3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Diplomati që ndërmjetësoi emrin e Maqedonisë, Nimetz: Në Ballkan fjala kompromis ka kuptim të keq

Më të lexuarat

Diplomati amerikan Matthew Nimetz ia dedikoi 25 vjet të jetës dhe karrierës profesionale ndërmjetësimit në konfliktin për emrin, midis Shkupit dhe Athinës. Në një intervistë për DW ai flet për këtë periudhë.

DW: Gjatë viteve u propozuan shumë emra për Maqedoninë. A ju kujtohen emrat më interesantë që u diskutuan në tavolinën e bisedimeve?

Matthew Nimetz: Të gjithë menduan se ishte punë e lehtë. Le të ulemi dhe të gjejmë një emër… Propozimi i bërë nga Kombet e Bashkuara, “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, nuk ishte emër për t`ia vënë një vendi. Ishte një emërtim paraprak, deri sa të vendosej për emrin e duhur. Ishte si të thuash sikur unë dhe gruaja ime të lindnim një fëmijë dhe të mos kishim menduar për emrin që do i vinim. Dhe në martenitet do t’i vinin emrin: “i biri i zonjës dhe zotit Nimetz”. Ky nuk është emër që mund t’ i vihet një fëmije. Është një emërtim i vënë në pritje të emrit. Kur fëmija jeton 20 vjet pa emër, ai rritet në një situatë të vështirë. Vendi juaj ngeci në emërtimin e parë që iu dha, gjë që ishte e sikletshme, sepse vinte në pyetje legjitimitetin e tij, krijonte probleme dhe u bë shumë e vështirë për mua si përfaqësues i OKB, sepse më duhej ta përdorja gjithnjë duke thënë çdo herë “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.”

DW: Duke pasur parasysh rezistencën që i bëhet marrëveshjes si në Maqedoninë Veriore ashtu edhe në Greqi, sidomos nga partitë opozitare dhe ato nacionaliste, a mendoni se çështja e emrit është zgjidhur përfundimisht?

Nimetz: Kurrkush nuk mund të flasë me siguri për të ardhmen. Unë nuk besoj se historia ndalon ndonjëherë. Gjërat vazhdojnë. Konfliktet që kanë rrënjë të thella ndryshojnë natyrën, por ato nuk zhduken krejtësisht. Historia e këtij rajoni, rajonit të Maqedonisë, nëse kthehemi mbrapsht në histori në ditët e Aleksandrit të Madh, Perandorisë Romake, Perandorisë bizantine, Perandorisë Osmane, luftërave të Ballkanit dhe çfarë ndodhi në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore, dhe luftën civile greke, më vonë aspiratat e Titos, dhe periudhën komuniste deri në shkëputjen nga Jugosllavia, tregon se ju keni një histori të gjatë dhe se ky rajon është pikë focale. Dhe tani kemi gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit. Por në të dy vendet, siç e thatë edhe ju, njerëzit ndihen sikur kanë dhënë më shumë se ç’duhet për të arritur kompromisin.

Ajo që më zhgënjen pak është një gjë që e kam parë që në fillim. Në SHBA fjala kompromis është një fjalë e mirë. Nëse kemi një diskutim, ne shkojmë në një dhomë tjetër dhe bisedojmë për të gjetur një zgjidhje. Kështu arrijmë në një kompromis. Të gjithë thonë sa mirë. Në Ballkan fjala kompromis ka kuptim të keq. Kurrkush nuk del fitimtar. Ju duhet të hiqni dorë nga diçka, nuk është e nevojshme të hiqni dorë nga gjithçka… Qëndrimi ynë ishte perfekt, që thoshte se nuk duhet të hiqni dorë nga gjithçka.

Megjithëse opozita në të dy vendet është duke luftuar kundër marrëveshjes, unë shpresoj që ju të shihni përpara dhe të mos ktheni kokën mbrapa. Sepse të dy vendet kanë arritur në një marrëdhënie me vendin fqinj, e cila u transformua nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare që u pranua nga e gjithë bota.

Ka shumë çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje. Dhe ju kërkoni të hapni këtë çështje specifike? Çështjet e mëdha për të ardhmen e Maqedonisë Veriore janë afrimi me BE dhe NATO, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i raporteve me vendet fqinje, koordinimi me ndjeshmëri më të madhe i raporteve midis maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë…Dhe ju kërkoni që të ktheheni mbrapsht dhe të filloni të luftoni në Maqedoni për çështjen e emrit?

Dhe Greqia ka shumë çështje me të cilat duhet të ballafaqohet. Ata arritën një zgjidhje të mirë për çështjen e emrit. Unë mendoj se ata morrën gjithçka që kanë kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve, ndryshimin e emrit, Erga Omnes, njohjen e çështjeve historike, rregullimet anti-irredentiste.

Image

Unë mendoj se marrëveshja ka qenë sukses për Greqinë në shumë dimensione. Megjithatë ka disa njerëz në Greqi që janë duke e marrë në dorë këtë sukses diplomatik dhe strategjik dhe janë duke e kthyer në disfatë psikologjike. Ata ndihen të kanë hequr dorë nga diçka, por është e vështirë të kuptosh nga çfarë kujtojnë ata se kanë hequr dorë.

DW: Sipas opozitës greke kompromisi për nacionalitetin dhe gjuhën është problemi më i madh.

Matthew Nimetz: Po, por po të hedhësh vështrimin tek gjuha, ata nuk kanë hequr dorë nga gjuha. Gjuha është gjuhë. Dhe marrëveshja thotë se gjuha është gjuha maqedone. Po të hapësh fjalorin Oxford Dictionary dhe të kërkosh me fjalën Maqedonian, lexon ndër të tjera të thuhet se është gjuha që flitet në rajon. Po të hapësh fjalorin amerikan Merriam Webster, lexon të thuhet që është gjuha e folur në rajonin e Maqedonisë nga njerëzit sllavë. E gjitha ka të bëjë me atë se çfarë thuhet në gjuhën angleze për këtë gjuhë. Unë jam munduar tu shpjegoj grekërve se kjo nuk është diçka ku ata janë duke bërë lëshime. Është vetëm diçka që tregon çfarë kuptimi ka kjo fjalë në gjuhën angleze.

Shpesh, mendoj se sikur të kisha qenë vërtet i zgjuar duhet ta kisha shkruar marrëveshjen në gjuhën kineze, sepse gjuha kineze është një nga gjuhët zyrtare të OKB, kështu që ju mund ta bëni një marrëveshje në çfarë do lloj gjuhe zyrtare të OKB. Nëse do e kishim bërë marrëveshjen në gjuhën kineze, do e kishim mënjanuar këtë problem. Asnjë njeri në Greqi apo në Maqedoninë Veriore, nuk do e kishte kuptuar çfarë do të thuhej në të.

Unë jam duke u munduar t’ua shpjegoj miqve të mi grekë: Ju nuk po ia jepni atyre këtë gjë, kjo është vetëm mënyra me të cilën bota përdor gjuhën. Gjuha e tyre është makedonski dhe në anglisht kjo përkthehet macedonian. Unë nuk jam duke bërë asgjë, as ju nuk jeni duke bërë ndonjë gjë, kjo është vetëm mënyra se si zhvillohet gjuha. Por grekët mendojnë se duke e pranuar këtë janë duke hequr dorë nga diçka. Dhe unë mendoj se ata nuk janë duke hequr dorë nga asgjë.

DW: Ju folët për historinë. Ju përmendët historinë e Ballkanit dhe aspiratat e Titos pas Luftës së Dytë Botërore dhe luftës civile në Greqi. A mendoni se Lufta Civile në Greqi ka qenë faktikisht forca nxitëse e konfliktit dhe jo historia antike e Aleksandrit të Madh?

Matthew Nimetz: Unë mendoj se ky është një aspekt i rëndësishëm. Dhe mendoj se njerëzit, përfshirë edhe ata në Perëndim nuk e kuptojnë qëndrimin e Greqisë në këtë çështje, që Veriu i Greqisë i është bashkuar Greqisë vonë në histori.

Ne në Amerikë mendojmë gjithnjë për Greqinë që u bë e pavarur nga otomanët më 1821, por kjo ka pasur të bëjë vetëm me pjesën e poshtme të Greqisë. Pjesa e Greqisë për të cilën po flasim u bashkua më 1912-1913 dhe ka popullsi shumë të përzier, shumë prej të cilëve janë sllavë, por edhe turq dhe shqiptarë dhe vllehë dhe hebrej, po ashtu si grekë. Dhe lufta civile greke midis atyre që ne i themi ishin në anën e komunistëve, dhe që ne në Amerikë mendojmë se ishte luftë midis forcave komuniste dhe forcave demokrate, u zhvillua në këtë rajon. Partizanët e Partisë Komuniste ishin kryesisht sllavë dhe ata përparuan e u tërhoqën dhe morrën ndihmë edhe nga Tito kur ai ishte ende i lidhur me Bashkimin Sovjetik.

Kështu që në mendjen e grekërve veriu nuk ka qenë vetëm një çështje e imagjinuar, por ka qenë një shqetësim real që kjo Republik e re e Maqedonisë që po këmbëngul në përdorimin e emrit Republik e Maqedonisë mund të rindezë aspiratat e vjetra. Kjo është arsyeja pse ata janë shumë sensitivë kur flitet për minoritetin maqedon në veri të Greqisë. Sepse minoritetet në Ballkan gjithnjë nënkuptojnë një lloj aspirate të atdheut mëmë për të mbrojtur minoritetin në një mënyrë ose një tjetër. Unë nuk mendoj se ky është problemi i vetëm, por mendoj se është një nga çështjet që ka shumë peshë në mënyrën e të menduarit dhe që i bën ata shumë të irrituar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit