Askush nuk shkon askund pa u përgatitur, dhe askush nuk e fton musafirin e të mos përgatitet për mirëpritjen e tij/saj. Në mënyrë të ngjashme, ne duhet të përgatitemi edhe për pritjen e ramazanit, muajit të agjërimit.
Në vijim, ja disa këshilla se si të përgatitemi për ramazan:
- Të lexojmë Kuran çdo ditë pas namazit të sabahut.
- Të dëgjojmë lexim të Kuranit.
- Të shkojmë në shtrat më herët, që të mund të zgjohemi për namaz të sabahut.
- Sa më shumë le të jemi me abdest.
- Para gjumit, le ta bëjmë vlerësimin e asaj dite.
- Ta falënderojmë Allahun për veprat e mira të bëra, kurse të pendohemi për mëkatet.
- Të japim sadakë çdo ditë, pavarësisht nga shuma. Le të na bëhet zakon, sikurse ushqimi dhe pija.
- Të falim namaz nafile, p.sh. namaz të natës.
- Të lexojmë librat me tematikë islame, sidomos Kuran, histori (islame), hadith dhe fikh.
- Tu ndihmojmë të tjerëve me diturinë dhe talentin tonë.
- Të mundohemi të shkruajmë artikuj rreth Islamit për muslimanët dhe jo-muslimanët.
- Të shoqërohemi me dijetarë dhe njerëz të devotshëm që të mësojmë prej tyre.
- Të mësohemi të bëjmë mirë dhe t’ua ofrojmë ndihmën tonë të tjerëve për hir të kënaqësisë së Allahut.
Në muajin ramazan, duhet të shmangemi:
- Mos të shikojmë televizorin, por në vend të tij, të lexojmë Kuran dhe literaturë islame.
- Mos të shikojmë imazhe të pa moralshme, qoftë në revista, në katalogje, etj.
- Mos të shikojmë filma (në përgjithësi); por në vend të tyre, le të shkojmë në xhami, në tubime islame, dhe kjo le të na bëhet shprehi e përditshme.
- Mos të hamë tepër ushqime. Le të hamë vetëm kur kemi uri dhe ta lëmë 1/3 e barkut tonë bosh, sipas hadithit të Pejgamberit (savs).
- Mos të konsumojmë (shumë) kafe, çaj dhe pije të gazuara.
- T’i pakësojmë udhëtimet e biznesit aq sa të mundemi, në mënyrë që gjatë ramazanit të jemi sa më afër me familjen tonë.
- Mos të shkojmë vonë në gjumë. Le të shkojmë në shtrat më herët, në mënyrë që të zgjohemi më të lehtë për namaz të natës dhe namaz të sabahut.
– Është shumë më mirë të përgatitemi për ramazan se sa ta presim pasivisht këtë muaj të bekuar. Përgatitja për çdo gjë në jetë është tregues i mençurisë dhe pjekurisë.
Askush nuk mund të jetë i sigurt se a do ta presë ditën e nesërme.
Prandaj, le të nxitojmë dhe t’i shfrytëzojmë begatitë dhe shpërblimet e Allahut.
IslamBosna.ba
Përkthim: Miftar Ajdini