-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Dialogu Kosovë-Serbi, normalizim i marrëdhënieve apo bllokim?

Më të lexuarat

Kosova dhe Serbia në javën e fundit ashpërsuan retorikën politike me akuza dhe kundër akuza dhe ndaluan vizitat e ndërsjella të zyrtarëve qeveritarë, duke bërë kështu që të reagojë edhe Bashkimi Evropian.

Autoritetet e Prishtinës i ndaluan hyrjen në Kosovë kreut të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh edhe drejtues i delegacionit serb për dialogun me Kosovën.

MPJ: Petkoviq përdor gjuhë nxitëse

Ministria e Punëve  të Jashtme të Kosovës, tha se “Petkoviq pavarësisht se në vazhdimësi ka dhënë garanci se do të përmbahet nga deklaratat nxitëse, në vizitat e tij të fundit në Kosovë, ai ka bërë deklarata provokuese”.

“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tre vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thanë zyrtare të qeverisë së Kosovës.

Petkoviq: Ndalimi i vizitës i “pakuptimtë”

Petar Petkoviq kishte planifikuar të qëndrojë dy ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një manifestim në Manastirin e Deçanit. Ai tha se ndalimi për të hyrë në Kosovë është i “pakuptimtë”. “Kjo është hera e katërt që autoritetet në Prishtinë pengojnë vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi. Për këtë shtrohet pyetja nëse faktorët ndërkombëtarë janë të gatshëm të frenojnë Albin Kurtin në fushatën e tij destruktive kundër gjitha arritjeve të Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Me çdo lëvizje që po bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu”, thuhej në reagimin e zyrës së Petkoviqit.

Edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq u shpreh për ndalimin e vizitës së Petkoviqit duke kërkuar reagimin e BE-së. “Gjëja më e çuditshme në këtë situatë është se ky ndalim ndodh vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian i bëri thirrje në mënyrë eksplicite Prishtinës që të respektojë marrëveshjet dhe ta lejojë Petkoviqin të vizitojë Kosovën”, u shpreh Brnabiq. Kryeministrja serbe i drejtohet Bashkimit Europian:”Unë pyes Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar, deri kur është kështu? Sa kohë mendoni se e toleroni këtë sjellje të Prishtinës?”

Sipas mediumit serb Novosti, Brnabiq i është drejtuar me një kërkesë BE-së: “Kërkoj nga Bashkimi Evropian që të përcaktojë qartë sjelljen e Prishtinës dhe në fund të na bëjë të ditur nëse qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe sigurimi i një jete normale për popullsinë e saj në Kosovë, apo nëse këto janë bisedime që janë qëllim në vetvete.”

Serbia kundërpërgjigjet

Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy ditë pas, Qeveria e Serbisë nuk lejoi një vizitë të katër ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës dhe vendimin për ndalim, autoritet serbe ua komunikuan autoriteteve kosovare vetëm disa orë para nisjes, Vizita ishte parashikuar të zhvillohej nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, ministrja e Arsimi, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se vizita në Luginë të Preshevës ishte planifikuar shumë kohë më parë dhe refuzimi nga ana e Beogradit ishte pa ndonjë arsye.

“Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd u refuzua pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë. Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye për refuzimin”, shkroi Liburn Aliu. Sipas tij refuzimi i kërkesës për vizitë në Luginë të Preshevës “është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shkroi Aliu.

BE: Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet

BE ka reaguar pas situatës së krijuar me ndalimin e vizitave të ndërsjella të zyrtarëve kosovarë në Serbi dhe atyre serbë në Kosovë. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se “Prishtina dhe Beogradi duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve”. Njëra ndër marrëveshjet është edhe lejimi i vizitave të njoftuara më parë në vendet përkatëse të zyrtarëve të të dyja vendeve.

“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, tha Peter Stano. Ai thotë se “sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojnë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kthim në dialog?

Autoritetet ndërkombëtare vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen tavolinës së dialogut për normalizim marrëdhëniesh. Vetëm brenda dy javësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi dy herë në telefon me të ngarkuarin e SHBA-ve për mbikëqyrjen e politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një njoftim të kryeministrisë së Kosovës një ditë më parë  thuhet se “SHBA-të janë të përkushtuara që të ketë përparim në dialog dhe mbështesin Kosovën dhe synimet e saj drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”.

“Gjatë bisedës telefonike u diskutua edhe rreth bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti tha se Kosova angazhohet për një dialog parimor, drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në qendër të së cilës është njohja reciproke. Ndërkaq, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Escobar u shpreh se ShBA-të mbështesin këtë proces dhe janë të përkushtuara që të ketë përparim drejt qëllimit final të tij.

Pritet para fundit të këtij viti të ketë një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuҫiq, por kjo akoma nuk është konfirmuar. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se “Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve”. “Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, kemi pasur shumë tensione gjatë verës. Situata është më e qetë së fundi. Por ka nevojë që dialogu të rikthehet sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”, tha Josep Borrell. Një javë më parë në Prishtinë dhe Beograd qëndroi i ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajҫak në përpjekje që të aranzhojë një takim siҫ u tha rezultativ Kosovë-Serbi. Sipas tij,  “BE-ja shpreson se do të mbahet takimi para fundit të vitit”.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati”, tha Lajçak duke shtuar se “palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut dhe ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate”. /DW/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit