3.8 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

DHURATA nga këndvështrimi Islam

Më të lexuarat

Ç’është dhurata?

Dhurata është falja e një plaçke dikujt tjetër pa pagesë dhe duke qenë dhuruesi gjallë.

Nxitja në të

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dhuroni që të duheni!” Bejhakiu (hasen).

Pranimi i dhuratës edhe nëse është pak.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse do të më ftonin për të ngrënë shpatullën(Shpatulla e kafshës ka qenë pjesa më e preferuar e mishit të kafshës te i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa kyçi i këmbës është diçka pa vlerë që nuk ka mish. I ka përmendur këto të dyja për të thënë që do i përgjigjej ftesës dhe do e pranonte dhuratën njëlloj, nëse ishte diçka e preferuar apo diçka pa ndonjë vlerë të konsiderueshme.) e një kafshe apo kyçin e këmbës së saj, do t’i përgjigjesha ftesës dhe nëse do të më dhuronin një shpatull apo një kyç të këmbës së kafshës, do ta pranoja dhuratën.” Buhariu

Dhurata që nuk refuzohet.

Azra bin Thabit el Ensari thotë: “Më ka treguar Themameh bin Abdullah, pasi hyra te ai dhe më dha të hidhja parfum, se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk e refuzonte parfumin dhe thoshte se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk e kthente parfumin mbrapsht.” Buhariu, Tirmidhiu

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Tre gjëra nuk refuzohen: jastëkët mbështetës, gjalpi dhe kosi.” Tirmidhiu (hasen)

Kush ka më shumë të drejtë për t’i dhuruar atij.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon se i ka thënë të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Unë kam dy komshije, cilës prej atyre t’i bëj një dhuratë?” Tha: “Asaj që e ka derën e shtëpisë më afër derës tënde.” Buhariu, Ebu Daudi.

Ndalimi nga bërja dallim mes fëmijëve në dhuratë.

Neuman bin Beshir thotë: “Babai im më dhuroi një pjesë të pasurisë së tij dhe nëna ime Amrah bintu Rauaha i tha: “Nuk jam dakord me këtë gjë pa folur me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Atëherë ai shkoi te i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe ai i tha atij:

“A e bërë këtë gjë me të gjithë fëmijët e tu?” Tha: “Jo”. “Kini frikë Allahun dhe mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj!” U kthye babai im dhe e ktheu mbrapsht atë që më dhuroi. Në një transmitim tjetër thuhet se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: “Atëherë nuk dëshmoj për këtë, sepse unë nuk bëhem dëshmitar për padrejtësi.”

Ndërsa në një transmetim të tretë thuhet:

“A dëshiron që të të binden të gjithë njëlloj?” Tha: “Po”. “Atëherë mos e bëj atë gjë!” Mutefekun alejhi.

Nuk lejohet që ndonjë të kërkojë e të blejë atë që dhuroi.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk na shkon për shtat shembulli i keq; ai që kthehet te dhurata e tij, është si qeni që kthehet te e vjella e tij.” Mutefekun alejhi

Zejd bin Eslem tregon se i ati i tij ka dëgjuar Umer bin Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të thotë: “ Dhashë një kal për në Rrugë të Allahut dhe atij që ja dhashë i humbi. Atëherë doja ta bleja prej atij që e kishte gjetur, duke menduar se do të ma shesë lirë dhe për këtë pyeta të Dërguarin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e ai më tha: “Mos e ble atë edhe sikur ta japë me një dirhem të vetëm, sepse ai që kthehet te lëmosha e tij është si qeni që kthehet tek e vjella e tij.” Mutefekun alejhi

Nga kjo përjashtohet prindi që i jep diçka fëmijës së tij.

Ibën Umeri dhe Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) tregojnë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk i lejohet askujt që jep ndonjë dhuratë, të kthehet tek ajo, përveç prindit në atë që i jep fëmijës së tij.” Ebu Daud, Tirmidhi, Nesai (sahih)

Por nëse ai të cilit i bëhet dhurata, e kthen atë mbrapsht, atëherë nuk ka asgjë që dhuruesi ta marrë Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u fal, ndërkohë që kishte veshur një rrobe të lëmuar me shënime në të. Gjatë faljes i tërhoqën vëmendjen shenjat e saj dhe pasi mbaroi faljen tha:

“Kthejani këtë këmishë Ebu Xhehmit dhe më sillni një tjetër të ashpër, sepse pak më parë ajo ma tërhoqi vëmendjen në namaz.” Mutefekun alejhi

Gjykimi për atë që bën një dhuratë dhe më pas e trashëgon atë.

Abdullah bin Burejdeh thotë se babai i tij ka thënë: “Një grua erdhi tek i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë i dhashë si dhuratë nënës sime një robëreshë dhe ajo tani vdiq. I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Allahu ty të shkroi shpërblim dhe ta ktheu trashëgiminë.” Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud

Dhurata që marrin nënpunësit është diçka e pamerituar

Ebu Hamid es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ngarkoi për mbledhjen e zekatit një burrë nga fisit Ezd, të cilin e quanin Ibnu Letbijeh. Kur u kthye nga puna tha: “Kjo është e juaja, kurse kjo m’u dhurua mua. I dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) hipi në minber dhe pasi falenderoi Allahun tha:

“Si është puna me punëtorin të cilin e ngarkojmë me një punë dhe ai vjen e thotë: “kjo është e jotja e kjo është e imja?”. A nuk ulet në shtëpinë e të jatit e të ëmës së tij dhe të shohë nëse do t’i dhurohet gjë apo jo? Betohem në Atë që ka në Dorë shpirtin tim! Nuk merr ndonjë gjë prej saj, vetëm se do t’i ngarkohet mbi qafë në Ditën e Kiametit…”

Pastaj ngriti duart deri sa pamë të bardhën e sqetullave të tij dhe tha tri herë: “A nuk e përcolla lajmin!”. Mutefekun alejhi.

LIBRI : Meshhur Hasen,Rregullat e shitblerjes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit