4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dështimi: Izraeli në Gaza, si SHBA-ja në Vietnam

Më të lexuarat

Pse strategjia e gabuar e Netanjahut po e bën më të fortë Hamasin

Nga Robert A. Pape, Foreign Affairs

Nëntë muaj operacione luftarake izraelite dhe tokësore në Gaza, nuk e kanë mposhtur dot Hamasin, dhe Izraeli nuk është fare afër mposhtjes së grupit militant. Përkundrazi, sipas parametrave që kanë rëndësi, Hamasi është sot më i fortë se sa ishte më 7 tetor 2023.

Që nga sulmi i Hamasit tetorin e vitit të kaluar, Izraeli e ka pushtuar Gazën Veriore dhe Jugore me rreth 40.000 trupa luftarake, duke zhvendosur me forcë 80 për qind të popullsisë, vrarë mbi 37.000 njerëz, dhe duke hedhur të paktën 70.000 ton bomba në atë territor të vogël (duke e tejkaluar sasinë e bombave që u hodhën mbi Londër, Drezden dhe Hamburg gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore).

Po ashtu, Izraeli shkatërroi ose dëmtoi mbi gjysmën e të gjitha ndërtesave në Gaza, dhe e kufizoi qasje e banorëve tek uji, ushqimi dhe energjia elektrike, duke e lënë të gjithë popullsinë civile në pragun e shfarosjes nga uria. Por për shkak të sulmit të Izraelit, fuqia e Hamasit po rritet dhe nuk po bie.

Ashtu si Viet Kongët që u forcuan gjatë operacioneve masive, të cilat rrënuan pjesën më të madhe të Vietnamit të Jugut në vitet 1966-1967, kur Shtetet e Bashkuara dërguan qindra mijëra trupa në një përpjekje që në fund rezultoi e kotë për ta kthyer luftën në favorin e saj, edhe Hamasi mbetet i pamposhtur.

Për më tepër, ai ka evoluar në një forcë guerile shumë këmbëngulëse dhe vdekjeprurëse, me operacionet e tij që kanë rifilluar tashmë në rajonet veriore, që supozohet se u spastruan nga ushtria izraelite vetëm disa muaj më parë. E meta kryesore në strategjinë e Izraelit, nuk është dështimi i taktikave apo vendosja e kufizimeve tek forca ushtarake.

Ashtu siç dështimi i strategjisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Vietnam, kishte pak të bënte me aftësitë teknike të trupave të tij apo me kufijtë politikë dhe moralë mbi përdorimin e fuqisë ushtarake. Përkundrazi, dështimi kryesor bazohet tek keqkuptimi i madh mbi burimet e  fuqisë së Hamasit.

Izraeli nuk ka arritur ta kuptojë se masakrat dhe shkatërrimi që ka sjellë Gaza, vetëm e ka bërë më të fortë armikun e tij. Për muaj të tërë, qeveritë dhe analistët janë marrë me numrin e luftëtarëve të Hamasit të vrarë nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sikur kjo statistikë të ishte matësi më i rëndësishëm i suksesit të fushatës së Izraelit.

Sigurisht, shumë luftëtarë të Hamasit janë vrarë. Izraeli thotë se 14.000-30.000 nga 40.000 luftëtarë që kishte Hamasi në total para luftës, tani janë të vdekur. Vetë Hamasi këmbëngul se ka humbur vetëm 6.000-8.000 luftëtarë. Burimet e shërbimeve sekrete amerikane, tregojnë se numri real i të vdekurve të Hamasit është rreth 10.000.

Por përqëndrimi i vëmendjes tek këto shifra, e bën të vështirë vlerësimin e vërtetë të fuqisë së Hamasit. Me gjithë humbjet e tij, Hamasi mbetet de facto nën kontrollin e zonave të mëdha të Gazës, përfshirë ato zona ku tani janë të përqendruar civilët.

Po ashtu, ky grup gëzon ende një mbështetje të jashtëzakonshme nga banorët e Gazës, gjë që i jep mundësi militantëve të marrin furnizimet humanitare, dhe të kthehen lehtësisht në zonat që më herët ishin cilësuar si të “spastruara” nga forcat izraelite. Tani Hamasi po zhvillon një luftë guerile, duke përfshirë pritat dhe sulmet me bomba të improvizuara (të bëra nga municione të pashpërthyera apo armë të kapura nga IDF).

Taktika të tilla, mund të zgjasin luftën të paktën deri në fund të këtij viti, ka deklaruar këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Hamasi ka të ngjarë të ketë rreth 15.000 luftëtarë të mobilizuar, ose afro 10 herë më shumë sesa numri i luftëtarëve që kryen sulmet e 7 tetorit 2023. Për më tepër mbi 80 për qind e rrjetit të tuneleve nëntokësore të grupit mbetet i përdorshëm për planifikimin, ruajtjen e armëve dhe shmangien e mbikëqyrjes, kapjes apo sulmeve izraelite.

Shumica e udhëheqjes së lartë të Hamasit në Gaza mbetet e paprekur.  Për një grup kryengritës, burimi kryesor i fuqisë nuk është madhësia e brezit aktual të luftëtarëve, por potenciali i tij për të fituar përkrahës nga komuniteti lokal në të ardhmen.

Fuqia e një grupi militant si Hamasi, nuk vjen nga faktorët tipikë materialë që analistët përdorin për të gjykuar fuqinë e shteteve, pra përfshirë madhësinë e ekonomisë së tyre, sofistikimin teknologjik të ushtrive të tyre, sa mbështetje të jashtme gëzojnë apo nga forca e sistemeve të tyre arsimore.

Përkundrazi, burimi më i rëndësishëm i fuqisë së Hamasit dhe aktorëve të tjerë militantë joshtetërorë që zakonisht quhen grupe “kryengritëse” është aftësia për të rekrutuar, veçanërisht aftësia për të tërhequr gjenerata të reja luftëtarësh dhe operativësh që kryejnë veprimet e grupit.

Dhe aftësia për të rekrutuar është e rrënjosur tek e fundit tek një faktor i vetëm: shkalla dhe intensiteti i mbështetjes që një grup rrjedh nga komuniteti i tij. Shumica e luftëtarëve tek grupimet miliante në Lindjen e Mesme, janë vullnetarë që vijnë, shpesh ose sepse janë të pikëlluar për humbjen e anëtarëve të familjes ose miqve apo më në përgjithësi nëse janë të indinjuar nga përdorimi i forcës së rëndë ushtarake nga një shtet i fuqishëm.

Sondazhet e opinionit palestinez, mund të ndihmojnë në vlerësimin e masës së mbështetjes së komunitetit për Hamasin. Qendra Palestineze për Kërkimin e Politikave dhe Anketave (PSR), e krijuar në vitin 1993 pas Marrëveshjes së Oslos që bashkëpunon edhe me institucionet izraelite, ka kryer intervista me personat të zhvendosur nga lufta.

Dhe në pesë sondazhe të PSR nga qershori 2023 deri në qershor të këtij viti, paraqesin një gjetje të habitshme: pothuajse në çdo parametër, Hamasi ka më shumë mbështetje midis palestinezëve sot sesa përpara 7 tetorit 2023. Mbështetja politike për Hamasin është rritur ndjeshëm krahasuar edhe me konkurrentët e tij.

Për shembull, ndërsa Hamasi dhe rivali i tij kryesor, Fatah, gëzonin afërsisht nivele ekuivalente të mbështetjes në qershor 2023, në qershor të këtij viti dy herë më shumë palestinezë e mbështetën Hamasin (40 përqind krahasuar me 20 për qind për Fatah-un).

Pra ofensiva izraelite nuk po i kthen palestinezët kundër Hamasit. Bombardimet e Izraelit dhe pushtimi tokësor i Gazës, nuk e ka zbehur mbështetjen palestineze për sulmet kundër civilëve izraelitë brenda Izraelit, dhe as nuk e ka ulur ndjeshëm mbështetjen për vetë sulmin e 7 tetorit.

Është e vërtetë që Izraeli ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit në Gaza. Por këto humbje në gjeneratën aktuale të luftëtarëve po kompensohen nga rritja e mbështetjes për Hamasin dhe aftësia e vazhdueshme e grupit për të rekrutuar më mirë gjeneratën e ardhshme.

Ndërkohë, derisa të mbërrijnë rekrutët e rinj, të gjitha shenjat tregojnë se luftëtarët aktualë të Hamasit ka të ngjarë të jenë më të etur se kurrë për të zhvilluar një luftë të zgjatur guerile kundër çdo objektivi izraelit që mund të godasin.

Dhe është e sigurt të thuhet se shkatërrimet e mëdha që Izraeli ka shkaktuar na Gaza, po nxitin shumë palestinezë të ndiejnë një armiqësi të mëtejshme ndaj shtetit hebre. Pas nëntë muajsh lufte rraskapitëse, është koha të pranohet realiteti i hidhur:nuk ka asnjë zgjidhje ushtarake për të mposhtur Hamasin.

Grupi është më shumë se shuma e numrit aktual të luftëtarëve. Po ashtu, është më shumë se sa një ide ndjellëse. Hamasi është një lëvizje politike dhe shoqërore, që do të vazhdojë të ekzistojë. Strategjia aktuale e Izraelit për operacione të rënda ushtarake, mund të vrasë disa luftëtarë të Hamasit, por kjo strategji vetëm sa po forcon lidhjet midis Hamasit dhe komunitetit lokal në Gaza.

Hamasi nuk është as i mundur dhe as në prag të humbjes, dhe kauza e tij është më popullore dhe mbështetja ndaj tij më e fortë se përpara 7 tetorit. Por liderët izraelitë, duket se nuk janë më të gatshëm të konceptojnë një plan politik më të zbatueshëm sesa ishin përpara 7 tetorit 2023.

 Shënim: Robert A. Pape, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit