Shoqëria Ndërkombëtare të Energjisë Diellore ka prezantuar potencialin diellor të Turqisë në panairin “Intersolar Europe”, në Mynih të Gjermanisë…
Shoqëria Ndërkombëtare të Energjisë Diellore (ISES) ka prezantuar potencialin diellor të Turqisë.
Seksioni Turk i Shoqërisë Ndërkombëtare të Energjisë Diellore (GUNDER ose ISES Turkey) u prezantoi potencialin e Turqisë në fushën e energjisë diellore investitorëve të huaj në panairin “Intersolar Europe”, i cili renditet mes atyre më në zë të sektorit dhe këtë vit u organizua në Mynih të Gjermanisë, në datat 31 maj – 2 qershor.
Përmes prezantimit me titull “Dielli i Turqisë”, investitorëve të pranishëm në panair iu shpjegua se hapësira gjeografike e Anadollit ka një potencial mjaft më të lartë sesa shumë vende evropiane në lidhje me energjinë diellore.
Falë sidomos afrisë fizike me rajonin e MENA-s (Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut), i cili njihet për potencialin më të lartë në botë sa i përket energjisë diellore, Turqia zotëron kapacitetin e nevojshëm për t’u bërë një qendër investimesh, ku kompanitë pioniere të këtij sektori mund të transferojnë akumulimin, produktet dhe linjat e tyre të prodhimit.
Turqia, vend që ka për momentin rreth 830 MW fuqi të instaluar në energjinë diellore, synon të arrijë kapacitetin e 5.000 MW deri në vitin 2023.
Në kuadër të projektit të Hapësirës së Burimeve të Rinovueshme, në zonën e quajtur Karapinar të provincës Konya parashikohet që në 36 muaj kohë të instalohet një impiant i përqendrimit të energjisë diellore me kapacitet 1.000 MW, si dhe të ndërtohet një fabrikë për prodhimin e pajisjeve vendase për shfrytëzim në gjenerimin e energjisë së riciklueshme.