Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kërkesën për mbledhjen e nënshkrimeve për të paraqitur kërkesën për mbajtje të një seance të jashtëzakonshme në lidhje me rastin e vdekjes së dyshimtë të aktivistit të tyre, Astrit Dehari.
Por kjo kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka arritur të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme.
“Nuk është arritur mbledhja e 40 nënshkrimeve të nevojshme”, është theksuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Deputetët e Vetëvendosjes Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca kanë lëshuar mbledhjen e Kryesisë, për shkak që një deputet i PDK-së ka tërhequr nënshkrimin për një seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin.
Aida Dërguti tha se tash e sa ditë janë duke mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme.Sipas saj në momentin e fundit u tërhoq nënshkrimi i një deputeti për shkak të trysnisë së bërë . Deputeti Bislim Zogaj e ka tërheq nënshkrimin për seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin.
Ndryshe Astrit Dehari ka humbur jetën në rrethana ende të pasqaruara me 5 nëntor teksa gjendej në paraburgim në qytetin e Prizrenit./Indeksonline/