12 C
Pristina
Friday, January 10, 2025

Dhjetë mënyra si ta presim Ramazanin

Më të lexuarat

Muslimanët nuk duhet t’i lënë pas dore kohët e adhurimit, kështu ata duhet të jenë të parët që dallohen dhe konkurojnë për to.

Allahu i Plotfuqishëm  ka thënë: “… le të përpiqen ata që përpiqen” Mutafifinë, 83.

Kështu, duhet të bëjmë më të mirën për të pritur muajin Ramazan sipas mënyrave të mëposhtme:

Mënyra e parë: Luteni Allahun e Plotfuqishëm t’ju mbajë të gjallë dhe në shëndet të mirë deri kur të vijë Ramazani që ju të jeni në gjendje të adhuroni Atë. Është transmetuar nga Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti alejhi selam, kur vinte muaji Rexheb, thoshte: “O Allah, bekoje Rexhebin dhe Shabanin, dhe na lër të jetojmë deri sa të vijë Ramazani.” Ahmedi dhe Tabarani.

Me daljen e hënës së re, luteni Allahun duke thënë: “O Allah, le të vijë kjo hënë me mbrojtje dhe besim, siguri dhe Islam, udhëzim drejt asaj që Ti do dhe pëlqen. Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Tirmidhiu, Ibn Hibani.

Mënyra e dytë: Duke falënderuar Allahun që po e arrin këtë muaj. Në librin e tij El-Edhkar, Imam Neueuiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “I kërkohet një person i cili përjeton një favor të dukshëm ose mbrohet nga një bela e qartë që t’i gjunjëzohet me mirënjohje Allahut të Plotfuqishëm ose ta lavdërojë Atë siç duhet.”

Ndër bekimet më të mëdha që i dhuron Allahu robit është udhëzimi i tij në bindje dhe adhurim.

Kur vjen Ramazani dhe e gjen muslimanin në shëndet të plotë, ky është një bekim i madh për ta falënderuar Allahun i Cili e dhuron atë. Lavdërimi perfekt dhe i vazhdueshëm të  jenë për Allahun ashtu siç i takon Madhërisë së Tij.

Mënyra e tretë: Lumturia dhe gëzimi. Sipas një transmetimi autentik, Profeti alejhi selam i uronte shokët e tij kur vinte Ramazani. Ai alejhi selam ka thënë: “Po ju vjen juve Ramazani. Ai është një muaj i bekuar gjatë të cilit Allahu i Plotfuqishëm ka urdhëruar agjërimin dhe në këtë muaj dyert e xhenetit janë të hapura dhe dyert e xhehenemit janë të mbyllura…” Ahmedi.

Sahabët dhe ndjekësit e tyre tregonin shumë kujdes kur vinte Ramazani dhe ishin të lumtur për ardhjen e tij. Ku ka lumturi më të madhe sesa të marrësh lajmin se ka ardhur muaji i Ramazanit, koha e bekimeve dhe zbritjes së mëshirës!

Së katërti: Planifikimi përpara se si të përfitojmë prej Ramazanit.

Fatkeqësisht, shumë muslimanë planifikojnë punët apo çështjet e kësaj bote dhe vetëm pak prej tyre e bëjnë këtë për punët e botës së përtejme. Kjo vjen si rezultat i mungesës së informacionit për misionin e besimtarit nga harresa ose nga pakujdesia. Të planifikosh punët e ahiretit përshin planifikimin e Ramazanit në vepra adhurimi. Muslimani duhet të vërë në zbatim një plan praktik që përfshin ditët dhe netët e Ramazanit në bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Mënyra e pestë: T’ia kushtëzosh vetes sinqerisht qëndrimin mes besimtarësh të cilët arrijnë sukses dhe lumturi në Ramazan dhe i mbushin ditët e tyre me vepra të mira. Nëse një musliman është besnik ndaj Allahut, Ai do ta përmbushë premtimin e Tij ndaj atij robi, do ta ndihmojë në adhurim dhe do t’ia lehtësojë rrugën për në të mirë. Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: “… do të ishte më mirë për ata që të tregohen të sinqertë me Allahun.” Muhamed, 21.

Mënyra e gjashtë: Mësimi dhe kuptimi i rregullave të fikhut në lidhje me agjërimin e Ramazanit. Besimtari duhet ta adhurojë Allahun e Plotfuqishëm me dije dhe nuk ka falje për të nëse ai le mënjanë obligimet ashtu siç ka urdhëruar Allahu. Muslimani është obliguar të mësojë çështjet dhe rregullat që kanë të bëjnë me Ramazanin para se të vijë ai, ashtu që agjërimi i tij të jetë i saktë dhe të pranohet tek Allahu i Plotfuqishëm i Cili ka thënë: “… andaj pyesni nëse nuk dini.”Enbija, 7.

Mënyra e shtatë: Ne duhet ta presim këtë muaj me vendimin për të lënë gjynahet dhe veprat e këqija, të pendohemi sinqerisht për to, t’i ndalojmë ato dhe mos t’i përsërisim më. Ramazani është muaji i pendimit dhe nëse ndokush e humbet këtë rast, atëherë do të pendohet ai? Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: “… Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin.” Nur, 31.

Mënyra e tetë: Të përgatitesh shpirtërisht dhe fizikisht. Kjo arrihet duke lexuar libra dhe artikuj, duke dëgjuar ligjërata të ndryshme të cilat theksojnë vlerat dhe rregullat e agjërimit, e  kështu shpirti përgatitet për adhurim në këtë muaj. Profeti alejhi selam e përgatiste shpirtin e shokëve të tij që ta shfrytëzonin këtë muaj të merituar duke i thënë në ditën e fundit të muajit Shaban: “ Dhe po ju vjen ju Ramazani…” Ahmedi dhe Nesai.

Mënyra e nëntë: Përgatiteni veten për të ftuar në rrugë të Allahut të Plotfuqishëm. Kjo mund të realizohet duke vepruar si më poshtë:

1. Përgatituni për t’i dhënë disa mësime të shkurta fqinjëve tuaj.

2. Shpërndajini njerëzve në zonën tuaj disa broshura që përmbajnë këshilla dhe ligje në lidhje me Ramazanin.

3. Përgatisni disa dhurata për Ramazan.

4. T’u përkujtojmë njerëzve të varfrit dhe ata në nevojë dhe t’u japim atyre sadaka dhe zekat.

Mënyra e dhjetë: Ta presim muajin e Ramazanit duke hapur një faqe të re të shndritshme :

a) Me Allahun e Plotfuqishëm duke u penduar tek Ai sinqerisht.

b) Me të Dërguarin e Allahut alejhi selam duke iu bindur urdhrave të tij dhe duke iu shmangur asaj çka ai ka ndaluar

c) Me prindërit, kushërinjtë, bashkëshortin ose bashkëshorten dhe fëmijët duke qenë të drejtë me ta dhe duke mbajtur fort lidhjet.

d) Me shoqërinë duke qenë një njeri i dobishëm për ta. Profeti alejhi selam ka thënë: “ Më i miri i njerëzve është ai prej të cilit njerëzit përfitojnë më shumë.”

Kështu e pret muslimani muajin e Ramazanit si një tokë e shkretuar e cila ka nevojë për ujë.

O Allah! Na lër të jetojmë derisa të vijë Ramazani dhe na e prano atë ne!

Me të vërtetë Ti je Dëgjuesi, i Gjithëdituri!

Përktheu: M. Tafa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit