1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Diplomatët perëndimorë presin shtensionim pas takimeve të Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel

Më të lexuarat


Një ditë pas takimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, me bartësit e dialogut nga Kosova dhe Serbia, diplomatët në Bruksel shpresojnë që këto takime të arrijnë uljen e tensioneve dhe që palët të kthehen në procesin e normalizimit të raporteve.

Disa diplomatë nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, me të cilët ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, u shprehën se mbështesin kërkesat që Borrell u ka parashtruar të enjten kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i 22 qershorit në Bruksel ishte takim urgjent për menaxhimin e krizave, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kërkesat që Borrell u ka parashtruar liderëve kanë të bëjnë me tërheqjen e menjëhershme të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Kërkesa tjetër ka të bëjë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në to.

“Nëse këto hapa bëhen, atëherë do të arrihet ulja e tensioneve dhe të krijohet një atmosferë në të cilën gradualisht do të adresohen çështjet tjera nga dialogu, e këtu gjithsesi është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes”, tha një diplomat evropian.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Që atëherë serbët vazhdimisht kanë protestuar. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Nga përleshjet, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

Tensionet u përkeqësuan edhe më shumë më 14 qershor, kur forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës. Serbia thotë se arrestimi u krye “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.

Kosova dhe faktori ndërkombëtar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve.

Diplomatët thanë se e kanë të qartë se palët e kanë kuptuar seriozitetin e situatës, por kanë përshtypjen se secila palë po pret që pala tjetër të ndërmarrë hapa. Edhe Borrell pas takimit të enjten mbrëma u shpreh se “nuk po diskutohet më se çfarë duhet bërë, por kur dhe si”.

Gjithsesi, diplomatët me të cilët bisedoi REL-i, pranuan se mbajtja në paraburgim në Serbi e tre policëve të Kosovës po rëndon shumë raportet, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tyre.

Disa diplomatë thanë se “nuk duhet shikuar doemos si dështim fakti që Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar”, duke shtuar se “nganjëherë është më mirë të mos ketë takime [dypalëshe] sesa që të ketë takime në të cilat, për shkak të tensioneve, ndodhin më shumë mospajtime se pajtime”.

Javën e ardhshme, krahas vazhdimit të kontakteve të zyrtarëve të bllokut evropian me Kosovën dhe Serbisë, raportet mes këtyre dy shteteve do të jenë temë e disa diskutimeve në Bruksel.

Së pari për këtë çështje do të diskutojnë ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare gjatë takimit të tyre në Luksemburg më 26 qershor. Për situatën aktuale, kryediplomatët evropianë do të informohen nga Borrell.

Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për hapat e radhës që duhet të ndërmerren nga BE-ja nëse palët vazhdojnë të mos përfillin kërkesat për uljen e tensioneve.

Më pas, më 27 qershor, i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe drejtori i përgjithshëm në Komisionin Evropian për zgjerim, Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim të Parlamentit Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky diskutim do të mbahet në Komisionin e politikës së jashtme dhe pritet të flitet për takimet e fundit me Kurtin dhe Vuçiqin, por edhe për masat që KE-ja veçse ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si sanksione për shkak të rritjes së tensioneve në pjesën veriore të shtetit.

Në BE kanë paralajmëruar për masa të reja, nëse situata nuk ndryshon.

Në samitin e liderëve të BE-së, përkatësisht në takimin e Këshillit Evropian, po ashtu tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë debati. Trajtimi i kësaj çështjeje, sipas diplomatëve, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin në nivelin më të lartë të BE-së dhe shteteve anëtare për situatën në Kosovë.

Në këto takime, sipas burimeve diplomatike, pritet që Kosovës dhe Serbisë t’u bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe rikthim në dialog. Po ashtu, dy shteteve pritet t’u tërhiqet vërejtja edhe për pasojat me të cilat mund të përballen nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në tekstin e draftit i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së. Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe Aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian”, thuhet në tekst.

“Si hap i radhës, vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe zbatimi i shpejt i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i aneksit janë të domosdoshme. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksohet në draft.

Sipas këtij drafti, BE-ja pret veprime të shpejta dhe të menjëhershme nga palët, gjë që sipas tyre do të çonte deri te ulja e tensioneve dhe kthimi i një normaliteti në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit