2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dëshirimi i jetës së kësaj bote dhe bukurisë së saj

Më të lexuarat

O ti Profet, thuaju grave të tua: “Nëse jeni duke dëshiruar jetën e kësaj bote dhe bukurinë e saj, atëherë ejani, t’ju jap pasuri për ndarjen dhe t’ju divorcoj në një mënyrë të këndshme. E nëse jeni duke dëshiruar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe banesën e botës tjetër, atëherë, nuk ka dyshim, Allahu ka përgatitur për vepërmirat mes jush një shpërblim madhështor!”

(El-Ahzab 33, 28-29)

Ngjarja e përmendur në këto ajete i referohet kërkesës që gratë e Profetit ﷺ i bënë atij për të shtuar shpenzimet në familje dhe lirisë së zgjedhjes që ai u ofroi atyre, për të qëndruar të martuara me të duke duruar vështirësitë e mënyrës së tij të jetesës, apo për t’u divorcuar prej tij. “Zoti i Lartësuar i dha lirinë e zgjedhjes Profetit ﷺ, për të qenë Profet dhe Mbret, apo një Profet nevojtar. Ai u konsultua me Xhibrilin, i cili i sugjeroi vobektësinë. Kur e bëri këtë zgjedhje, e cila përbënte shkallën më të lartë mes të dyjave, Zoti i Lartësuar e urdhëroi që t’ia ofronte lirinë e zgjedhjes edhe grave të tij, sepse ndonjëra mund të mos pëlqente të qëndronte me të në vështirësi” (Uehba ez-Zuhajli).

Ajetet kanë zbritur pas tërheqjes së aleancës së fiseve arabe nga rrethimi i Medines dhe marrjes nën zotërim nga ana e muslimanëve të territoreve të hebrejve të Benu Nadir, Khajberit dhe Fedekut. “Me hebrejtë e Khajberit Profeti ﷺ ra në ujdi që ata të punonin tokën dhe gjysmat e të ardhurave t’u takonin muslimanëve. E njëjta marrëveshje u bë dhe me hebrejtë e Fedekut, me ndryshimin që të ardhurat e muslimanëve do t’i takonin të gjitha Profetit ﷺ, sepse Fedeku u dorëzua pa luftë nga ana e hebrejve pas rënies së Khajberit” (Ibën Is’hak). Të nxitura nga rritja e ndjeshme e të ardhurave të Profetit ﷺ pas këtyre ekspeditave, “gratë u ulën rreth tij dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, gratë e (perandorit të Persisë) Khosrout dhe (perandorit të Romës) Çezarit jetojnë në mesin e zbukurimeve dhe bollëkut, me shërbëtore dhe robëresha, kurse ne jemi në varfërinë dhe ngushticën që shikon!” (Uehba ez-Zuhajli).

Ebu Daudi transmeton në një hadith se të ardhurat nga pasuritë e Benu Nadir, Profeti ﷺ i mbajti për nevojat e tij të ngutshme, ato nga Fedeku ua dedikoi udhëtarëve në nevojë, kurse të ardhurat nga Khajberi, Profeti ﷺ i ndau në tri pjesë: dy pjesë për muslimanët dhe një pjesë për nevojat e familjes. Por, pjesa që ai kishte ndarë për nevojat e familjes iu duk e pamjaftueshme grave të tij, e për këtë arsye “kërkesa e tyre për bollëk dhe që t’i trajtonte siç trajtonin mbretërit dhe të mëdhenjtë gratë e tyre ia lëndoi zemrën Profetit ﷺ, prandaj Zoti i Lartësuar e urdhëroi t’u lexonte ajetet që zbritën rreth tyre” (Uehba ez-Zuhajli).

Sipas një versioni më të detajuar të ngjarjes, Buhariu transmeton në një hadith të gjatë se, pas kërkesës së grave, Profeti ﷺ u veçua prej tyre në një dhomëz brenda xhamisë ku qëndroi më vete për një muaj. Në një prej këtyre ditëve, ‘Omar bin el-Khatabi lejohet prej Profetit ﷺ që ta vizitojë dhe e gjen ndenjur mbi një rrogoz, i cili kishte lënë shenjë në trupin e Profetit ﷺ sepse mbi të nuk kishte asnjë shtrojë. Pyetjes së ‘Omarit nëse i kishte divorcuar gratë e tij, Profeti ﷺ iu përgjigj duke ngritur sytë: “Jo”.

Duke qëndruar në këmbë, ‘Omari i thotë Profetit ﷺ: “O Mesazher i Allahut, ne kurejshët dominonim mbi gratë, por kur erdhëm në Medine dhe gjetëm një popull që dominohej nga gratë e tyre, gratë tona filluan të përvetësonin zakonet e tyre. Lute Allahun që ta begatojë me të mira populli tënd, sepse Persët dhe Bizantinët janë begatuar dhe ju është dhënë gjithë bota, ndërkohë që ata nuk e adhurojnë Allahun”. Profeti ﷺ, që deri në atë moment kishte qëndruar ulur në ije, u drejtua dhe i tha ‘Omerit: “O bir i Khatabit, a mos ke dyshim se bota tjetër nuk është më e mirë se kjo botë?? Ata janë popuj që shpërblimet e punëve të mira u janë dhënë në këtë botë”! Pasi kaloi një muaj, Profeti ﷺ u kthye të gratë e tij dhe u ofroi zgjedhjen që kishte zbritur në ajet, duke nisur nga ‘Aisha.

Gjatë përshkrimit të situatave me të cilat do të përballen muslimanët e kohës së sotme, Profeti ﷺ ka parathënë me përpikëri sëmundjen që do t’i karakterizojë ata. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Daudi ai ka thënë: “Do të jetë e afërt koha kur kombet e tjera do t’ju sulen duke i thërritur njëri-tjetrit, ashtu sikurse njerëzit ftojnë njëri-tjetrin për në ushqim”. Dikush e pyeti: “A do të ndodhë kjo për shkak të numrit tonë të pakët në atë kohë”? “Jo – u përgjigj Profeti ﷺ – ju do të jeni shumë, por do të jeni si kashta e kalbur që e merr rryma. Pa dyshim, Allahu ka për ta hequr nga zemra e armiqve frikën prej jush, ndërsa në zemrat tuaja do të hedhë dobësi”. Dikush pyeti: “O Mesazher i Allahut, çfarë është dobësia”? Ai u përgjigj: “Dashuria për jetën e kësaj bote dhe urrejtja për vdekjen”.

I parë me sipërfaqësi, hadithi duket sikur përshkruan ata muslimanë që do të jepen pas dashurisë së gjërave të ndaluara të kësaj bote, ngase dashuria për këtë jetë, e shoqëruar për më tepër me urrejtjen ndaj vdekjes në hadith, krijon përshtypjen se Profeti ﷺ është duke folur për sëmundjen shpirtërore të dashurisë së të ndaluarës. Ndërkohë, Profeti ﷺ ka folur për dashurinë e kësaj jete dhe bukurisë së saj në tërësi kur ka përshkruar muslimanët e kësaj kohe, sepse dëshirimi i jetës së kësaj bote nga gratë e tij, i përmendur në ajetin e sures Ahzab në fillim, nënkupton pikërisht mirësitë e lejuara kur i referohet dëshirimit për këtë jetë, dëshirim i cili dëmton përkushtimin e duhur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ.

Prandaj, muslimanët e sotëm, të cilët shohin në të përpjekurit për arritjen e të mirave të kësaj jete zbatimin e parimit Islam të të begatuarit me to, krahas adhurimeve që sigurojnë shpërblimet në botën tjetër, duhet të meditojnë dhe reflektojnë se mos përkushtimi ndaj të mirave të jetës së kësaj bote përfshihet në dashurinë e qortueshme të saj, ndaj së cilës ka tërhequr vëmendjen Profeti ﷺ kur ka folur për ngjarjet e kohëve afër fundit të botës.

Përgatiti: Gerdi Demneri – brendesitekuranit.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit