21.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Dispozita mbi namazin -tehijetul mesxhid-

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e fundit, Muhamedin, i cili e adhuroi Allahun, ashtu siç kërkohet dhe këshilloi umetin e tij nga ajo më e mira.

Nëse shikojmë gjendjen e muslimanëve sot, do të vërejmë se shumica që e adhurojnë Allahun u  janë  përkushtuar ibadeteve trupore dhe atyre që kanë të bëjnë me pasuri, por disa prej tyre, madje shumica, janë shumë larg dispozitave që kanë të bëjnë me ato ibadete, qofshin ato  trupore, siç janë namazi me llojet e tij të shumta apo ibadete që kanë të bëjnë me pasuri si: zekati, haxhi e kështu me radhë.

Kështu që, disa prej tyre nuk dinë nga ato ibadete vetëm mënyrat dhe format e tyre. Nëse e pyet për ndonjë dispozitë të thjeshtë heziton dhe ndien pasiguri, kështu që kërkon ndonjë dijetar apo myfti që ta largojë dyshimin që ka dhe t’ia zgjidh problemin, edhe pse kjo është e domosdoshme, mirëpo muslimanët duhet të kenë njohuri mbi dispozita të ibadeteve që i kryejnë, në mënyrë që të arrijnë vlerën e fjalës së të dërguarit të Allahut: “Kujt Allahu i dëshiron të mirën, ia mundëson njohjen e fikhut’. Shënon Buhariu dhe Muslimi. E njëkohësisht ta adhurojë Allahun me dituri dhe largpamësi.

Duke pasur parasysh që kjo nuk i mundësohet çdokujt e me qëllim të përhapjes së diturisë dhe shumë çështjeve të tjera kërkoj ndihmën e Allahut në përmbledhjen e disa dispozitave me një medotë të lehtë e të shkurtuar, gjithnjë duke u mbështetur në argumente, ajete kuranore dhe hadithe profetike, e në punime të dijetarëve për afrimin e këtyre dispozitave. Prej këtyre çështjeve është edhe tehijetul mesxhid.

Definicioni i tehijetul mesxhid dhe gjykimi për të 

Ky namaz përbëhet prej dy rekatëve, që i fal ai që hyn në xhami. Ky namaz është sunet me konsensus (ixhma) të dijetarëve, për secilin që hyn në xhami, duke u mbështetur në argumente të përgjithshme.[1]

Kush përjashtohet (lirohet) nga ky namaz

Përjashtohet nga ky namaz ligjëruesi i xhumasë, nëse hyn në xhami për të ligjëruar nuk i falë dy rekatë, po ashtu lirohet përgjegjësi (kujdestari) i xhamisë, ai që i shpeshtohet hyrja dhe dalja (si punëtori që punon në të…), po ashtu nuk është sunet për atë që hyn në xhami e imami veç ka filluar faljen e farzit, apo edhe pas fillimit të ikametit, ngase farzet e mbulojnë këtë namaz.[2].

Disa prej dijetarëve mbajnë qëndrimin se falja e këtij namazi është sunet çdo herë me rastin e hyrjes në xhami edhe në qoftë se përsëritet hyrja shpesh. Këtë qëndrim e mbajnë Neueuiu, shejhul islam Ibn Tejmije dhe ky është qëndrim i medhhebit hanbelij.[3]

Ndërsa Sheukani mendon se ky namaz është i ligjshëm çdo herë me rastin e hyrjes në xhami [4].

Urtësia e praktikimit të këtij namazi

Ky namaz praktikohet në shenjë respekti ndaj xhamisë. Ai është në pozitën e selamit (përshëndetjes) me rastin  e hyrjes në të, po ashtu si në rastin e përshëndetjes së njeriut me mikun e tij kur e takon atë.

Disa çështje që kanë të bëjnë me këtë namaz

Çështja e parë: Ligjshmëria e faljes së këtij namazi në çdo kohë. Këtë mendim e ka zgjedhur Ibn Tejmije, Mexhdudin ebi Berekat, Ibn Xheuzij e të tjerë.[5]

Këtë qëndrim e ka edhe Muhamed bin Salih Uthejmin, Abdulaziz bin Baz.[6]

Çështja e dytë: Koha e këtij namazi është me rastin e hyrjes në xhami, e para uljes, e nëse ulet qëllimisht dhe me dije, atëherë nuk është e ligjshme për të ngritja dhe falja e këtij namazi, ngase i ka kaluar koha.

Çështja e tretë: Kush hyn në xhami dhe është ulur nga mosdija ose ka harruar faljen e këtij namazi, për të është e ligjshme ngritja dhe falja e dy rekateve të këtij namazi, ngase nuk i kalon koha me rastin e uljes për atë që ka arsye, me kusht që kohëndërprerja të mos jetë zgjatur.[7]

Çështja e katërt: Gjykimi mbi këtë namaz është sunet e jo siç kanë thënë disa të tjerë uaxhib. Imam Neueuiu thotë se ekziston  konsensus (ixhma) në mes të dijetarëve.[8]

Çështja e pestë: Kush hyn në xhami e muezini ka filluar thirrjen e ezanit, atëherë ai i përgjigjet myezinit (duke i përsëritur fjalët e tij) dhe e vonon faljen e dy rekateve në mënyrë që të arrijë shpërblimin e përgjigjes së muezinit, përveç nëse ka hyrë në xhami ditën e xhuma e muezini ka filluar thirrjen e ezanit të dytë, atëherë fillon me faljen e dy rekateve ngase dëgjimi i hytbes është më i rëndësishëm.[9]

Çështja e gjashtë: Kush hyn në xhami në ditën e xhuma dhe imami ligjëron, për të sunet është t’i falë dy rekatë tehijetul mesxhid, i shkurton dhe nuk i zgjat,[10] duke u mbështetur në hadithin e të dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!): “Të mos ulet para se t’i falë dy rekatë”|[11]dhe hadithin: “Le t’i falë dy rekatë e mos t’i zgjasë”[12] E nëse ligjëruesi është në përfundim e sipër të fjalimit të tij dhe mendon se nuk do të arrijë fillimin e faljes së namazit, atëherë pret derisa të bëhet ikameti për falje e nuk ulet, në mënyrë që të mos ulet në xhami pa i falur dy rekatë.

Çështja e shtatë: Tehijetul mesxhidin në Mesxhid Haram (Qabe) e zëvendëson  tauafi sipas shumicës së dijetarëve. Neueuiu thotë: “Tehijetul mesxhid në Qabe e zëvendëson tauafi për atë që vjen nga jashtë, ndërsa për banorët e atjeshëm Mesxhidul Haram dhe të tjerët janë të njëjtë”.[13] Ndoshta qëllimi i tij është për atë që nuk dëshiron të bëjë tauaf, ndërsa nëse dëshiron të bëjë taraf, atëherë tauafi e zëvendëson faljen e dy rekateve dhe kjo është e sakta.[14]

Çështja e tetë: Sunetet e mëparshme të ndonjë namazi e zëvendësojnë tehijetul mesxhid, ngase qëllimi i këtij namazi (tehijetul mesxhid) është që ai i cili hyn në xhami të fillojë me namaz, e ky në këtë rast e ka bërë. Nëse vendos (bën nijet) faljen e tehijetul mesxhid dhe sunetit bashkë ose farzit dhe tehijetul mesxhid, arrihen të dyja.[15]

Çështja e nëntë: Tehijetul mesxhid nuk është e lejuar të falet vetëm një rekat, e as të bëhet nijet të falet me namazin e xhenazes, as me sexhden e leximit (sexhde tilaueh) e as me sexhde falënderimi (sexhde shukr).[16]

Çështja e dhjetë: Nëse afrohet koha e ikametit e imami nuk ulet, por vendos të falë këtë namaz me namazin farz, atëherë kjo i mjafton atij.[17]

Ndërsa nëse dëshiron të ulet, atëherë ky namaz është i njëjtë si për të tjerët, ashtu edhe për imamin.

Ndërsa nëse falemi jashtë (si  në shkretëtirë) nuk praktikohet ky namaz.[18]

Çështja e njëmbëdhjetë: Nuk është e ligjshme për imamin falja e këtij namazi para namazit të bajrameve e të xhumasë, mirëpo fillon me hytbe (ligjërimin) ditën e xhuma e me namaz gjatë bajrameve, ngase kjo është praktikë e të dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!).[19]

Çështja e dymbëdhjetë: Sunet është për atë që ka falur farzin e ka hyrë në ndonjë xhami dhe i ka gjetur duke u falur të futet në namaz duke u argumentuar me fjalën e të dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nëse keni falur ju të dy në udhëtimin tuaj e pastaj keni ardhur në xhami e keni takuar xhematin faleni me ata, ngase ai namaz për ju është nafile (vullnetar)”.[20]

Ndërkaq ulja në xhami pas hyrjes apo pritja derisa të përfundojë namazi me xhemat në xhami është në kundërshtim me sunetin.

E lusim Allahun e Lartësuar të na mësojë nga ajo që kemi dobi, e të kemi dobi nga ajo që na ka mësuar!

Përgatiti: Almedin Ejupi

24.03.2007

[1] Shih “Fet’hul Bari”, vëll. II. f. 407.

[2] Shih “Subul Eselam” vëll. 1, f. 320.

[3] Shih “Mexhmu” vëll. IV. f. 75.

[4] Shih “Nejlul Eutar” vëll. III. f. 70.

[5] Shih “Insaf”  vëll. II. f .802. Po ashtu “Muharer” vëll. I. f. 86; “Nejlul Eutar” vëll. III, f. 62 dhe “Mexhmu Fetaua” Ibn Tejmije, vëll. XXIII. f. 219.

[6] Shih “Sherh Mumti” vëll. IV, f. 179.

[7] Shih “Fethul Bari” vëll. II, f. 408.

[8] “Nejlul Eutar”, vëll. III. f. 68.

[9] Shih “Insaf” vëll. I, f . 427.

[10] Shih “Mexhmu Fetaua” vëll. XXIII. f. 219.

[11] Shënon Buhariu nr. 1163 dhe Muslimi nr. 714.

[12] Shënon Buhariu nr. 931dhe Muslimi nr. 875.

[13] Shih “Fet’hul Bari” vëll. II, f. 412.

[14] Shih “Hashijet” Ibn Kasim, vëll. II, f. 487.

[15] Shih “Keshaf Kana” vëll. I, f. 423.

[16] Shih “Keshaf Kana” vëll. I,  f. 424.

[17] Shih “Subul Eselam”  nr. 1329.

[18] “Feuakih el adideh” vëll. I, f. 99.

[19] Shih “Mexhmu” vëll. IV, f . 448.

[20] Shënon Tirmidhiu, f. 219.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit