0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dita e Ashurasë… ditë e ndërtimit

Më të lexuarat

Nga: Ala Sad Hasen

Dita e Ashurasë… ditë e ndërtimit

Dita e Ashurasë është një ndër ditët e shënuara të kalendarit islam, e cila festohet nga myslimanët dhe që me anë të saj adhurojnë dhe i afrohen Zotit. Adhurimi më i spikatur këtë ditë është agjërimi, pasi kjo ditë radhitet tek ditët më të vlefshme dhe që shpërblehen më shumë se ditët e tjera të vitit. Kushdo që agjëron këtë ditë, i fshihen gjynahet e vitit të kaluar.
Dita e Ashurasë, është një hallkë nga zinxhiri i gjatë i puhizave dhe shanseve hyjnore për pendim dhe falje. Me këtë rast, Zoti i lartësuar shtrin dorën e mirësisë dhe begatisë, me qëllim që të ekspozohemi ndaj saj dhe ta shfrytëzojmë siç duhet. Kjo ditë, është gjithashtu një nga rastet më të spikatura e cila mbahet gjallë me agjërim dhe adhurim nga shtresat e ndryshme të shoqërisë islame deri në kohët moderne. Aq shumë përjetohet kjo ditë, saqë shpesh herë e ndjen sikur je në muajin Ramazan dhe se agjërimi i kësaj dite është farz dhe jo sunet. Kjo, për shkak të agjëruesve të shumtë të kësaj dite madhështore.
Shprehje e natyrës së kësaj feje
Dita e Ashurasë, është ditë e cila shpalos qartësisht natyrën e kësaj feje dhe disa nga karakteristikat e saj. Ajo është një festë e cila fokusohet kryesisht tek profetët e parakaluar, të cilët janë dërguar para profetit të fundit, Muhamedit a.s.  Në një hadith, Abdullah ibnu Abasi thotë:”Kur i dërguari i Zotit a.s erdhi në Medinë, konstatoi se hebrenjtë agjëronin ditën e Ashurasë. Ai i pyeti:”Përse agjëroni këtë ditë?!” Ata u përgjigjën:”Kjo është dita ku Zoti shpëtoi Musain dhe Benu Israilët nga armiku i tyre dhe vetë Musai a.s e ka agjëruar.”
Profeti Muhamed a.s u tha:”Unë e meritoj Musain a.s më shumë se ju!”  dhe e agjëroi atë ditë, madje urdhëroi dhe myslimanët ta agjërojnë. Më vonë, Profeti a.s u kërkoi myslimanëve që përveç ditës Ashura, të agjërojnë edhe një ditë para, ose një ditë pas saj.
Një qëndrim i tillë, nuk është aspak i çuditshëm kur flitet për fenë islame, e cila e kushtëzon saktësinë e besimit, me besimin e të gjithë profetëve të parakaluar, pa bërë dallime mes tyre.
“Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij” (Bekare, 285)
Tek Zoti, feja është një, e vetme dhe jo shumë fe “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” (Al Imran, 19) 
Të gjithë profetët dhe të dërguarit, nuk përfaqësojnë veçse hallka të zinxhirit të një feje të vetme dhe bazuar në këtë, ata konsiderohen si vëllezër në besim, mision dhe funksion. Ata janë ortakë  të një mesazhi sublim e të shenjtë, me të cilin i nderoi dhe vlerësoi Zoti. Atëherë, cilat janë karakteristikat e islamit nën hijen e festimit të ditës Ashura?
Plotësues dhe jo zëvendësues
Islami është fe e ndërtimit, e plotësimit dhe strukturimit dhe jo e shembjes, rrënimit dhe zëvendësimit. Thotë profeti Muhamed a.s:”Ne e meritojmë Musain a.s më shumë se ata.” “Unë jam dërguar për të plotësuar moralet e larta.” “Shembulli im dhe i profetëve të parakaluar, është si i një burri që ndërton një shtëpi të mirë dhe të bukur, por lë bosh vendin e një tulle në njëqoshe. Njerëzit që e vizitojnë, mbeten të mahnitur, por shprehin habi lidhur me vendin bosh dhe thonë:”Sikur të ishte vendosur dhe ajo tullë në vendin e saj!” Unë jam ajo “tullë” dhe unë jam vula e profetëve.”
Kështu, Islami e njeh dhe pranon strukturën fetare, atë morale dhe të vlerave të trashëguar nga njerëzimi që nga njeriu i parë Ademi a.s dhe deri kur Zoti solli vulën e profetëve, Muhamedin a.s. Prandaj, Islami nuk erdhi për të shembur dhe hequr qafe trashëgiminë e profetëve të tjerë, e më pas të ngrehë strukturën e tij të re dhe të ndryshme. Islami vetëm sa i forcoi themelet dhe strukturën e ngrehinës njerëzore. Ai vetëm sa e plotësoi dhe i shtoi, por pa hequr gjë prej saj.  
Misioni i myslimanit në tokë është të kontaktojë me vlera sublime dhe të ngrejë ura komunikimi mes tij dhe trashëgimisë njerëzore. Ai duhet të shtrijë dorën e kontributit në këtë ngrehinë vlerash të trashëguara dhe jo domosdoshmërish, dorën e shkatërrimit dhe rrënimit, për të ngritur një ngrehinë të re.
Myslimani nuk ka nevojë – madje as i kërkohet – të shembë atë që kanë ndërtuar të parët. Ai vetëm sa e pastron këtë sistem vlerash nga shtesat besimore dhe morale që i janë veshur. Ai vetëm sa i thyen shkopinjtë dhe barrierat penguese dhe kontradiktore që hasen gjatë udhës. E gjitha kjo, me qëllim që strukturës së përgjithshme ti ruhet origjinaliteti.
Partneritet i privilegjuar, jo konflikt i njëanshëm
Islami është fe e cila depërton mes njerëzve dhe nuk vetëmbyllet prej tyre. Ai nuk e kundërshton një prirje të caktuar thjesht për hir të kundërshtimit. Islami i bashkëngjitet karvanit njerëzor përderisa ata i qëndrojnë parimeve dhe udhës së drejtë. Në të kundërt, islami vazhdon udhën e tij e cila buron nga natyra e pastër e projektuar nga vetë Zoti i lartësuar për të gjithë njerëzimin. Koncepte të tilla i hasim rëndom në rituale si ai i Haxhit për shembull. Thotë Zoti i lartësuar “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët..”  (Bekare, 199)
Mania për tu dalluar, nuk ka përse të na largojë nga njerëzit dhe të izolohemi prej tyre. Thotë i dërguari i Zotit a.s:”Dobitë që kam dëshmuar në shtëpinë e Abdullah ibnu Xhedan, nuk i ndërroj me bagëtitë më të mira. Nëse një ftesë e tillë më bëhet tani që jam profet, do i përgjigjesha.”
Pjesëmarrja me të tjerët në bashkëpunim për mirë, është një nga objektivat e kësaj feje dhe tipar i pandashëm i saj.
Drejtësi, jo fanatizëm
Islami është fe e tolerancës absolute, e trajtimit parimor dhe të mprehtë, si dhe e gjykimit të baraspeshuar. Bazuar në këtë, nuk ka përse të na çorientojë përçarja dhe devijimi i njerëzve nga boshti i mesazheve të mëparshme, të cilat janë hallka të një feje. Ne nuk mund ta gjykojmë profetin Musa a.s, bazuar në disa qëndrime të atyre që pretendojnë se janë ithtarët e tij. Ne myslimanët e meritojmë Musain a.s më shumë seç e meritojnë ata. Ne jemi njerëz që afrohemi me Zotin dhe kënaqësinë e Tij, duke u vënë fëmijëve tanë emrat e profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Madje, kjo konsiderohet si adhurim për ne. Thotë profeti Muhamed a.s:”U vini fëmijëve emrat e profetëve!”
Emrat e profetëve si Musai a.s, Isai a.s, Haruni a.s, Merjeme etj… janë emra shumë të përhapur mes popullatave islame në mbarë botën. Sakaq, emrat e profetit të Islamit dhe shokëve të tij, janë tabu për ithtarët e feve të tjera.
Vetëm duke qëndruar tek kjo e vërtetë, të mbështetur nga sondazhe dhe studime, u jepet përgjigje bindëse atyre që e akuzojnë islamin për racizëm dhe antisemitizëm.
Islami është fe që gjykimin e tij për dikë e bazon në realitet, fe e cila e bën ndarjen mes teorisë dhe praktikës, mes parimeve të një feje dhe ithtarëve të saj. Devijimi i ithtarëve të një feje, nuk ia humbet vlerat vetë asaj feje. Islami e refuzon përgjithësimin. Thotë Zoti në Kuran:”Ka nga ata ithtarë të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që, nëse u jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthejnë, veçse nëse nuk u ndahesh.” (Al Imran, 75)
“(Megjithatë) ata nuk janë të gjithë njëlloj.” (Al Imran, 113)
 Barazi dhe jo racizëm
Le ta bëjmë Ashuranë ditë ndërkombëtare për luftën kundër antisemitizmit. Islami është fe që nuk bën dallime mes racave, popujve dhe ngjyrave. Të gjithë myslimanët e festojnë Ashuranë si një ndodhi historike e cila u ka ngjarë hebrenjve.
Konflikti me hebrenjtë e sotëm, nuk është konflikt mes islamit dhe judaizmit. Zoti e ndalon imponimin e fesë me forcë dhe thotë: S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (Bekare, 256)
Konflikti me hebrenjtë e sotëm lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me faktin se ata kanë pushtuar dhe zaptuar një territor toke mysliman, kanë derdhur gjak myslimanësh dhe kanë shkelur nderin e tyre. E gjithë bota le ta dijë se islami është fe që nuk e pranon dhe nuk e gëlltit dot padrejtësinë dhe agresionin. Thotë Zoti në Kuran, duke vendosur linjat e përgjithshme të xhihadit:”Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (Bekare, 190)
Islami është fe që e lufton padrejtësinë dhe dhunën ndaj tjetrit, edhe nëse kjo ushtrohet mes ithtarëve të tij. Kurani fisnik e ka bërë ligj vetëpërmbajtjen nga dhuna mes besimtarëve:“Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.” (Huxhurat, 9)
Islami e lufton dhunën dhe agresionin e çdo lloji dhe cilido qoftë burimi i tij, pa e marrë parasysh fenë dhe ideologjinë e dhunuesit, pasi lufta e dhunës është objektiv më vete.
Problemi i myslimanit me sionistët bashkëkohorë, nuk është i dallimit fetar, pasi jomyslimanët (hebrenj dhe të krishterë) kanë jetuar – dhe vazhdojnë të jetojnë – që prej katërmbëdhjetë shekujsh, të qetë dhe të sigurt mes myslimanëve. Kjo, edhe pse kanë qenë pakicë. Myslimanët nuk kanë ushtruar ndaj tyre asnjë lloj diskriminimi sektar. Për gjenocid as që bëhet fjalë. Jo ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh me pakicat islame në vende të ndryshme të botës.
Ky është islami, feja dhe mesazhi hyjnor përmbyllës për njerëzimin. Ky është islami i cili ua ka bërë obligim ithtarëve të tij, besimin tek profetët dhe të dërguarit e tjerë, me kusht; Saktësinë e kredos  dhe doktrinës. Ky është islami, i cili e ka përjetësuar kujtimin e profetëve, duke e konsideruar vënien e emrave të tyre si ibadet dhe adhurim për myslimanët. Ky është islami, i cili e feston ditën e Ashuras, ditë në të cilën Zoti ka shpëtuar profetin Musa dhe Bijtë e Israelit. Kjo ishte toleranca e Islamit. Na e trego tolerancën tënde o botë e qytetëruar e shekullit njëzet e një!
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit