Frithjof Schuon
PADREJTËSIA është një sprovë, por sprova nuk është padrejtësi. Padrejtësitë vijnë nga njeriu, ndërkohë që sprovat vijnë nga Zoti; ajo çka nga ana e njerëzve është padrejtësi, dhe rrjedhimisht, ligësi, është sprovë dhe fat nga ana e Zotit. Dikush ka të drejtën, apo në disa raste madje dhe detyrën, të luftojë një ligësi të veçantë, por ai duhet t’i dorëzohet sprovës dhe duhet të pranojë fatin; me fjalë të tjera, është e domosdoshme të kombinohen këto dy sjellje, po qe se çdo padrejtësi së cilës ne i nënshtrohemi në duart e njerëzve është në të njëjtën kohë një sprovë që na vjen nga Zoti.
Në dimensionin horizontal apo tokësor, njeriu mund të arratiset nga ligësia duke e luftuar atë dhe duke e tejkaluar atë; në dimensionin vertikal apo shpirtëror, përkundrazi, njeriu mund të shpëtojë, në mos nga sprova si e tillë, të paktën nga rëndesa e saj, duke e pranuar të ligën si vullnet hyjnor, ndërkohë që e transcendenton atë së brendëshmi deri në masën që është lojë kozmike, pikërisht siç dikush mund të transcendentojë shpirtërisht çdo manifestim tjetër të Maya-s. Pasi poterja e botës nuk hyn në Heshtjen Hyjnore që ne e bartim në thellësitë tona dhe brenda së cilës, ashtu si aksidencat brenda lëndës, edhe bota edhe egoja shuhen e përthithen.
Njeriu ka detyrën t’i dorëzohet vullnetit të Zotit, por nëpërmjet të njëjtës shenjë ai ka të drejtën të kalojë shpirtërisht vuajtjen e shpirtit deri në masën që kjo është e mundur për të; dhe pikërisht kjo, nuk është e mundur pa një qëndrim paraprak pranimi dhe dorëzimi, i cili thjesht sa çliron plotësisht prehjen e inteligjencës dhe që thjesht sa e hap shpirtin ndaj ndihmës nga Qielli.
Është fort e bindshme se Zoti mund të na sjellë vuajtje ashtu që ne të mund të rrokim sa më mirë vlerën e Hirit të tij çlirues, dhe kështu që ne mund ta shtrëngojmë veten me një zjarrmi përherë e më të madhe për t’iu përgjigjur kërkesave të Mëshirës së Tij. Kur njeriu është i pavetëdijshëm se po mbytet, ai nuk shqetësohet të thërrasë për ndihmë; por shpëtimi varet nga thirrja jonë, dhe përfundimisht nuk ka asgjë më tepër ngushëlluese se sa kjo thirrje e besimit apo e sigurisë.
***
Është e rëndësishme të mos ngatërrohen dy dimensionet për të cilat sapo kemi folur: fakti se Zoti duhet të na dërgojë një sprovë nuk e pengon këtë nga mundësia e të qënit një padrejtësi në rrafshin njerëzor; dhe fakti se njerëzit duhet të na trajtojnë padrejtësisht nuk e pengon këtë nga të qënit drejtësi nga ana e Zotit. Pra ne na duhet të shmangim dy gabime: të besuarit se një ligësi, në rrafshin e saj, është diçka e mirë, për shkak se Zoti na e dërgon neve, apo për shkak se Zoti e lejon atë, apo për shkak se gjithçka vjen nga Zoti; dhe të besosh se një sprovë si e tillë, është një ligësi, për shkak se e tillë është në formën e saj, dhe për shkak se ne vuajmë nga ajo, do të ishte po aq e rreme të besohej se ne meritojmë drejtëpërdrejt një padrejtësi për shkak se Zoti e lejon atë, pasi nëse do të bëhej fjalë për një rast të tillë, nuk do të kishte padrejtësi dhe e padrejta do të ishte e drejtë; do të ishte po aq e rreme të imagjinohej se ne nuk meritojmë një sprovë pasi ne nuk kemi bërë asgjë që, logjikisht, ta ketë provokuar atë.
Në realitet, shkaku I sprovave tona është I gdhendur në vetë realitetin tonë, dhe për pasojë në faktin se ne jemi qënie apo individë të rastësishëm; nuk është nevoja t’i drejtohemi teorisë së rimishërimit të karmas së mirë apo të keqe për të ditur se rastësia nënkupton skaje dhe plasaritje të mprehta, dhe se nuk vepron kështu në varg apo në njëkohshmëri. Mundësia kozmike që përbën individualitetin ajo çka duhet të jetë, në kufizimet saj si dhe në përmbajtjen e saj pozitive, dhe në mundësitë e saj e të kapërcyerit të vetes: e fundme dhe kalimtare në konturet e saj, ajo është e pafundme dhe jokalimtare në substancën e saj, dhe andaj sprovat bartin brenda vetes njëmendësinë e çlirimit. Ato janë pra lajmëtaret e një lirie që, në realitetin tonë të pandryshueshëm dhe imanent, nuk ka reshtur së qëni, por që errësohet nga retë e rastësisë së lëvizshme, me të cilën shpirti inteligjent identifikon gabimisht vetveten në një mënyrë të caktuar.
Është e saktë të thuhet se askush nuk i shpëton fatit të tij; por është e drejtë të shtohet një vërejtje e kushtëzuar, gjegjësisht se fataliteti përmban shtresa të ndryshme, për shkak se natyra jonë është e tillë. Fati ynë është i mvarur nga niveli personal – i lartë apo i ulët – ku ne ndalemi, apo ku ne kyçim veten tonë; pasi ne jemi ajo çka ne duam të jemi dhe ne i nënshtrohemi asaj që jemi. Konkretisht, kjo do të thotë se fati mund të ndryshojë, në mos në stil të paktën në mënyrë apo në intensitet, varësisht nga ndryshimi i nivelit që ngritja shpirtërore mund të punojë brenda nesh(1).
Kjo shpjegon përse muslimanët, të cilët janë plotësisht të ndërgjegjshëm për paracaktimin (kaderin), gjithësesi mund të luten që Zoti të fshijë të keqen që është e gdhendur mbi pllakën e fatit të tyre. Në një mënyrë të përgjithshme, ata nuk mund të luten – logjikisht dhe në mënyrë të arsyeshme – për çfarëdoqoftë, nëse në paracaktim nuk do të kishte disa caqe, mënyra apo grada të jetësimit, shkurtimisht, një lloj jete e brendshme, e kërkuar nga Liria Hyjnore, që kompenson kristalitetin e ‘asaj që është e shkruar’. Kjo gjithashtu shpjegon përse të dhënat astrologjike mbeten të fiksuara vetëm në masën që njeriu i shpërfill apo refuzon t’i kapërcejë ato; këto gjëra mbase vështirë se mund të rroken me arsye, por nuk janë absolutisht më të mistershme se sa pakufizimi i hapësirës dhe kohës, apo se sa unikaliteti emprik i egos sonë, dhe paradokse të të njëjtit tip që ne nuk kemi zgjedhje tjetër veçse t’i pranojmë.
***
Të kapërcyerit e vetes: ky është imperativi i madh i konditës njerëzore; dhe ka një tjetër që e pararend atë dhe në njëjtën kohë e zgjat atë në kohë: të sunduarit e vetes. Njeriu i fisëm është ai që sundon vetveten; njeriu i shenjtë është ai që e kapërcen vetveten. Këto janë dy dimensionet – njëri horizontal dhe tjetri vertikal – për të cilët ne aluduam kur folëm rreth padrejtësive dhe sprovave: dimensioni i parë është ai i njeriut tokësor dhe i drejtuar për kah jashtë, i dyti ai i njeriut qiellor apo të drejtuar për kah brenda. Detyrimi për të sunduar vetveten, dhe a fortiori për të kapërcyer vetveten, është i gdhendur në inteligjencën dhe vullnetin e njeriut, pasi kjo inteligjencë është e plotë dhe ky vullnet është i lirë: duke qenë i plotë dhe i lirë, shpirti njerëzor nuk ka asnjë zgjedhje tjetër pozitive përveç të sunduarit të vetvetes në mënyrë që të jetë në gjendje të kapërcejë vetveten. Inteligjenca dhe vullneti ynë janë të përpjesshme me Absoluten, ashtu që prirja jonë si njerëz përcaktohet ekzistencialisht nga kjo marrëdhënie; pa këtë, njeriu nuk do të ishte njeri. Fisnikëria dhe shenjtëria janë domosdoshmëri të gjendjes njerëzore.
Njeriu duhet të dominojë vetveten, sepse, si qendër, atij i bëhet thirrje të sundojë periferinë: nëse Zoti në Zanafillë ia transferoi njeriut sundimin mbi të gjitha krijesat e tjera tokësore, kjo do të thotë se njeriu, duke qenë i përgjegjshëm dhe i lirë, duhet mbi të gjitha të dominojë vetveten, pasi ai zotëron në shpirtin e tij një periferi dhe një qendër gjithashtu; askush nuk mund të udhëheqë të tjerët pa qenë më parë në gjendje të udhëheqë vetveten. Njeriu është me përkufizim një kozmos i plotë, ndonëse i reduktuar, dhe kjo shprehet pikërisht nga termi ‘mikrokosmë’(a); shpirti duhet të dominojë fuqitë pasionante të shpirtit dhe duhet të mbajë nën vëzhgim elementët e tij të errët, ashtu që mikrokosmi të mund të realizojë përsosmërinë e makrokozmit(2). Në rrafshin e përvojës së përditshme, është mjaft e qartë se arsyeja duhet të sundojë ndaj ndjenjës dhe imagjinatës, dhe se arsyeja nga ana e saj duhet t’I bindet intelektit, apo besimit; ky I fundit luan rolin e intelektit te jometafiziku, që absolutisht nuk do të thotë se mungon te metafiziku; në rastin e tij është zgjatja psiqike e shaktit(b) të dijes, dhe jo një credo quia absurdum est e thjeshtë (3).
Por sundimi mbi vetveten varet gjithashtu nga një realitet jothelbësor, gjegjësisht nga fakti se individi ekziston në shoqëri. Meqënëse inteligjenca njerëzore është e aftë për transcendencë dhe rrjedhimisht për objektivitet, njeriu arratiset nga solipsizmi kafshëror dhe kupton se ai nuk është i vetmi që është ‘unë’: rezultati i kësaj, normalisht apo me prirje, është virtyti i bujarisë, nëpërmjet të cilit njeriu vërteton se vullneti i tij është i lirë. Liria e vullnetit rezulton drejtëpërdrejtë nga tërësia e inteligjencës: meqënëse kjo e fundit është e zonja për objektivitet dhe transcendencë, vullneti është domosdoshmërisht i aftë për liri.
Nëse inteligjenca jonë na detyron të sundojmë vetveten, për shkak se më e larta duhet të sundojë më të ultën dhe për shkak se shpirti brenda nesh kërcënohet nga pasionet dhe veset, inteligjenca na detyron a fortiori të kapërcejmë vetveten: pasi inteligjenca, siç e kemi përkufizuar, kupton domosdoshmërisht që njeriu nuk e ka qëllimin e tij në vetvete, dhe se për pasojë ai mund ta gjejë kuptimin dhe plotësinë e tij vetëm në atë që përbën arsyen e tij të ekzistencës. Transcendenca nuk është thjesht rezultati i arsyetimit njerëzor; e kundërta e kësaj është e vërtetë. Nëse njeriu është në gjendje të arsyetojë sipas të dhënave të transcendencës dhe nëse ky arsyetim imponohet mbi mendjen e tij kur kjo e fundit është besnike ndaj prirjes së tij, kjo ndodh sepse transhendenca është e gdhendur në vetë substancën e inteligjencës njerëzore, apo dikush mund edhe të thotë: sepse inteligjenca jonë është e bërë prej transhendencës. Ngjashmëria jonë me Zotin nënkupton që shpirti ynë është bërë prej absolutes, vullneti ynë prej lirisë dhe shpirti ynë prej bujarisë; të sundosh vetveten dhe të kapërcesh vetveten do të thotë të heqësh shtresën e akullit apo të errësirës që mban të burgosur natyrën e vërtetë të njeriut.
Shënimet e autorit
- Për shembull, një aksident I lehtë mund të zëvendësojë një aksident të rëndë; vdekja shpirtërore mund të zëvendësojë vdekjen fizike; një pakt inicimi mund të ndërhyjë në vend të një pakti martese, apo anasjelltas.
- Apo e ‘Njeriut Universal’, siç do të thonin sufitë. Universi, në hierarki dhe ekuilibër të përkryer, personifikohet te Profeti.
- E citojmë këtë frazë të Tertullianit në kuptimin e saj të thjeshtë, por ajo ka mundësi për një interpretim më të hollësishëm që e lidh atë me credo ut intelligam të Shën Anselmit. Në fak, linja e demarkacionit ndërmjet mendjemprehtësisë dhe besimit është një çështje komplekse dhe përsëritet në nivele të ndryshme.
Shënimet e përkthyesit
- Mikrokosmë – diçka në miniaturë
- Shakti – parimi femëror i energjisë hyjnore
Përktheu: Ariol Gun