3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Digjen dy vetura të Komunës së Zveçanit

Më të lexuarat

Dy vetura, në pronësi të Komunës së Zveçanit, janë dëmtuar nga zjarri, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:40 të mëngjesit të 26 korrikut. Veturat, që u dogjën, ishin para ndërtesës të Komunës së Zveçanit.

“Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie, ndërsa të lënduar nuk ka”, tha Elshani shkurt për REL-in.

Ai po ashtu shtoi se policia është duke punuar që të zbardhë këtë rast.

Vetura e djegur e parkuar para ndërtesës së Komunës së Zveçanit.
Vetura e djegur e parkuar para ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë, që janë të banuara me shumicë serbe. Në këtë pjesë të territorit të Kosovës edhe në të kaluarën ka pasur djegie të veturave dhe dëmtim të pronës.

Në qershor të këtij viti u raportua për djegien e dy veturave me targa serbe në Mitrovicë të Veriut.
Ndërkaq, në fillim të prillit, një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës iu dogj vetura në Mitrovicë të Veriut.

Në mars u regjistruan dy djegie të pronave të serbëve në Kosovë. Një lokal, në pronësi të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, u dogj më 8 mars. Ajo, dhe autoritetet e sigurisë, thanë se zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme.

Ndërkaq, më 24 mars u dogj një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Radosavleviq i tha Radios Evropa e Lirë se beson që zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe se motivi ishte politik.

Raste me djegien e makinave u regjistruan veçanërisht shumë në fund të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, kur u bë procesi i riregjistrimit të veturave me targa të Kosovës. Për këtë arsye, persona të panjohur dogjën disa vetura me targa RKS (Republika e Kosovës).

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit