhenetit, a jeni të kënaqur? Ata do të thonë:”Si të mos jemi të kënaqur kur na e ke zbardhur fytyrën, na ke futur në xhenet dhe na ke shpëtuar nga zjarri?!” Zoti do u thotë:” O banorët e xheneti! Ka mbetur dhe diçka tjetër.” Banorët do e pyesin:” Cila është ajo o Zot?” Zoti u përgjigjet:” Të kënaqem me ju dhe të mos zemërohem me ju kurrë më.”
Më pas, Zoti u thotë:”O banorë të xhenetit! Sot është dita e shpërblimit, prandaj më kërkoni ç’të doni.”
Atëherë të gjithë bien dakord dhe njëzëri i thonë:”Duam të na e tregosh fytyrën Tënde o Zot.” Thotë Profeti a.s:”Menjëherë hiqen të gjithë perdet dhe u mundësohet të shohin fytyrën e Zotit. Që kur janë krijuar, ata nuk kanë ndjerë ëmbëlsi dhe kënaqësi më të madhe se të shikuarit e fytyrës së Zotit të madhëruar.”  
Thotë Profeti a.s:”Secilit prej tyre do i flasë Zoti direkt dhe gjatë ku do i thotë:” O robi Im! Kërko ç’të duash nga mirësitë e Mia. çfarëdo që të më kërkosh, do të ta jap.” Ai do fillojë t’i kërkojë ç’ti vijë në mendje. Zoti do i thotë:”O robi Im, a nuk të pëlqen të kesh filan të mirë …. ia kujton gjërat të cilat i harron”.
E lusim Zotin të na bëjë nga banorët e xhenetit dhe nga ata që e marrin librin e veprave nga dora e djathtë! Amin!
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit