1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dita e Arafatit sa ditë madhështore – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

E falënderojmë All-llahun, kurse paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Dita e Arafatit është prej ditëve me vlerë, në këtë ditë pranohen lutjet, shlyen mëkatet, All-llahu me njerëzit që gjinden në Arafat u krenohet melekëve. Këtë ditë e ka madhëruar All-llahu dhe e ka ngritur mbi ditët tjera. Në këtë ditë All-llahu e ka plotësuar fenë dhe dhuntinë e Tij. Në këtë ditë falen mëkatet dhe shpëtojnë njerëzit nga zjari i xhehenemit. Pasiqë kjo ditë është e tillë, atëhere, meriton që t’i njohish vlerat e saja, veçoritë si dhe çka ka vepruar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjatë kësaj dite. E lusim All-llahun të na shpëton nga zjari në këtë ditë madhështore.

Vlerat e kësaj dite

1-Në këtë ditë është plotësuar dhuntia dhe është përsosur feja.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Omeri, radijall-llahu anhu, se një çifut i ka thënë atij: “O emir i besimtarëve! Një ajet që gjindet në Librin tuaj dhe e lexoni, po të na kishte zbritur neve, atë ditë do ta konsideronim festë. I tha: cili ajet? Tha:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمْ الْإِسْلَامَ دِينًا

“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”. (El-Maide: 3)

Omeri, radijall-llahu anhu, tha: ne e dimë ditën dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem; i ka zbritur ditën e xhuma, duke qëndruar në Arafat.

2-Kjo ditë është festë për njerëzit që qëndrojnë në Arafat.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: “Dita e Arafatit dhe ditët e teshrikut, janë festa jonë, festa e muslimanëve, janë ditë të ngrënies dhe pierjes”. (hadithi është sahih, tra. Nesaiu, Tirmidhiu, etj.)

Omeri, radijall-llahu anhu, ka thënë: “Ajeti “Sot përsosa për ju fenë tuaj,…”, ka zbritur ditën e xhuma, në Arafat, kurse që të dy ditët janë festë për ne”.

3-Për këtë ditë është betuar All-llahu.

All-llahu i Madhërishëm nuk betohet për gjëra pa vlerë, por betohet me gjëra të mëdha. Kjo ditë, është “dita e dëshmuar” në ajetin:

وَشَاهِدٍ وَمَشْهُودٍ

“Pasha atë që dëshmon dhe të dëshmuarën!”. (El-Buruxh: 3)

Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Dita e premtuar është Kijameti, kurse dita e dëshmuar është Arafati, kurse dita dëshmuese është dita e xhuma…”. (hadithi është hasen, tra. Tirmidhiu.)

Dhe kjo ditë është dita “tek” me të cilën betohet All-llahu në Kur’an:

وَالشَّفْعِ وَالْوَتْرِ(3(

“Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. (El-Fexhr: 3). Ibën Abbas, radijall-llahu anhu, thotë: “dita çift është dita e kurban bajramit (10 Dhulhixhe), kurse dita tek është dita e Arafatit (9 Dhulhixhe). Të këtij mendimi janë edhe Ikrime dhe Dahak.

4-Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve.

Ebu Katadeja, radijall-llahu anhu, tregon se e kanë pyetur Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, mbi agjërimin e ditës së Arafatit, kurse ai është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen”. (Muslimi)

Agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm për atë njeri që nuk është në haxhxh, ngase Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk ka agjëruar gjatë qëndrimit të vet në Arafat, bile ka edhe transmetime se ka ndaluar agjërimin në Arafat.

5-Në këtë ditë All-llahu ka marrë besën nga bijt e Ademit.

Ibën Abbas, radijall-llahu anhu, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë (hadithi është sahih, tra. Ahmedi): “All-llahu ka marur besën nga bijtë e Ademit në Arafat, i ka nxjerur nga kurrizi i tij të gjitha krijesat, i ka përhapur para Vehtes si grimca, pastaj u ka folur:

وَإِذْ أَخَذَ رَبُّكَ مِنْ بَنِي آدَمَ مِنْ ظُهُورِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَأَشْهَدَهُمْ عَلَى أَنفُسِهِمْ أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ قَالُوا بَلَى شَهِدْنَا أَنْ تَقُولُوا يَوْمَ الْقِيَامَةِ إِنَّا كُنَّا عَنْ هَذَا غَافِلِينَ(172)أَوْ تَقُولُوا إِنَّمَا أَشْرَكَ آبَاؤُنَا مِنْ قَبْلُ وَكُنَّا ذُرِّيَّةً مِنْ بَعْدِهِمْ أَفَتُهْلِكُنَا بِمَا فَعَلَ الْمُبْطِلُونَ(173(

“Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!” Të mos thoni në ditën e kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur. Ose të mos thoni: “Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?”. (El-A’raf: 172-173).”

Sa ditë madhështore dhe sa besatim madhështor.

6-Kjo është dita e shlyerjes së mëkateve, lirimit nga zjari dhe e mburrjes me ata që qëndrojnë në Arafat.

Transmeton Muslimi nga Aisheja [radijall-llahu anha] se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën All-llahu liron njerëz nga zjari i xhehenemit ma shumë sesa në ditën e Arafatit. Ai afrohet dhe pastaj mburret me ata melekëve, duke thënë: çka dëshirojnë këta njerëz?”. Kurse Ibën Omeri, radijall-llahu anhuma, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “All-llahu mburet para melekëve ditën e Arafatit me ata që qëndrojnë në Arafat dhe thotë: shikoni robët e Mi, Më kanë ardhur të raskapitur dhe të pluhërosur”. (hadithi është sahih, transmeton Ahmedi.)

Haxhiu duhet tu jep rëndësi disa veprave, të cilat japin të shpresosh lirimin nga Zjarri dhe faljen, prej tyre janë edhe:

-T’i mbrosh gjymtyrët nga harami në këtë ditë. Ibën Abbasi, radijall-llahu anhu, thotë: Fadl ibën Abbasi ishte i hypur pas Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ditën e Arafatit, kurse ky djalosh i shikonte gratë, e Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ia kthente fytyrën në anë tjetër, mirëpo ai sërish bënte të njejtën. Atëherë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i tha: “djali i vëllait tim, në këtë ditë kush e sundon dëgjimin, shikimin dhe gjuhën e tij, i falen mëkatet”. (hadithi është sahih, transmeton Ahmedi.)

-Në këtë ditë duhet bërë sa ma shumë tehlil (la ilahe il-lall-llah), tesbih (subhanall-llah) dhe tekbir (All-llahu ekber). Ibn Omeri [radijall-llahu anhuma] thotë: Ishim me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në mëngjesin e ditës së Arafatit, disa prej nesh bënin tehlil e disa prej nesh bënin tekbir…”. (Muslimi)

-Duhet shtuar lutjet për falje dhe lirim nga zjari i xhehenemit, sepse shpresohet që në këtë ditë të pranohet lutja. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Lutja ma e mirë është lutja e Arafatit, kurse fjala ma e mirë që e kam thënë unë dhe pejgamberët para meje: la ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shejin kadir”. (hadithi është hasen, transmeton Tirmidhi). Për këtë, muslimani duhet veçuar kohë për dhikr, lutje dhe istigfar gjatë kësaj dite madhështore, le të lutet për vetveten, për prindërit, për familjen dhe për mbarë muslimanët. Mos ti kalon lufinjtë dhe mos të mendon se është duke iu vonuar përgjigjeja, dhe le të insiston në lutje. Lum ai që lutet në këtë ditë të Arafatit.

-Haxhiu duhet kujdesur prej mëkateve të cilat pengojnë faljen e mëkateve në këtë ditë, siç është insistimi në mëkate të mëdha, qoftë ai mashtrim, gënjeshtër, bartje të fjalëve, përgojim, apo tjetër mëkat. Si mund të lakmosh faljen e mëkateve dhe lirimin nga zjari, kur insiston në mëkate dhe qëndron para All-llahut i zhytur në mëkate!?

-Prej rregullave të lutjes në këtë ditë është: të drejtohet nga kibleja, t’i ngritë duartë, të mposhtet para All-llahut, të pranon mangësinë e vet dhe të jetë i vendosur në pendim të sinqertë.

Shqipëroi: Bekir Halimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit