-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Destigmatizimi i myslimanëve! – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Kryeministri ynë, i një vendi të vogël, me një shumicë të brishtë myslimane, ka marrë përsipër të japë një mesazh global, përmes të cilit kërkon të destigmatizojë myslimanët nëpër botë nga stigma negative që të tjerët kanë për ta! Me fjalë të tjera myslimanët e mbarë botës do të marrin si dhuratë nga ky vend i vogël me këtë kryeministër të madh, një përpjekje të paprecedent për heqjen e “njollës” që ata kanë në biografinë e tyre! Dhe këtë nismë ai do ta përmbush përmes krijimit të një mikroshteti të moderuar sovran islamik, që do t’i thoshte botës: “Mos lejoni që stigma e myslimanëve të përcaktojë se cilët janë myslimanët”!

E parë kështu naivisht, kryeministri shqiptar duhet falënderuar nga ne si myslimanë, sepse po ndërmerr një hap që askujt më parë nuk i ka shkuar në mendje, për nga forma origjinale që ai ka zgjedhur.

Sipas medies ku ai foli, qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.

Se si dhe në çfarë mënyre ky minishtet sektar i tarikatit bektashi do ta përmbushë këtë nismë me efekte ndërkombëtare, ne vetëm mund ta hamendësojmë, por që si do që të jetë, edhe në versionin më të mirë të tij të mundshëm, nuk pajton kurrsesi me konceptin që vetë Islami, përmes burimeve doktrinore të tij e koncepton vetveten.

Islami për ne në thelb është perceptim i asaj që ka dashur Zoti të jetë dhe jo njerëzit. Islami për ne është ai perceptim që Profeti i tij ka pasur për të, dhe jo ai që hamendëson dhe parapëlqen bota moderne perëndimore apo lindore për të. Islami për ne është ai Islam që kemi trashëguar për breza të tërë që nga fillimet e tij e deri më sot, për të cilin janë dakordësuar mbarë myslimanët kudo që janë, në kohë dhe hapësirë, dhe jo çfarë parapëlqen kryeministri ynë që deklarohet si i krishterë katolik.

Ne si myslimanë jemi këta që jemi, me të mirat dhe defektet tona. Kemi një fe të përsosur, por vetë jemi njerëz dhe shpesh nuk jemi të tillë, ndaj stigmën që kanë të tjerët për ne, do t’ia heqim vetë vetes, duke korrigjuar gabimet tona dhe duke u bërë myslimanë më të mirë, jo sipas islamit të moderuar që parapëlqen x apo y jashtë nesh, dhe as atij islami të gabuar që parapëlqen ndonjëri prej nesh, por Islamit që pëlqen Allahu që ne adhurojmë dhe Profeti që ne ndjekim. Ndërsa për përshtypjet dhe stigmat e të tjerëve që kanë për ne, për atë që ne besojmë se kënaq Zotin tonë, nuk na e ndjen fare nëse ndryshon ose jo për ta. Sepse ne nuk jetojmë për hatër të botës dhe për sytë e saj, por për të fituar kënaqësinë e Atij që na krijoi, ashtu si ne e besojmë Atë, paçka sa simpatikë apo antipatikë dukemi për botën liberale shekullare perëndimore dhe jo vetëm.

Është më se evidente se tarikati i shqiptarizuar folklorik, që Kryeministri ynë ka zgjedhur për të promovuar islamin e moderuar dhe tolerant, apo ja kanë propozuar ata që fusin hundët ngado, për të ngatërruar dynjanë për interesa të tyre, jo vetëm që nuk përfaqëson as 0,3% të myslimanëve të botës, në variantin më optimist të mundshëm, por as nuk ka as tagër historik dhe doktrinar për të mbajtur këtë peshë kaq të madhe. Kështu që vetë ideja për të bërë diçka të tillë, nga të gjitha aspektet morale, fetare, ligjore, politike, kulturore e sociale, është një çmenduri idiote, e cila me gjasa ka mbirë jo në mendjen e kryeministrit tonë, që besojmë ka aq sa ta kuptojë këtë gjë, por është pjesë e ndonjë agjende apo ideje të atyre që në tentativat e dështuara për të qepur imazhin e tyre të çjerrë keqas nga krimet që kanë kryer ndaj myslimanëve, duan të shfrytëzojnë çdo hapësirë të mundshme, qoftë kjo edhe më idiotja.

Por nisma në fjalë mund edhe të jetë pjesë e agjendave neoliberale që i fryjnë sinkretizmit fetar nga më ekzotikët, për të zhburrnuar të vetmin rival serioz doktrinar global, që vazhdon t’i rezistojë projektit shekullar neoliberal. Gjithmonë nëse e marrim për të mirëqenë synimin e deklaruar, përndryshe të gjitha opsionet e mundshme të ligësisë janë në tavolinë.

Kryeministri ynë tepër i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për dështimin e një nisme të tillë, edhe nëse ajo realizohet në mënyrë fiktive, ndoshta nuk ka guximin t’i thotë dot jo këtyre eksperimenteve të ‘miqve’ të tij, për ta lënë topin e dështimit në fushën e tyre dhe jo në të tijën.

Gjithsesi, pavarësisht se sa të sakta ose jo janë hamendësimet tona për këtë nismë në kuadër të dëshirës, me shumë sinqeritet dhe dashamirësi, do t’iu kërkoja bektashinjve shqiptarë, që të jenë ata të parët dhe më energjikët për ta refuzuar këtë nismë absurde, që i njollos dhe i keqpërdor ata. Përveç kësaj, si myslimanë që e deklarojnë veten, duhet të ripërtërijnë dhe shikojnë seriozisht marrëdhënien e tyre me të vërtetat e Kuranit, të cilin ata thonë se e besojnë si fjalën e Zotit. E vërteta dhe afërsia me burimin origjinal të Islamit, është shumë më e shtrenjtë dhe e dobishme, sesa çdo trashëgimi historike fetare, e cila na largon shumë ose pak nga origjinaliteti burimor i Islamit.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit