2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Dhuna në Kuvend – reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve: Ngjarjet e tilla nuk guxojnë të përsëriten, kanë pasoja të rënda për qytetarët dhe vendin

Më të lexuarat

Dhuna fizike të enjten në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur reagime të shumta të zyrtarë vendorë, ndërkombëtarë e shoqërisë civile.

Deputetët të cilët janë zgjedhur nga votat e qytetarëve për përfaqësim të denjë eskaluan situatën të enjten në Kuvend.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarë të kabinetit qeveritar u përfshin në këtë dhunë, gjersa të njëjtit javë më parë kanë aprovuar ligje pikërisht që sanksionojnë dhunën.

E pas pamjeve të tmerrshme të së enjtes në Kuvend ka pasur edhe reagime.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, organizata e shoqëria civile kanë dënuar ashpër dhunën në Kuvend.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas përleshjes fizike në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të pozitës.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

Ndërkaq, ambasadori amerikan thekson përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm.

“Për fat të keq shoh se çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje.

Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, shkruan ambasadori.

Skenat e dhunës brenda objektit të Kuvendit të Kosovës, kanë marrë vëmendjen edhe të ish-ambasadorëve në Kosovë.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar duke thënë se skenat e dhunës, janë “imazhe jo të mira”.

Lidhur me zhvillimet e së enjtes në Kuvend ka reaguar edhe Avokati i Popullit dhe shoqëria civile.

Institucioni i Avokatit të Popullit bashkë me një grup organizatash nga shoqëria civile e kanë dënuar dhunën fizike që ka ngjarë sot në Kuvendin e Kosovës.

“Avokati i Popullit dhe Forumi i organizatave të shoqërisë civile dënojnë dhunën fizike që ndodhi gjatë seancës në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e tyre.

“Avokati i Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile, të këtij forumi, bëjnë thirrje që të gjithë të përmbahen nga gjuha që nxit urrejtje dhe dhunë, të kujdesemi që me veprimet tona të krijojmë ambient të respektit, tolerancës dhe debatit konstruktiv që ndihmon në përmbushjen e misionit për të përfaqësuar interesat e popullit dhe të vendit”.

Ata kanë thënë që ngjarje të tilla nuk guxojnë të përsëriten më sepse bartin pasoja të rënda për qytetarët e Kosovës.

“Ngjarjet e këtilla nuk guxojnë të përsëriten më asnjëherë sepse kanë pasoja të rënda për qytetarët dhe nuk janë në të mirë të vendit”.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës që merret me monitorimin e Kuvendit thekson se seanca e së enjtes u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës.

KDI thekson se një Kuvend, puna parlamentare e të cilit është mbushur me fyerje e ofendime, pa debate përmbajtjesore, kulmoi sot në skena të shëmtuara të konfrontimeve fizike.

“Imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare, të cilës të gjithë akterët politik parlamentar, pa dallim, duhet të mos i kontribuojnë.

U bëjmë thirrje të gjithë partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të distancohen nga kjo klimë dhune që prodhoi skena të papranueshme brenda Kuvendit. Dhuna, asnjëherë, përballë çfarëdo situate nuk mund të jetë mjet politik dhe në asnjë kontekst nuk mund të përligjet sikurse kjo e sotshmja”, thuhet në reagim.

Po ashtu, KDI kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj ndaj akterëve të përfshirë në dhunë.

Për dhunën fizike në Kuvend ka pasur reagime të shumta, ndërkaq pavarësisht situatës së krijuar, Kuvendi të enjten ka vazhduar seancën. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit