0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Diaspora nuk do ta paguajë sigurimin kufitar për vetura

Më të lexuarat

Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, nga dita e enjte, (1 korrik) nuk do paguajnë sigurimet kufitare kur hyjnë në Kosovë, ka bërë të ditur ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Prej sot, mërgata nuk ka nevojë të paguajë për policën kufitare. Me marrëveshjen e arritur me Bankën Qendrore dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, Qeveria mbulon çmimin e reduktuar për 35 për qind. Nëse llogariten edhe kursimet e tarifave bankare, me këtë marrëveshje do të kursehen mbi 3 milionë euro”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura, është dashur të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Mbështetja për mërgatën me vlerë prej pesë milionë euro, është paraqitur edhe në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të publikuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës.

Në pako thuhet se do mbulohet kostoja e reduktuar e policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhet përfundimisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit