Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, këtë të martë pritet që të prezantojë para deputetëve një raport mbi rrjedhën e negociatave midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.
Vuçiç ka bërë me dije se deputetët e kuvendit të Serbisë do të njihen me të gjitha detajet e dialogut, pritet që fjalimi i tij në parlamentin serb të zgjasë edhe më shumë sesa kur ai foli për këtë temë për herë të parë në maj të vitit 2019.
Ndryshe, fjalimi i tij kishte zgjatur pak më pak se tre orë.
Mediat serbe bëjnë me dije se në fjalimin e parë të Vuçiç në parlament dy vite më parë ai ka paralajmëruar anëtarët e parlamentit serb në atë kohë se Serbia nuk kishte vend për vetëmashtrim, përralla dhe idhuj të rremë.Sidoqoftë, në fjalimin e tij, Vuçiç nuk kishte ngurruar edhe të ndillte frikë.
“Është çështje e momentit kur shqiptarët do të sulmojnë serbët. Është çështje ditësh dhe muajsh sepse ata nuk mund të durojnë më”, ka thënë ai.
Megjithatë, fjalimi i tij tre orësh shoqërohej shpesh me duartrokitje dhe pothuajse nuk kishte asnjë pyetje të pakëndshme, sepse opozita demokratike e atëhershme, e cila bojkotoi punën e parlamentit, ndoqi seancën nga holli i Parlamentit.
Por siç parashikojnë mediat serbe, në seancën e ardhshme do të marrin pjesë vetëm disa opozitarë, kryesisht nga pakicat, të cilët besojnë se asgjë epokale nuk do të dëgjohet gjatë fjalimit të ri të Vuçiç në parlament, si herën e kaluar, përveç ndoshta deklaratës se dialogu nuk dha ndonjë rezultat të veçantë dhe se koordinimi i presioneve ndaj Serbisë për të njohur Kosovën është rritur.
Veç kësaj, edhe përfaqësuesit e opozitës jo-parlamentare besojnë se atmosfera në seancën e asamblesë do të ngjajë me Bordin Kryesor të Partisë Progresive Serbe, se do të ketë duartrokitje dhe lavdërime për presidentin, por që nuk do të ketë përfundime.
Në thelb, siç deklarojnë bashkëbiseduesit e mediumit serb, Vuçiç mund të përsërisë mesazhet nga viti 2019, të vazhdojë të avokojë për kompromis, të jetë në favor të dialogut, se është nën presion të madh dhe të ketë nevojë për unitet kombëtar. /abcnews.al