Për Turk Press: Znj. Abir Nuhas – Refugjate Siriane
Isha në punë kur pareshtur filloi edicioni special i lajmeve për fillimin e një puçi në tentativë në Turqi. Duart më dridheshin pa ndalë gjersa po bëja publik lajmin dhe imagjinoja çfarë nënkupton kur ushtria të dalë në rrugë apo kur ushtarakët ta drejtojnë shtetin.
E imagjinoja çfarë domethënie ka të shohësh sërish vendime pa proces gjyqësor, arrestime pa urdhër arresti, jetë të humbura padrejtësisht, fe e përdhosur dhe vend i shkatërruar e i plaçkitur.
Gjersa lajmet vërshonin pa ndalë, në të njëjtën kohë filluan të vërshojnë edhe mesazhet e miqve nga e gjithë bota arabe duke na paralajmëruar, në veçanti, neve si sirianë të mos dalim në rrugë apo të mos flasim për asnjërën palë, nga frika se mund të jemi sërish viktimë po që se puçi arrin sukses.
Shumë mesazhe na ftonin të qëndronim nëpër shtëpi, të lutemi, të presim lehtësimin apo të kuptojmë më vonë se çfarë do të ndodhë. Miqtë, në fakt, nuk e linin vetëm me kaq por ‘këshillat’ e tyre i mbështesnin edhe me shembuj e fjalë të urta si: “o i huaj rri urtë,” “ai që e marton nënën time më duhet t’i them xhaxha”, “Zoti mos pastë mëshirë për frikacakun me njëmijë fjalë”. Ata po ashtu na kujtonin se çfarë përjetuan sirianët në Egjipt pas suksesit të puçit ushtarak atje dhe na paralajmëronin për fatin e tyre.
Heshtja ishte përgjigjja ime më e mirë ndaj këtyre mesazheve, ndërkohë kërkoja nga djali im, që po përgatitej të dilte në rrugë së bashku me turqit, që t’i falte dy rekate namaz, ta ripërtërinte nijetin e vendosmërinë si dhe të llogariste të Zoti këtë dalje që mund të kushtonte.
Të rinjtë sirianë nuk u mashtruan! Ata nuk mund të bënin ballë të rrinin nëpër shtëpi si siguri për vete, gjersa ata që na mbrojtën neve nga çdo rrezik tashmë po përballeshin vet me rrezikun. Zemrat nuk bënin dot ballë ta humbnim Turqinë ngase neve edhe ashtu nuk na ka mbetur asgjë tjetër, përveç saj, për të humbur.
Ne, duke pasur në konsideratë atë që përjetuam si popull, nuk mund të pranojmë assesi asnjë palë që dëshiron ta shtyp popullin e vet e të sundojë me grykën e pushkës, e lëre më një popull e qeveri që nuk la derë pa hapur për të na mbrojtur e për të qëndruar pranë nesh, kurdoherë që patëm nevojë.
Ndoshta ishim para një opsioni të vetëm, pra në qoftë se puçi do të kishte sukses neve do të na duhej ta nisnim një eksod të ri shpërnguljeje. Kjo do të mund të ishte më e lehtë pasi që ne sirianët jemi adoptuar, pra të ikim e të fillojmë një jetë të re në një vend tjetër, por assesi Turqia kësaj radhe ishte shumë e shtrenjtë dhe shumë e dashur për ne.
Të rinjtë sirianë nuk qëndruan mënjanë, e kuptuan dhe u binden se vetëm lutja nuk është zgjidhje, ajo si e vetme nuk e arrin kënaqësinë e Zotit, por se dalja, konfrontimi, sakrifica dhe rrezikimi ishin veprimi i duhur dhe real, ndaj e kuptuan se mbrojtja nuk do ta ndalojë fatin/kaderin.
Shumica e të rinjve tanë nuk qëndroi mënjanë gjersa shihnin se shteti i vetëm që na i hapi të gjitha dyert, na trajtoi me dinjitet, na i dha të drejtat e barabarta me qytetarët e vet, të bëjmë jetë normale në liri e me dinjitet, po tentohej të abuzohej me të.
Të rinjtë sirianë nuk qëndruan mënjanë gjersa shihnin se fortesës së fundit të fesë dhe dashurisë në zemrat tona, po i bëhej pabesia.
Të rinjtë tanë nuk ia kthyen shpinën atyre që nuk ju shpëtoi as një shans i vetëm pa i mbrojtur të drejtat tona, atyre që ngrenë lartë flamurin e revolucionit tonë në Uashington, vetëm pse na donin e jo që kishin interes nga ne. Në fakt, ne kemi nevojën më të madhe për zemrën e madhe të këtij vendi, i cili rrezikoi të ardhmen e tij politike për hir tonin, i cili u tha troç në fytyrë të gjithë kundërshtarëve se nuk do të na linin në baltë, gjersa këta të fundit i paralajmëronin turqit për rrezikun e ekzistencës sonë në mesin e tyre.
Ishim dhe jemi krenar të qëndrojmë përkrah një populli që u hodh si luan, duke ngritur lart vetëm flamurin e shtetit të vet, pa fotografi të askujt, pa flamuj partiak, duke përsëritur sloganin e madhërimit të Zotit dhe me Bismilah (emër të Tij) na e mësoi artin e shpengimit, artin e sakrificës, artin e të mos humburit kohë dhe reagimit të shpejtë për mposhtur goditjen sa hap e mbyll sytë.
Krenar që jemi një umet, një zemër, një dorë e vetme, uniteti i së cilit janë brengosjet, objektivat dhe sakrificat.
Ndaj fjalën më të përshtatshme që e gjeta për të ju përgjigjur të gjitha atyre mesazheve paralajmëruese ishte:
“Kam dhënë një dëshmor në mbrojtje të Sirisë dhe kurrë nuk do ta kurseja të dytin në mbrojtje të Turqisë…
Djali im me krenari qëndronte në sheshe në mesin e turqve dhe sirianëve tjerë..
Ne të gjithë mbrojmë kauzën e umetit si tërësi.. .. nuk frikësohemi … por nuk e kursejmë as jetën … “