-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dita e llogarisë

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Dita e llogarisë

Për shkak të qëndrimit të gjatë – pesëdhjetë mijë vite – njerëzimi fillon të drobitet dhe rraskapitet. I gjithë njerëzimi, që nga Ademi a.s gjer tek njeriu i fundit mbi tokë, demoralizohen dhe fillojnë të thërrasin:”Ku është Zoti ynë që të fillojë llogarinë?! Ku janë melekët?”
A e imagjinon dot veten në ato çaste o vëlla dhe oj motër? Askush nuk të pyet kush je dhe çfarë kërkon. Të gjithë thërrasin dhe pyesin:”Ku është Allahu që të fillojë llogaria?!”
Të shqetësuar dhe të sfilitur nga pritja e gjatë, do të fillojnë të interesohen për dikë që mund të ndërmjetësojë tek Zoti, për fillimin e llogarisë. Ata do të thërrasin:”Kush ndërmjetëson tek Zoti që të fillojë llogarinë?” Në këtë moment, atyre nuk u intereson nëse do të shkojnë në xhenet apo në zjarr të xhehenemit. Atyre u intereson të fillojë llogaria, dhe t’i japin fund atij qëndrimi drobitës dhe sfilitës.
Duke pyetur mbi personin që mund të ndërmjetësojë tek Zoti, dikush do u thotë:”Shkoni tek Ademi a.s dhe i kërkoni atij të ndërmjetësojë tek Zoti!”
Me të vajtur, do i thonë:”O Adem! O babai i gjithë njerëzimit! O krijesa e parë e Zotit! O ti që t’u përulën melekët e Zotit! Të lutemi që të ndërmjetësosh tek Zoti ynë që të fillojë llogaria!”
Por Ademi a.s do u përgjigjet:”Unë jam përgjegjës vetëm për veten time! Sot, Zoti është zemëruar si kurrë më parë. Shkoni tek profeti Ibrahim a.s dhe i kërkoni atij të ndërmjetësojë tek Zoti!”
Me të vajtur tek Ibrahimi a.s do i thonë:”O Ibrahim! O miku i të Gjithëmëshirshmit! Të lutemi, shko dhe ndërmjetëso tek Zoti ynë që të fillojë llogaria!”
Por edhe Ibrahimi a.s do u përgjigjet:” :”Unë jam përgjegjës vetëm për veten time! Sot, Zoti është zemëruar si kurrë më parë. Shkoni tek profeti Musa a.s dhe i kërkoni atij të ndërmjetësojë tek Zoti!”
Me të vajtur tek Musa a.s do i thonë:”O Ibrahim! O ti që të foli Zoti pa ndërmjetës! Të lutemi, shko dhe ndërmjetëso tek Zoti ynë që të fillojë llogaria!”
Por edhe Musa a.s do u përgjigjet:”Unë jam përgjegjës vetëm për veten time! Sot, Zoti është zemëruar si kurrë më parë. Shkoni tek profeti Isa a.s dhe i kërkoni atij të ndërmjetësojë tek Zoti!”
Me të vajtur tek Isai a.s do i thonë:”O Isa! Të lutemi, shko dhe ndërmjetëso tek Zoti ynë që të fillojë llogaria!”
Por edhe Isa a.s do u përgjigjet:”Unë jam përgjegjës vetëm për veten time! Sot, Zoti është zemëruar si kurrë më parë. Shkoni tek profeti Muhamed a.s dhe i kërkoni atij të ndërmjetësojë tek Zoti!”
Me të vajtur tek Isai a.s do i thonë:”O Muhamed! O i dërguari i Allahut! O vula e profetëve! Të lutemi, shko dhe ndërmjetëso tek Zoti ynë që të fillojë llogaria!”
Profeti Muhamed a.s do u përgjigjet:”Po. Unë jam kompetent për këtë çështje.”
Është hera e parë që ne do të takohemi dhe do e shohim profetin Muhamed a.s pas ringjalljes. Edhe pse dëshira është e madhe, rrethanat nuk na lejojnë që të bisedojmë dhe të qëndrojmë me të. Diçka e tillë do të na lejohet vetëm në xhenet.
Ndoshta, dikush do e shohë nga larg dhe me vete do të thotë:”Ky qenka profeti Muhamed për të cilin kam dëgjuar në dynja. Ky qenka ai që do të ndërmjetësojë për mua. Ky qenka ai, mbi të cilin unë nuk kam ditur gjë tjetër përveç emrit “Profeti Muhamed”. Si vallë e paskam kaluar jetën pa lexuar qoftë dhe një libër rreth tij? Si e paskam kaluar jetën pa mësuar si pastrohej dhe si merrte abdes për t’u falur?! Si e paskam kaluar jetën pa mësuar si të falem? Si e paskam kaluar jetën pa mësuar të lexoj librin – Kuranin – që iu shpall nga Zoti?! Gjatë jetës time, çfarë nuk kam mësuar përmendësh. Kam mësuar kushedi sa këngë të yjeve të muzikës. Mësoja gjuhë të huaja, mësoja si të sillem me njerëzit dhe të përfitoj sa më shumë prej tyre, mësoja e mësoja… por kurrë nuk mësova të lexoj librin që iu shpall këtij burri.
Thotë Profeti a.s në një hadith që e transmeton Buhariu:”Unë do të shkoj tek Arshi i Allahut, do të bie në sexhde dhe do e lavdëroj më lëvdata që kurrë nuk e ka lëvduar njeri tjetër më parë. Zoti do më thotë:”O Muhamed! Ngrije kokën! Kërko të të jepet dhe ndërmjetëso që të të pranohet ndërmjetësimi!”
Unë do i them:”O Zot! Unë kam ardhur të ndërmjetësoj që të fillojë llogaria.”
Atëherë do të fillojë llogaria, si nder dhe vlerësim për të dërguarin e Zotit, paqja qoftë mbi të.
 
Rregullorja e Llogarisë.
Llogaria e veprave të njerëzve, do të bazohet në një rregullore me disa pika:
 
E para: Sot nuk i bëhet padrejtësi askujt. Thotë Zoti në Kuran:” atë ditë nuk ka padrejtësi!” (Gafir, 17)
“..kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)
“Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” (Nisa, 124)
 
E dyta: Askush nuk do të ndëshkohet për shkeljet e dikujt tjetër. Thotë Zoti në Kuran:”Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” (En’am, 164)
Nuk do të ndëshkohet babai për devijimin e fëmijëve, as fëmijët për devijimet e prindërve, as shoku për të shokut dhe as vëllai për të motrës. Por nga kjo pikë, bën përjashtim një kategori njerëzish; Ata që janë bërë shkak për devijimin e dikujt tjetër. Thotë Zoti në Kuran:”Ata, do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka, që trillonin.” (Ankebut, 12)
“(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!” (Nahl, 25)
Ajo vajzë që është veshur e para me minifund dhe rroba të tejdukshme, do të mbartë edhe gjynahet e atyre vajzave që e imitojnë në veshje. Ai i ri që ua mëson shokëve të tij duhanin dhe veprat e tjera të liga, do të mbartë edhe gjynahet e tyre Ditën e Kiametit.
 
E treta: Llogaria do të bëhet në bazë të asaj që është shkruar në regjistrat e veprave dhe jo gojarisht. Thotë Zoti lidhur me këtë fakt:”Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë:“Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf, 49)
“Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” (Isra, 13-14)
Vallë çfarë mund të ketë libri yt, kur të të kërkohet ta lexosh? A do të mundesh t’i lexosh veprat e liga që gjenden aty?
Kush prej nesh i regjistron gjynahet dhe gabimet e tij për dy javë dhe në fund t’i thotë babait:”Ulu dhe dëgjoji gjynahet dhe gabimet e mia gjatë këtyre dy javëve?!” Nëse këtë e ke të pamundur ta bësh para babait tënd, çfarë mund të themi kur të dalësh para Zotit? Atë ditë do të ketë njerëz që u kërkojnë melekëve t’i çojnë menjëherë në xhehenem, veç të mos dalin para Zotit.
 
E katërta: Një e mirë shpërblehet me dhjetë të tilla. Kurse një vepër e ligë, vetëm një. Thotë Zoti në Kuranin famë lartë rreth këtij fakti:”Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.” (En’am, 160)
Jo vetëm kaq, por ka vepra të mira të cilat shpërblehen gjer në shtatëqind fish, si lëmosha. Madje, ka vepra të tilla si agjërimi i Ramazanit, shpërblimin e të cilave nuk e di kush tjetër veç Zotit të madhëruar.
 
E pesta: Veprat e liga, u shndërrohen të mira, atyre që janë penduar. Nëse pas njëzet vitesh vepra të liga, pendohesh dhe i kthehesh Zotit duke iu falur dhe lutur, njëzet vitet me gjynahe, të shndërrohen në vepra të mira.
Tregon profeti Muhamed a.s:”Do të vijë një burrë Ditën e Kiametit dhe Zoti do i thotë:”Lexoje librin tënd!” Sa herë që kalon tek një vepër e ligë, atij i nxihet, i nxihet dhe i nxihet fytyra, saqë mendon se e humbi davanë. Por Zoti do i thotë:”O robi Im! A nuk je penduar në dynja?!”
Njeriu i përgjigjet:”Po, o Zot! Jam penduar, jam penduar, jam penduar.”
Zoti e pyet sërish:”Po a nuk veprove punë të mira më pas?!”
Njeriu i përgjigjet:”Po o Zot.”
Atëherë Zoti i thotë:”Lexoje dhe një herë librin tënd!”
Kur fillon t’i lexojë dhe njëherë veprat e tij, konstaton se gjithë gjynahet që kishte vepruar, ishin kthyer në vepra të mira. Duke parë këtë, njeriu mendon edhe për shumë gjynahe të tjera që nuk i kishte parë të shkruara në libër. Atëherë, ai thërret:”O Zot! Unë kam edhe gjynahe të tjera që nuk i kanë shkruar melekët në libër.” Kur e tha këtë, Profeti a.s u shkri së qeshuri, saqë i dukeshin dhe dhëmballët.
 
E gjashta: Llogaria do të bëhet në prezencën e disa dëshmitarëve. Dëshmitarët e parë janë melekët. Thotë Zoti në Kuran:”Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 17-18)
Këto dy melekë, regjistrojnë gjithçka që bëjmë, qoftë dhe një shkelje syri, edhe një buzëqeshje ironike, edhe një vështrim me bisht syri.
Dëshmitari i dytë do të jetë vetë i dërguari i Zotit a.s. Thotë Zoti në Kuran:
“Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (Nisa, 41)
Vetë i dërguari i Zotit do të dëshmojë në favorin tënd, ose në disfavorin tënd. Ai do të dëshmojë që ua ka kumtuar njerëzimit rëndësinë e namazit të sabahut. Ai do të dëshmojë se ua ka kumtuar të rinjve rëndësinë e uljes së shikimit. Vallë si do të ndihesh kur Profeti a.s të dëshmojë në disfavorin tënd?
Dëshmitari i tretë do të jetë vetë toka mbi të cilëm ecim dhe nga e cila ushqehemi. Thotë Zoti në Kuran:”Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj.” (Zelzele, 4)       Toka do të dëshmojë para Zotit mbi veprat e secilit prej nesh. Ajo do të dëshmojë mbi ecjen tonë për t’u falur në xhami, ashtu siç do të dëshmojë për gjynahet tona. E gjithë ajo tokë e përshkuar nga dikush për të kryer Haxhin ose Umren, do të dëshmojë për këtë vepër. çdo grimcë rëre, çdo gur dhe çdo pemë do të dëshmojë për veprat e tua Ditën e Kiametit. Duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, shokët e Profetit a.s faleshin në  vende të ndryshme, me qëllim që këto vende të dëshmojnë në favorin e tyre Ditën e Kiametit. Kurrë mos prano të udhëtosh për të vepruar ndonjë gjynah, pasi kilometrat që do të përshkosh do të dëshmojnë kundër teje atë Ditë.
Dëshmitari i fundit, është për atë kategori njerëzish që janë kokëfortë dhe të pabindur. Kjo kategori njerëzish, do e refuzojnë dëshminë e melekëve dhe të gjithë dëshmitarëve të lartpërmendur. Këta njerëz do të thonë:”Unë dua të dëshmoj vetë për atë që kam vepruar.”
Zoti do i thotë:”Po, e pranojmë dëshminë tënde.” Dhe menjëherë do i vuloset goja që të mos flasë. Thotë Zoti në Kuran:
“Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Jasin, 65)
Nëse dikush do të dilte dëshmitar kundër nesh në një çështje, do të ishte katastrofë dhe rrënim për ne. çfarë mendoni për Ditën kur të dalim para Zotit dhe vetë gjymtyrët tona do të dëshmojnë për gjynahet që kemi vepruar?
“Paralajmëroji ata për Ditën, kur do të tubohen armiqtë e Allahut për në zjarr e do të shtyhen me radhë. Kur të vijnë afër zjarrit, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurët e tyre për atë që kanë bërë. Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni.” (Fussilet, 19-21)
Nëse në këtë botë je zënë dhe ke bërë shamatë me dikë tjetër, Ditën e Llogarisë do të zihesh me organet e trupit tënd.
 
Fillimi i Llogarisë.
Thotë Zoti në Kuran:”kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe.” (Fexhr, 22)
Secili prej nesh do të thirret që të paraqitet para Zotit të madhëruar. Një zë, do i thërrasë të gjithë njerëzit, një e nga një. Ai do të thërrasë:”Filani biri i filanit, të vijë të paraqitet para Zotit të Gjithëpushtetshëm!”
Melekët do të vijnë dhe do të të marrin, që të japësh llogari për veprat e tua. A e imagjinon dot ankthin dhe sikletin që të kaplon, teksa nisesh për t’u paraqitur para Zotit?
Ka njerëz që do të dërgohen para Zotit, ashtu siç dërgohet në burg një i burgosur i arratisur. Ashtu siç ka njerëz të tjerë që kur t’u përmendet emri për të dalë para Zotit, gëzohen dhe nxitojnë siç nxiton kurbetçiu gjatë kthimit për në shtëpi.
Janë melekët ata që i marrin njerëzit për t’i dërguar para Zotit. Ata do i njohin nga frika, paniku dhe djersët që i mbulojnë në çastin kur u thirret emri.
Thotë Profeti a.s:”Çdonjëri prej jush, do të qëndrojë i vetëm para Zotit, ashtu siç qëndron i vetëm me hënën, një beduin në shkretëtirë.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Çdonjërit prej jush, do i flasë Zoti direkt, pa pasur nevojë për ndërmjetës. Ai do të shohë nga e djathta e tij dhe nuk do të gjejë veçse veprat që ka punuar. Do të shohë nga e majta dhe nuk do të gjejë veçse veprat që ka punuar. Do të shohë para dhe nuk do gjejë veçse zjarrin para fytyrës.”
Ti do të dalësh para Zotit tënd që të krijoi dhe në dorë do të mbash regjistrin e veprave të tua.
Thotë Profeti a.s:”Ditën e Kiametit, do të ketë njerëz që do të paraqiten para Zotit, siç rikthehet në burg një i burgosur i arratisur. Atë ditë do të ketë njerëz të tjerë, që paraqiten para Zotit me mall, ashtu siç kthehet kurbetçiu tek familja e tij.”
Cilës kategori i përket ti o vëlla dhe oj motër? A i përket asaj kategorie, të cilët me të dëgjuar emrin, vrapojnë drejt Zotit? Apo i përket asaj kategorie të  cilët me të dëgjuar emrin, i mbulojnë djersët, nuk lëvizin dot dhe vijnë melekët duke i tërhequr zvarrë për t’u paraqitur para Zotit? Njerëz të tillë, do u thonë melekëve:”O melekët e Zotit! Më mirë më çoni direkt në zjarrin e xhehenemit, se të dal para Zotit me këto gjynahe që kam vepruar!”
Thotë Ali ibnu Ebi Talib:”Unë njoh njerëz të cilëve do u bie mishi i fytyrës përtokë nga turpi, Ditën kur të deklarohen gjynahet e tyre para Zotit.”
Zoti do e fillojë kërkesën e llogarisë me qortim. Ai do i drejtohet robit me fjalët:”O filan! Përse e more kaq të parëndësishëm takimin me mua?! A kaq i pavlerë isha për ty?! Përse fshihesh prej njerëzve, dhe nuk të shqetësonte fakti që dhe Unë të shikoj?! Si arrite ta bësh filan gjynah?! A nuk të pata dhënë grua?! A nuk të pata furnizuar me risk?! A nuk të pata dhënë fytyrë të hijshme?! A nuk të dhashë fizik të fortë?! çfarë të mashtroi o robi Im?! Si harrove se do të takohesh me Mua?! Përse zbukuroheshe para njerëzve, ndërkohë që para Meje veproje veprat më të liga dhe të shëmtuara?! Përse viheshe në siklet kur të shihnin njerëzit duke vepruar ndonjë gjynah dhe nuk viheshe aspak në siklet nga shikimi Im?! A nuk e dije se unë të vështroj, ndërkohë që shihje haram me sytë e tu?! A nuk e dije se i ndjek këmbët e tua, ndërkohë që ecje drejt haramit me to?! çfarë të mashtroi o robi Im?! Lexoje librin tënd o robi Im!
Nëse ke qenë gjynahqar, ti do të fillosh të lexosh gjynah pas gjynahu, ndërkohë që sikleti dhe turpi që ndjen, të kanë kapluar dhe mezi lexon. Pasi të përfundosh leximin e gjynaheve, Zoti të thotë:”Kurrë nuk do të kënaqem me një njeri si ty! Ti i ke vepruar hapurazi gjynahet dhe nuk ke pyetur nëse unë të shikoj apo jo! Merreni o melekët e Mi, pasi jam i zemëruar me këtë njeri!
Menjëherë do të vijnë dhjetë mijë melekë, ku secili dëshiron të të hedhë i pari në xhehenem. Ata thonë:”Ky është një rob me të cilin është zemëruar Zoti. Ai është një njeri i mallkuar.”
Ndërkohë, edhe njerëzit që e shohin dhe e dëgjojnë këtë, përsërisin po të njëjtat fjalë:”Ky është një rob me të cilin është zemëruar Zoti. Ai është një njeri i mallkuar.”
Por nëse ke qenë rob i mirë dhe i ndershëm, Zoti do të thotë:“O robi Im, afrohu më pranë!” Do të afrohesh më afër, ku do të të mbulojë drita e Zotit. Më pas do të lëshojë një perde (me qëllim që të mos dëgjojnë të tjerët bisedën mes teje dhe Zotit) dhe do të të thotë:”O robi Im, a e mban mend filan gjynah? Po filan gjynah? Po filan gjynah?”
Saqë do mendojë njeriu që është i humbur. Por Zoti do i thotë:”Unë t’i mbulova këto në dynja dhe Unë t’i fal ato sot. Shko o robi Im pasi të kam falur dhe jam i kënaqur prej teje. Shko dhe hyr në xhenet!”    
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit