Nga Nadeine Asbali
Për disa, ai është një hero liberal; kampioni i fundit i sekularizmit dhe i fjalës së lirë, i cili bëhet më i nderuar sa më shumë që sulmohet. Por, për muslimanët si unë, Selman Rushdiu është mishërimi i Islamofobisë moderne. Është një figurë e letërisë që fshihet pas maskës së një ‘mendimtari të lirë progresiv’. Është një nënprodukt i një elite ateiste liberale të fiksuar pas Islamit.
Vështirë të mendosh për një shkrimtar më të diskutueshëm se sa Selman Rushdinë.
Që nga kërcënimet me vdekje e deri te fetvatë, e nga ofendimet deri te lëndimet, autori britaniko-amerikan me origjinë indiane e ka ndërtuar karrierën e tij mbi polemika, duke u shndërruar në një martir gjatë këtij procesi. Thjerrëza e errët në syrin e tij të djathtë, të cilin e humbi gjatë një sulmi të dënueshëm që i ndryshoi jetën dy vjet më parë, tashmë shihet si simbol i sakrificës.
Për disa, ai konsiderohet një hero liberal; kampioni i fundit i sekularizmit dhe i fjalës së lirë, i cili bëhet më i nderuar sa më shumë që sulmohet. Por, për muslimanët si unë, Selman Rushdiu është mishërimi i Islamofobisë moderne. Është një figurë e letërisë që fshihet pas maskës së një ‘mendimtari të lirë progresiv’. Është një nënprodukt i një elite ateiste liberale të fiksuar pas Islamit.
Për më tepër, komentet e fundit të Selman Rushdisë për Palestinën konfirmojnë atë që shumë prej nesh e kanë thënë prej kohës për markën e tij të ateizmit liberal: se ajo është e bazuar tërërisht në një Islamofobi të fshehur hollë.
Selman Rushdiu e thotë pjesën e heshtur me zë të lartë
Gjatë një bisede në lidhje me protestat në kampuset anerikane në një podcast gjerman javën e kaluar, Selman Rushdiu tha se, ndonëse ai “e kishte mbështetur idenë e një shteti palestinez gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij – tani, nëse do të kishte një shtet palestinez, ai do të drejtohej nga Hamasi. E kjo, sipas tij, do ta bënte atë një shtet të ngjashëm me talebanët, dhe do të ishte një shtet klient i Iranit”. Më pas shton e thotë: “Është shumë e çuditshme se si politikat e raja studentore progresive mbështesin një lloj grupi terrorist fashist.”
Me këtë pohim, njeriu model i fjalës së lirë në Perëndim bën një deklaratë ironike reduktuese në lidhje me synimet e protestuesve pro-palestinez duke e përzier mbështetjen për Palestinën me mbështetjen ndaj Hamasit. Duke bërë këtë, Selman Rushdiu shet teoritë konspirative të krahut të djathtë, të cilat e lidhin aktivizmin palestinez me terrorizmin dhe ekstremizmin.
Ne e kemi parë këtë ekuivalencë të rreme ndërmjet aktivizmit pro-palestinez dhe ekstremizmit të bëhet e zakonshme në diskursin politik dominues muajt e fundit. Kjo pothuajse gjithmonë përdoret kundër muslimanëve politikisht aktivë që mbrojnë kauza kundër qëllimeve të përgjakshme e perandorake të qeverive të tyre.
Merrni parasysh referencën ogurzezë dhe të ngarkuar të Rishi Sunak-ut në lidhje me protestat pro-palestineze në mars 2024, të cilat i cilësoi si ” forca të brendshme ekstremiste që duan të na copëtojnë.” Ose merrni mediat që i përshkruajnë protestat e universiteteve në Mbretërinë e Bashkuar si ” antisemitizëm në kampuse”. Vetëm pak ditë më parë, një mësues u akuzua për krim urrejtjeje për shkak të valëvitjes së një pankarte që e paraqiste Rishi Sunak-un dhe Suella Braverman-in si arrë kokosi.
Ngatërrimi i mbështetjes për Palestinën me ekstremizmin është mjaft i rrezikshëm. Por, në një farë mënyre, komentet e Rushdisë janë edhe më kërcënuese, pasi ngjyra e lëkurës dhe emri i tij që tingëllon si musliman i japin atij një farë statusi që ka më shumë peshë.
E gjithë karriera e Selman Rushdisë është e ndërtuar mbi një fasadë që e paraqet atë si progresiv, largpamës dhe liberal. Kështu që, ta dëgjosh atë të përshkruajë një shtet të ardhshëm palestinez si një shtet satelitor të Iranit të ” llojit të talebanëve” është edhe më e vështirë për t’u hedhur poshtë thjeshtë si politikë e papjekur.
Pozicioni i Rushdisë ka ndryshuar nga shprehja e një kritike të supozuar ndaj një teksti të shenjtë – edhe pse shumë prej nesh besojnë se ajo ka qenë gjithmonë e rrënjosur në Islamofobi – në një lloj Islamofobie të drejtpërdrejtë që ne zakonisht e shohim në ballinën e ndonjë tabloidi. Kjo trajektore është pjesë përbërëse e një fushate më të gjerë që ka për qëllim demonizimin, përjashtimin dhe në fund kriminalizimin e muslimanizmit në botën perëndimore. E kjo shpesh bëhet nën maskën e vlerave liberale, laike.
Gjithçka, veç Islamit jo
Ateistët më të sinqertë të ditëve të sotme po ashtu, si Richard Dawkins, kanë treguar se nuk janë gjë tjetër veçse disa meshkuj të bardhë elitarë me një obsesion jo të shëndetshëm ndaj Islamit dhe muslimanëve. Deklarimi i bërë nga Dawkins-i kohët e fundit se ai në fakt është “i krishterë kulturalisht” – paçka se ka bërë emër me premisën se ai është ateist – pasi krishterimi është në thelb “i denjë” ndërsa Islami “jo” dhe referenca e tij specifike për “armiqësinë” e Islamit ndaj grave”, të gjitha këto janë në të njejtën linjë me komentet e Rushdisë.
Thelbi i mesazhit është se, Islami është në thelb i prapambetur, inferior dhe i dhunshëm, ndërsa e kundërta është gjithmonë më e mirë pasi ka më shumë afërsi me vlerat superiore perëndimore, qoftë ky krishterimi, laicizmi apo ateizmi i plotë.
Gjithmonë kam qenë disi e hutuar nga mënyra e nderimit që Perëndimi i ka bërë Rushdisë dhe nga statusi i tij si pjesë e hyjnisë letrare, anë kjo e emblemës së vetë Perëndimit. Por me komentet e tij të fundit, fasada e Rushdisë nuk ka qenë kurrë më tejdukshme se tani.
Joshja që elita liberale ka ndaj tij është pikërisht për shkak se ai shërben si përkujtues i një karriere të gjatë të përjetimit të dhunës dhe intolerancës që supozohet se janë veçanti e Islamin dhe muslimanëve. Jeta e tij në arratisje, fetvatë e lëshuara kundër tij dhe tani lëndimi fizik i syrit të tij të verbër, të gjitha këto dërgojnë një mesazh të vazhdueshëm e të fortë se muslimanët janë joliberalë dhe të paqartë, ndërsa “ne”, perëndimi, jemi pikërisht antiteza e kësaj. E Perëndimi lulëzon mbi mundësinë për ta paraqitur veten si superior, tolerant dhe progresiv.
Kjo i ka kufizuar mjaft muslimanët më parë. Por tani, komentet e Rushdisë përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë kundër lirive të muslimanëve në Britani e më gjerë.
Në këtë klimë, ku aktivizmi ynë politik tashmë kriminalizohet, e ku fëmijët tanë tani janë të hiperpolicuar nëpër shkolla, kurse liritë tona fetare kufizohen çdo ditë, fytyra e liberalizmit perëndimor që e krahason kundërshtimin e gjenocidit me mbështetjen ndaj terrorizmin është diçka që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Solli në shqip Observer.al
Nadeine Asbali është një gazetare me banim në Londër. Ajo shkruan për The New Arab dhe The Guardian, ku trajton tema si arsimi, Islamofobia, feminizmi dhe drejtësia sociale. Ajo është gjithashtu kritike e zëshme e politikave të qeverisë franceze ndaj grave muslimane.