Përfundimisht, nëse një gjë e shikon vetëm nga jashtë, si gjësend, ajo gjë do mbetet vetëm një gjësend. Por, nëse dëshiron ta kuptosh një gjë, duhet të thellohesh e të depërtosh brenda saj, t’a shpërbësh dhe sërish ta ribësh.
Shkruan H. Sulejman ef. Rexhepi
Dimri mbërtheu, erdhi edhe acari kurse ne me këmbëngulje po vazhdojmë të bëjmë “Bajram me mendjen” dhe deri në pafundësi po e shikojmë realitetin me dioptri të veçantë, qejfi po na duket sikur është gratis. Por, atje diku (nuk e di tamam se ku) dikush po përdorë kalem e myreqep dhe po bëhet gadi ta sjellë hesapin. Qejf pa para, po thotë ai dikushi, nuk ka.
Kriza të cilën po e jetojmë me shpresë se do ta zgjidhin të huajtë, mjerisht, i nxori në shesh të gjitha tragjikomeditë tona. Por ama, ndërkohë, shtylla jonë kurrizore ka filluar t’i ngjajë pikëpyetjes nga pesha e mungesës së demokracisë, nga grykësia, papërgjegjshmëria dhe konformizmi.
Përfitimi dhe sundimi
Thonë se ballkanasit sipas natyrës janë voajerë, ju pëlqen të shikojnë përtej gardhit të komshiut e të shohin çka ka në oborin e tij. Jo për ndonjë gjë, thjesht, që të mund të arsyetohen se plehërat e tyre nuk janë më plehërau, se komshiu i ka punët edhe më pleh.
Ashtu disi funksionojmë ne. E harxhuam veten duke i analizuar komshinjtë, kundërshtarët politikë, ata që s’mendojnë njësoj sikur ne, rivalët. Ndër vite po konstatojmë se te “këta të tjerët” (asnjëherë te ne), demokracia e paska humbur kuptimin e vet të vërtetë. Gjithashtu, po konstatojmë se shkëputja e plotë e etikës nga politika e paska etabluar “te ata” formulën makiaveliste sipas të cilës fokusi i vetëm i politikës duhet të jenë përfitimi dhe sundimi. Të atillë janë “ata”, ne përherë jemi tjetërsoj.
Ne, ju, ata – e vërteta u bë hata. Në një ambient në të cilin askush më nuk po pretendon të privatizojë tokë dhe fabrika sepse ato s’po gjenden as për ilaç, si majtas ashtu edhe djathtas jemi dëshmitarë të privatizimit të politikës dhe demokracisë. Parti private, politika private, demokraci private. Gjithë kësaj turlitave duhet shtuar, kuptohet, edhe opinionin publik privat. Të gjithë kanë opinionin e tyre në të cilin thirren sa herë që kanë nevojë, kurse ai, i shkretë, inferior deri në pafundësi, po shndërrohet në pluhur të cilin mund ta fryen edhe një puhizë.
Nuk më shkon fare mendja që këtu të merrem me ndonjë politikë të caktuar a me ndonjë parti politike, nëse dikujt I shkon mendja andej. Moti e kam të qartë se në mjediset përplotë frustrim, çdokush që përpiqet t’i thërrasë mendjes shndërohet në Don Kishot. Por, nuk mund të mos e shtroj një pyetje: A thua, ku do të na shpie bindja aq shumë e përhapur sipas të cilës, nëse do të mbijetosh duhet të gënjesh, të vjedhësh, të manipulosh, të grindesh e pastaj të sundosh, të korruptohesh.
Pjesën e njerëzve që nuk funksionojnë si më lartë, ja ku e keni të zhytur në apati, të pafuqishme dhe anemike, politikisht të rezinjuar e të pasivizuar. Dhe, e tërë kjo si pasojë e demagogëve të papërgjegjshëm politikë, të strukturave pushtetare pa përgjegjësi morale.
Po, por jo si pasojë e një strukture të vetme por e të gjitha strukturave të cilat rrahën gjoks në çerekshekullin që po lëmë pas. Për gjendjen e atillë të shumë njerëzve në Maqedoni janë njësoj përgjegjës edhe ata që shtetin e konceptonin si ideal por që nuk ditën ta udhëheqin, edhe të tjerët që ndoshta dinin pak më shumë por diturinë e orientuan kah mirëqenia personale.
Dhe, po. Kjo që u tha më lartë nuk ishte politikë, ishte një lament.
Muhabeti “kape e mos e lësho”
Para disa muajve më rastisi të bëj një çikë muhabet me një politikan tonin (nuk është shqiptar) dhe e pyeta se si ai e shikon Përzhinën. Me një kollajllëk çapkëni u përgjegj se ai edhe Përzhinën, edhe lagjet e tjera të Shkupit i shikuaka – nga Vodno. U përpoqa në përgjigjen e tij të hetoj ndonjë dozë humori a qesëndie. Por jo, njeriu ishte shumë serioz dhe më ndihmoi të kuptoj që në fillim se, edhe marrëveshja aktuale që po na preokupon, sikurse edhe të gjitha të tjerat, do jetë në fakt një muhabet i stilit “kape e mos e lësho”.
Përfundimisht, nëse një gjë e shikon vetëm nga jashtë, si një send, ajo gjë do mbetet vetëm një send. Por, nëse do ta kuptosh një gjë, duhet të thellohesh e të depërtosh brenda saj, ta shpërbësh dhe sërish ta ribësh. Ashtu, edhe Përzhina nuk do ishte vetëm një lagje e Shhkupit por një pikënisje për zgjidhjen e një krize serioze të cilën e shkaktuam të gjithë toptan, siç thuhet popullorçe. Ama, nuk po duam edhe ta zgjidhim toptan.
Meqë, ky tekst nuk po merret me politikë por politika po merret me tekstin, do të përpiqem t’ia shkrep vajit pa lotë e të pyes: Cfarë duhet të bëjë tani njeriu i thjeshtë i cili Përzhinën e sheh nga Çairi, Karposhi, Shutka…
– Të ketë kujdes jo vetëm çka po flet por edhe çka po mendon sepse, siç thoshte Orveli, “mendimet bëhen fjalë, pastaj bëhen vendime dhe vepra, dhe e tërë kjo pastaj mund të shndërrohet në shprehi, karakter, fat “?
– T’i përmbahet thënies “nuk është me rëndësi a je i moralshëm dhe i aftë, është me rëndësi të bëhesh i suksesshëm”?
– Të strehohet në politikë, të bëhet partiokrat, ta ndryshojë identitetin moral e të quhet ashtu si i quajnë njerëzit me identitet të ndryshuar?
– Të zhytet në “pornografinë e shpirtit” sipas shembullit të rijaliti shou programeve sërbe?
– Të shkojë në zgjedhje e ta tërheq pas vetes edhe komshiun që bashkë të votojnë për “tanët” ?
Për fat të keq, nuk mbetën shumë zgjidhje, alternativat gjithnjë e më shumë po pakësohen. Sido qoftë, ja ku është 24 prilli, ditë kjo në të cilën, sipas ishareteve që po vijnë nga jashtë, do vizatohen të gjitha partitë përpara kutive. Inshallah, do ndodhë ndonjë mrrekulli e të marrim frymë më lehtë, ndoshta nuk jemi aq të nemun e të vajtojmë në vazhdimësi pa lotë. Majtas, djathtas, në qendër, kudo qoftë, vetëm aman të mos ketë më Përzhinë dhe lagje të tjera të Shkupit që do duhet t’i shikojmë nga Vodno. Dhe, aman, hesapi që po na e gatuajnë, le të mos jetë shumë i madh.