2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Dinari vë në sprovë marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Më të lexuarat

Rreziku i prishjes së partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së shqetësoi një pjesë të opinionit publik, që marrëdhëniet mes dy vendeve i konsideron si “ekzistenciale”.

“Kush nuk e kupton këtë, nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”, tha Avdullah Hoti, deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë, megjithatë, bënë përpjekje t’i ulin shqetësimet, duke këmbëngulur se ata “konsultohen dhe koordinohen me aleatët”. Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova “nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-ja”.

Reagimet u bënë një ditë pasi ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se SHBA-ja “është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb” në Kosovë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

Rregullorja e BQK-së për valutën

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bën euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë.

Ajo nxiti reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia që nga paslufta më 1999.

Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që ta shtyjë, derisa qytetarët të informohen më mirë.

BQK-ja tha se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse po e konsideron zmbrapsjen, ashtu siç e kërkoi O’Brien.

Por, kryeministri Albin Kurti, duke folur të mërkurën në një ngjarje në Prizren, tha se Banka Qendrore e Kosovës e ka prezantuar tashmë planin e saj për zbatimin e rregullores.

 

Plani prej 10 pikësh parasheh, mes tjerash, lehtësimin e kushteve për hapjen e llogarive bankare dhe pezullimin e përkohshëm të tarifës së BQK-së për hapje të degëve të bankave.

Qeveria “nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura shtetërore, sikurse që është Banka Qendrore e Kosovës”, tha Kurti dhe shtoi se partneriteti i Kosovës me SHBA-në nuk është në rrezik.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha ai.

Çka thotë opozita?

Për Ariana Musliu Shoshin, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, partneriteti me SHBA-në nuk bën të lëkundet assesi.

Sipas saj, ky partneritet është shumë më i vlefshëm se çdo vendim për çfarëdo të drejte të Kosovës.

“… sepse, vetëm në partneritet me SHBA-në, ne mund të arrijmë ta fuqizojmë subjektivitetin ndërkombëtar, por edhe politikën e brendshme”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Musliu Shoshi shton se askush prej aleatëve të Kosovës, përfshirë SHBA-në, nuk ka deklaruar se Kosova nuk ka të drejtë të marrë vendime që janë në përputhje me ligjin, porse për të gjetur zbatim, “ato duhet të jenë të koordinuara me aleatët”.

Avdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu në opozitë, tha se deklarimet e ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, O’Brien, duhet të merren me shumë shqetësim.

“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë, nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve. Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim që t’i mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.

“Veprimet e Qeverisë [së Kosovës] duhet të jenë në harmoni me qëndrimet e aleatëve të saj ndërkombëtarë”, këmbënguli edhe deputetja tjetër opozitare, Time Kadrijaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Çka thonë analistët?

Derisa përfaqësuesit e opozitës nuk e thonë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse Qeveria duhet ta tërheqë vendimin ose jo, disa analistë janë më të prerë – “Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë dhe të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e dinarit”, thotë Agon Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, deklaratat e O’Brienit përmbajnë “tone kërcënuese” dhe “shoqërohen me një lloj zhgënjimi” me kryeministrin Kurti.

“[Tërheqja] mund të jetë problematike në aspektin e brendshëm, pra për ta arsyetuar këtë gjë, por mendoj se me vullnet politik ka hapësirë për tërheqje nga ky vendim”, thotë Maliqi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme me mënyrën se si i ndërton raportet me një partner strategjik, siç është SHBA-ja.

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, nuk e përjashton mundësinë që SHBA-ja të vendosë sanksione kundër Kosovës, por thekson se “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.

“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, thotë Kanin.

Veprimet e Kurtit, sipas tij, “e ndihmojnë Serbinë” dhe “bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën” – fshatin në veri të Kosovës, ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në shtator të vitit të kaluar, duke vrarë një polic.

Kanin thotë se SHBA-ja, me mbështetjen e së cilës Kosova shpalli pavarësinë 16 vjet më parë, “është mbrojtëse e Kosovës”.

 

Në Prishtinë pro ndalimit të dinarit, kundër rrezikimit të raporteve me SHBA-në

Si hynë dinarët në Kosovë?

Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.

Por, për vite me radhë, dinarët arritën në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.

Disa ia vunë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë.

Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e përmendi integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores së re.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit