1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Devotshmëria tek njerëzit e mëdhenj

Më të lexuarat

Nga: Aid Elkarnij

Devotshmëria tek njerëzit e mëdhenj

 Falenderimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Tij për profetin Muhamed a.s, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndoqën rrugën e tij.
Në rrjeshtat në vazhdim, do të flasim mbi devotshmërinë e njerëzve të mëdhenj, si e përjetonin frikën dhe dashurinë ndaj Zotit të madhëruar, përkushtimin dhe si ishin veprat e tyre konform urdhërave dhe vullnetit të Zotit.
Thotë Zoti në Kuran:”Ne i porositëm idhtarët e librit para jush dhe juve që të jeni të devotshëm ndaj Zotit.”
Kështu, porosia e Zotit për banorët e tokës ishte që të jenë të devotshëm.
Njerëzit e mëdhenj dhe njerëzit më të dashur të Zotit e morrën këtë porosi hyjnore dhe e zbatuan në jetën e tyre.
Vetë Profeti Muhamed a.s, këshillonte njërin nga shokët e tij me fjalët:”Ji i devotshëm ndaj Zotit kudo që të jesh! Gjynahun pasoje me një vepër të mirë, që ta fshijë atë dhe sillu me njerëzit me edukatë dhe moral të mirë.”
Me këto fjalë, Profeti a.s porosiste jo vetëm shokët e tij të asaj kohe, por të gjithë muslimanët në çdo kohë dhe vend që të ndodhen.
Në çdo vend dhe kohë që të ndodhesh, mbikqyrjen e Zotit ta kesh shoqëruesin tënd më të mirë.
Duke e ditur natyrën njerëzore, që e ka të pashmangshme rënien në gabime dhe gjynahe, Profeti a.s e pason porosinë për devotshmëri, me “Gjynahun pasoje me një vepër të mirë, që ta fshijë atë” Pas çdo gabimi dhe gjynahu pendohu dhe vepro një vepër të mirë. Më pas Profeti a.s i kujtoi të drejtat e njerëzve të tjerë dhe trajtitim me edukatë dhe moral.
Ali ibnu Ebi Talibi e ka përkufizuar devotshmërinë me fjalët:”T’i frikësohesh të Gjithëfuqishmit, të veprosh sipas udhëzimeve të shpalljes hyjnore, të pranosh caktimin e Zotit dhe të përgatitesh për Ditën e Gjykimit.”
Umer ibnul Hattabi, dilte natën dhe kontrollonte popullatën se sa ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre.
Një ditë, ai doli rrugës që të çon në Meke, ku takoi një bari që kulloste delet dhe i kërkoi të blejë një dele. Bariu iu përgjigj:”Delet nuk janë të miat, por të padronit tim.” Umeri i tha:”Ma shit mua dhe pradronit i thuaj që e hëngri ujku.” Bariu, i çuditur nga kjo kërkesë i tha:”Po Zotit të padronit, çfarë t’i them Ditën e Kijametit.” Umeriu u ul në gjunjë dhe filloi të qajë nga këto fjalë.
Një natë tjetër, Umeri po lëvizte rrugëve të Medines, ku dëgjon zërin e një gruaje që i thoshte vajzës:”Përzieje qumështin me ujë që të shtohet o bija ime.” Vajza iu përgjigj:”Umeri, Prijësi i besimtarëve e ka ndaluar që të përzihet qumështi me ujë o nënë.” Nëna i tha:”Përzieje se Umeri nuk na shikon tani.” Por vajza ia ktheu:”Nëse nuk na shikon Umeri, na shikon Zoti i Umerit.”
Umeri vuri një shenjë mbi derën e tyre dhe vajti tek shtëpia e tij dhe u kërkoi djemve që të martoheshin me këtë vajzë dhe djali i tij Asimi u martua. Një pasardhës i kësaj martese ishte Umer ibnu Abdul Aziz.
Njerëzit e mëdhenj ishin të bindur se jeta e kësaj bote është një rast për adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit të Madhëruar, kështu Ai ishte gjëja më e shtrenjtë për ta.
Ata e ndjenin praninë e Zotit dhe dijen e Tij në çdo çast të jetës.
Umer ibnu Abdul Azizi, Halifeja i drejtë, hyn një ditë në magazinat e shtetit islam. Aty ndjen erën e parfumit të depozituar dhe menjëherë kap hundën me dorë, duke mos dashur t’i marrë erë parfumit. Të pranishmit, e pyetën:”Ai është thjesht parfum o Prijës i besimtarëve!” Ai u tha:”Ai shitet vetëm për shkak të aromës së mirë, kështu ajo që nuk është e imja, nuk duhet të përfitoj prej saj.”
Ata ishin parfumet e muslimanëve dhe Umer ibnu Abdul Azizi mendonte se nuk duhet të përfitojë nga diçka që nuk është e tij, qoftë kjo dhe aroma e parfumit.
Një devotshmëri të tillë nuk mund ta ketë kush, përveç atij që Zoti ia ka pastruar zemrën.
Tregon Taus ibnu Kisan, një nga nxënësit e Ibnu Abasit dhe dijetarët e mëdhenj të kohës së tij:”Hyra në Qabe para namazit të akshamit dhe fala dy rekate. Më pas, u ula tek vendqendrimi i Ibrahimit a.s dhe po vështroja ndërtesën e Qabesë. Teksa qëndroja ulur, dëgjoj një zë pas meje dhe kur kthehem shoh Haxhaxh ibnu Jusuf Thekafij, guvernatori i Irakut. Ai ishte në shoqërinë e shërbëtorëve, skllevërve dhe eskortës që e shoqëronte. Ai, bashkë me eskortën e tij, vendosën armët dhe heshtat përtokë dhe filluan të falen pas meje, ndërkohë që njerëzit e tjerë vazhdonin tavafin. Mes njerëzve ishte dhe një burrë i dobët dhe i thatë nga Jemeni. Njerëzit u shtuan rreth Qabes dhe jemenasi deshi t’i shpëtojë turmës së madhe, duke dalë para Haxhaxhit dhe eskortës së tij. Kur deshi të dalë para, ihrami i tij kapi padashje thikën që mbante Haxhaxhi në brez dhe ajo ra përtokë, pa e prekur Haxhaxhin. Menjëherë, Haxhaxhi e kapi jemenasin për rrobe dhe i tha:”Ndalo! Nga je ti?” Ai iu përgjigj:”Nga Jemeni.” Duke qenë se vëllai i Haxhaxhit ishte guvernator në Jemen, ai e pyeti:”Si e le vëllanë tim?” Jemenasi iu përgjigj:”E kam lënë gjithë shëndet.” Haxhaxhi i tha:”Nuk pot ë pyes për shëndetin, por po të pyes për drejtësinë dhe sjelljet e tij.” Jemenasi iu përgjigj:”Tiran dhe zullumqar.” Haxhaxhi i tha:”A e di se ai është vëllai im?” Jemenasi iu përgjigj:”O Haxhaxh! A mos mendon se vëllai yt, është krenar me ty, më shumë se ç’jam unë krenar me Zotin tim?!”
Tregon Tausi:”Kur dëgjova këto fjalë, mu ngritën qimet përpjetë. Por Haxhaxhi e la dhe vazhdoi tavafin.”
Më vonë, Tausi udhëtoi për në Jemen, për të përhapur dhe mbartur dijet që kishte marrë. Atje ai vajti dhe takoi guvernatorin Muhamed ibnu Jusufin, vëllanë e Haxhaxhit, të cilin e këshilloi dhe e paralajmëroi për ndëshkimin e dhimbshëm të Zotit, nëse nuk vendos drejtësi në vend.” Vetë guvernatori deshi t’i bëjë qejfin dhe urdhëroi një nga shërbëtorët e tij, t’i sjellë Tausit rroba dhe veshje nga më të shtrenjtat. Shërbëtori i solli rrobat që dukeshin se janë mëndafshi dhe të shtrenjta, aq sa mund të shiteshin 1000 dinarë dhe ia hodhi Taus ibnu Kisan mbi supe. Pasi përfundoi Tausi bisedën me guvernatorin, u ngrit duke e hedhur xhyben e re përtokë dhe u largua për në shtëpi, duke thënë:”Sa njerëz të ulët do të ishim nëse librin dhe porositë e Zotit do i shisnim për të përfituar të mira materiale!”
Këta ishin njerëz të cilët devotshmërinë ndaj Zotit e mishëruan me veprat e tyre dhe jo vetëm me fjalë dhe predikime të bukura.
Abdullah ibnu Mubarek është një nga dijetarët e lavdishëm muslimanë. Ai kërkoi dijen e hadithit në Horasan. Një herë udhëtoi në Bagdad dhe kur arriti pa që kishte marrë me vete pendën e njërit nga dijetarët e Horasanit. Edhe pse distanca mes Bagdadit dhe Horasanit ishte mbi njëmijë km, ai tha:”Për Zotin nuk mund të qëndroj në Bagdad me pendën e tij. Ku ta gjej pendën Ditën e Kijametit që t’ia kthej pronarit të saj?” Menjëherë morri rrugën dhe i ktheu pendën dijetarit dhe mësuesit të tij në Horasan.
Kurse mbi devotshmërinë e imam Ahmedid dëshmojnë histori dhe ngjarje të panumërta.
Atij i vinin ushqime të lloj-llojta nga qeveritarët dhe vetë Halifeja, por ai i refuzonte të gjitha dhe ushqehej vetëm me bukë elbi. Në sëmundjen e vdekjes, ai u bënte me shenjë që t’i lagin mjekrën me ujë, duke dashur të imitojë Profetin a.s, pasi ai i transmeton hadithet e lagies së mjekrës me ujë dhe kalimin e gishtërinjve mes saj.
Edhe pse në çastet e vdekjes, shumë dijetarë nuk e harronin devotshmërinë ndaj Zotit të Madhëruar.
Tregon imam Dhehebij dhe Ibnu Kethiri:”Ibnul Eshim, teksa ndodhej një natë në një pyll të Kandaharit si luftëtar, çohet dhe filloi të falë namaz nate. Në çast, vjen një luan dhe fillon të sillet rreth tij. Teksa falej, Ibnul Eshim i drejtohet luanit me fjalët:”O luan, nëse je urdhëruar të më hash, fillo që tani. Nëse nuk je urdhëruar të më hash, atëherë më lër t’i falem Zotit tim!” Atëherë luani ulëriti aq sa mbushi gjithë luginën me ulërimën e tij dhe u largua.
Një herë, sulltani i Egjyptit u zemërua me Hakim Nabulsin dhe e vendosi në një kopësht bashkë me luanët. Një luan, iu afrua, i morri erë dhe më pas e la. Kur shpëtoi nga kjo sprovë, njerëzit e pyetën:”Çfarë mendoje në ato çaste kur t’u afrua luani dhe të merrte erë?” Ai u tha:”Në ato çaste po falesha dhe mendoja nëse pështyma dhe jargët e tij janë të pastra apo të fëlliqura. Kjo, pasi kisha frikë se mos vdes me papastërti në trup.”
Një njeri i mirë, ra nga anija në të cilën udhëtonte dhe kur pa që po mbytej, filloi të marrë abdes derisa vdiq. Këtë e tregojnë udhëtarët që ishin me të në anije dhe që nuk arritën ta shpëtonin dot. Ai deshi që të dalë para Zotit me abdes.
Një histori tjetër me detin dhe anijen është dhe ajo e Elmuhib Taberi, i cili vajti bashkë me studentët e tij të hypin në anije. Meqënëse anija ishte larg bregut, atyre u duhej të hidheshin. Të rinjtë u matën të kërcejnë, por nuk mundën. Kurse mësuesi i tyre, tha:”Bismil-lah” dhe u hodh në anije. Të çuditur, të rinjtë i thanë:”Ne që jemi të rinj, nuk arritëm të hidhemi, kurse ti që je mbi shtatëdhjetë vjeç arrite?!” Ai u përgjigj:”Këtë fizik, e kam ruajtur në rini nga harami, dhe Zoti e mbron në pleqëri nga dobësia.”
Motra e Harith Elmuhasibij, i cili ka qenë model për devotshmëri, vajti tek imam Ahmedi dhe e pyeti:”Natën, punoj në tezgjah mbi tarracën e shtëpisë. Shpesh herë, punoj nën dritën e pishtarëve të rojeve që shëtisin natën. A më lejohet diçka e tillë?” Imam Ahmedi e pyeti i habitur:”Kush je ti?” Ajo i tha:”Jam motra e Harith Elmuhasibij!” Duke buzëqeshur, imam Ahmedi i tha:”Prej shtëpisë tuaj buron devotshmëria e vërtetë.”
Disa njerëz vajtën tek Abdullah ibnu Umer dhe e pyetën:”Një prej nesh ka vrarë një mizë, a duhet ta shpaguajë atë?” Ibnu Umer i pyeti:”Nga jeni ju?” Ata i thanë:”Nga Iraku.” Atëherë Ibnu Umer u tha:”Zoti ju vraftë! Ju vratë Husejnin, nipin e Profetit a.s dhe nuk pyetët, kurse për një mizë pyesni?!”
Shërbëtori i Ebu Bekrit, i solli një ditë ushqim, të cilin Ebu Bekri e hëngri pa e pyetur – siç e kishte zakon – mbi burimin e tij. Pasi e hëngri, Ebu Bekri u kujtua dhe e pyeti mbi burimin e atij ushqimi. Shërbëtori i tregoi se e kishte blerë me lekët e një basti që kishte fituar. Atëherë Ebu Bekri, futi gishtat në gojë dhe e volli të gjithë ushqimin që kishte ngrënë.
Në Medine jetonte një grua e moshuar, që kishte humbur dhe shikimin. Një ditë në javë, Ebu Bekri shkonte dhe pastronte shtëpinë e saj. Umer ibnul Hattabi e dinte që në Medine ndodhet një grua e tillë dhe shkonte dhe ai t’i pastrojë shtëpinë, por sa herë shkonte e gjente atë të pastër. Kur e pyeti gruan se kush ishte ai që ia pastronte shtëpinë, i tha se nuk e njihte. Tregon Umeri:”Atëherë fillova ta vëzhgoj këtë shtëpi, që të zbuloj kush ishte ai që i pastronte shtëpinë kësaj gruaje të moshuar. Atë ditë që pashë që ky burrë ishte Ebu Bekri, mbeta i shtangur. Ai hynte brenda, pastronte shtëpinë, lante enët, merrte mbeturinat dhe i hidhte larg shtëpisë.”
Këtë e bënte Ebu Bekri, Halifeja i muslimanëve, ai që kishte organizuar dhe dërguar ushtritë në të katër anët. Ishte Ebu Bekri, miku më i ngushtë i Profetit a.s, i vetmi që e shoqëroi Profetin a.s gjatë emigrimit në Meke dhe shoqëruesi i vetëm i tij në shpellën Theur. Ishte ky person ai që i fshinte shtëpinë një gruaje të moshuar, i lante enët, i milte bagëtinë, edhe pse kishte mundësi t’i caktojë një shërbëtor.
Këto nuk ishin histori të trilluara, as pjellë e fantazisë së ndonjë shkrimtari, por ata ishin histori të përjetuara dhe të vërteta të njerëzve të mëdhenj. Ata ishin ai brez të cilin e përgatiti,  e edukoi dhe ia dhuroi profeti Muhamed a.s njerëzimit.
E lusim Zotin që të jetë i kënaqur me këta njerëz dhe të na bashkojë me ta në xhenetet Adn.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit