Një bisedë telefonike e përgjuar ka tradhëtuar dy autorët e dyshuar të vrasjes së tregtarit Agim Buci. Një pakujdesi e Vladimir Kurtit, autorit kryesor të dyshuar për vrasjen e 52-vjeçarit baba i 4 femijëve, ka bërë të mundur që policia të ketë provën më të fortë kundër tij dhe të zbulojë dhe bashkëpunëtorin në krimin që tronditi opinionin publik.
28-vjeçari Vladimir Kurti, emër i njohur për drejtësinë shqiptare, ishte një nga të ndaluarit e parë të efektivëve të Komisariatit Nr.5 të Kamzës, vetëm 20 minuta pasi kishte ndodhur grabitja e dështuar, me bilanc tragjik për familjen Buci.
Këto janë pamjet e ndalimit të 13 personave, menjëherë pas krimit dhe ndër ta ishte edhe Vladimir Kurti. Policia pasi e mori në pyetje e la të lirë Kurtin duke vëzhguar çdo lëvizje të tij. Por një telefonatë e bërë nga personi i akuzuar për vrasje të Agim Bucit dhe plagosjen e bashkëshortes së tij, Merita Buci, zbuloi edhe personin tjetër të dyshuar si të përfshirë në këtë grabitje me dhunë dhe çoi më pas dhe në arrestimin e tij.
Sipas policisë, Ruzhdi Hode ishte drejtuesi i automjetit tip “Volfswagen Golf”, ngjyrë të zezë, e përdorur nga dy autorët. Unifomat blu, në bazë të dëshmitarëve okularë kanë mundur të identifikojnë autorin e parë të dyshuar që ishte Ruzhdi Hode, por 25-vjeçari ishte larguar në drejtim të zonës së Paskuqanit, ku edhe ka hedhur armën në Lumin e Tiranës bashkë me disa rroba e doreza të përdorura në krim.
Policia ka fiksuar si provë edhe një bisedë telefonike të regjistruar ndërmjet Kurtit dhe shokut të tij. 28-vjeçari pasi del nga marrja në pyetje në Drejtorinë e Vendore të kryeqyetit, i telefonon mikun e tij Hode dhe i thotë: “I fshehe ato, se mua më morën në pyetje”. Në këtë mënyrë uniformat blu zbuluan edhe autorin e dytë krimit, i cili u prangos mëngjesin e së enjtes në banesën e tij.
Kurti dhe Hode janë të dy me orgjinë nga qyteti i Burrelit, ndërsa familjet e tyre ishin vendosur në Kamëz pas vitit 2000. 28-vjeçari ishte dënuar më parë për “grabitje me dhunë” në vitin 2010, ku edhe kreu dënimet me 5 vite burg. Gjithashtu, Kurti sipas banorëve të lagjes “OSBE” në Kamëz është edhe përdorues i lëndëve narkotike dhe dyshohet se krimin mund ta ketë kryer nën efektin e drogës./abcnews