4.5 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Dhuna në Arakan në sytë e fëmijëve që kanë humbur prindërit në rrugën për Bangladesh

Më të lexuarat

Sadam Huseyin (10) jeton në kampin Nayapara në qytetin Cox’s Bazar. Në Mianmar ai kishte jetë të lumtur me familjen, shkonte në shkollë dhe kishte shumë miq

 

COX’S BAZAR (AA) – Fëmijët e muslimanëve të Arakanit që u strehuan në Bangladesh pas sulmeve nga nacionalistët budistë dhe ushtria e Mianmarit në Arakan, për Anadolu Agency (AA) ndanë rrëfimet e vuajtjeve dhe asaj që po përjetojnë.

Sadam Huseyin (10) jeton në kampin Nayapara në qytetin Cox’s Bazar. Në Mianmar kishte jetë të lumtur me familjen, shkonte në shkollë dhe kishte shumë miq. Tragjedia me të cilën u ballafaquan ndryshoi gjithçka.

Ai tha se ushtria e Mianmarit i ka vrarë babain, duke shtuar se “Pasi vrasjes së babait tim, unë ika me nënën time dhe e humba nënën në kufi”.

Sadam, i cili kaloi në Bangladesh me muslimanët e tjerë që iknin nga Arkani, ka parë ushtrinë se si ja djegin shtëpinë. Djali ende nuk ka arritur të kalojë traumën që kanë përjetuar të mbijetuarit.

Fëmija që jeton në Nayapar dhe i cili ka patur fat të ngjashëm është edhe 10 vjeçari Kerim Ullah. Ai së bashku me vëllain dhe motrën e tij, Sadika dhe Ayd, si dhe gjyshen 70-vjeçare, kanë kaluar në Bangladesh. Kerim tha se pasi babai i tij u vra dhe nëna e tij u rrëmbye, ai u arratis me gjyshen dhe u me një grup fëmijësh u fshehën në zonën pyjore. Në rrugën për Bangladesh ai e humbi vëllain e tij.

Gjyshja Seyide nuk e di se çfarë do të ndodhë me nipërit e mbesat e saj, dhe, sipas fjalëve të saj, fëmijët nuk janë të vetëdijshëm se kanë hyrë në një periudhë shumë të pasigurtë.

Naim Ullah, 8 vjeç, jeton në kampin Kutupalong dhe nga tirania në Arakan, ai iku në Bangladesh me nënën e tij, dy vëllezër dhe tre motra. Naim tha se në rrugë së bashku me ta ishte nisur edhe gjyshja 75-vjeçare Gulsumi, e cila vdiq disa ditë më parë në rrugën e rrezikshme për në Bangladesh.

Muslimanët që jetojnë në kampe në Bangladesh janë mirënjohës për ndihmën humanitare që ata marrin, kryesisht nga Turqia. “Ne gjithmonë i shohim turqit në kampe. Që kur erdhëm këtu, ata vazhdimisht na sjellin ushqim dhe gjëra të tjera”, tha Muhammed Nur, i cili arriti të marrë me vete vetëm gjërat më themelore nga Mianmari.

Sipas tij, ata nuk kanë mundur të marrin as ndonjë enë për ushqim, batanije si dhe as sende të tjera themelore.

Meryem Adhikari, 46 vjeç, tha se nuk duhej të luftonin për të marrë ndihmë sepse organizatat turke punonin në një mënyrë shumë të organizuar.

Mustafa Demir, nga organizata humanitare IHH, tha se refugjatët janë shumë të lumtur kur shohin ata dhe njerëz të tjerë që i ndihmojnë. “Pas thirrjes të Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, administrata e Bangladeshit është angazhuar për të ndihmuar dhe për të lehtësuar qasjen, që për ne është më e lehtë të shpërndajmë ndihmat humanitare në të gjitha zonat dhe të sigurojmë çdo formë ndihme për muslimanët e Arakanit”, tha Demir.

Në sulmet e ushtrisë së Mianmarit të kryera në Arakan nën pretekstin e luftimeve me militantët e armatosur, mijëra muslimanë janë vrarë që nga 25 gushti. Për shkak të mos lejimit të hyrjes ose daljes nga zona, është e pamundur të përcaktohet bilanci i saktë i civilëve të vrarë.

Në sulmet e ushtrisë dhe nacionalistëve budistë, rreth 200 fshatra u dogjën ose u shkatërruan. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit po përpiqen të arratisen nga zonat e sulmit në mënyrë që të shpëtojnë. Civilët që iknin nga Mianmari, duke kaluar në zonat malore, lumin Naf ose përmes detit përpiqen të arrijnë në Bangladesh.

Më shumë se 421,000 muslimanë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh që nga 25 gushti dhe UNICEF ka thënë se në mesin e tyre janë më shumë se 250,000 fëmijë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit