8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Deri në 2030 nga mungesa e ujit mund të emigrojnë 700 milionë njerëz

Më të lexuarat

Sipas parashikimeve deri në vitin 2030 në mbarë botën 700 milionë njerëz do të duhet të migrojnë nga rajonet ku ata jetojnë për shkak të mungesës së ujit.

Toka e cila njihet si “Planeti i Kaltër” përbëhet 70 për qind nga uji. Fakti që vetëm 2.5 për qind e këtij uji është i ëmbël dhe për shkak të ndryshimeve klimatike, industrializimit dhe rritjes së popullsisë e bën gjithmonë edhe më të rëndësishëm kursimin, ruajtjen e burimeve të përdorshme të ujit në tokë.

Oqeanet përbëjnë 97.2 për qind të burimeve ujore në botë ndërsa 2.15 për qind akullnajat, 0.26 për qind ujërat nëntokësore, 0,009 për qind liqenet me ujë të ëmbël, 0,008 për qind detet e mbyllura, 0,005 për qind lagështia në tokë, 0,001 për qind uji në atmosferë dhe 0,0001 për qind lumenjtë.

Megjithëse çdo rajon ka ujë të mjaftueshëm për veten e tij, burimet e ujit të ëmbël në të gjithë botën nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë. Kjo do të thotë që burimet e ujit të ëmbël tregojnë ndryshime në kontinente, rajone dhe madje brenda vendit.

Amerika zotëron 46 për qind të burimeve të ujërave të ëmbla

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Amerika është një nga kontinentet më të pasura në botë me 46 për qind të burimeve të rinovueshme të ujit të ëmbël për çdo vit. Në kontinent, burimet e rinovueshme të ujit të ëmbël për kokë banori janë mesatarisht 55.500 litra në ditë.

Oqeania është një nga rajonet më të thata në botë pasi mban në vit vetëm 2 për qind të burimeve të ujit të ëmbël. Por, për shkak të densitetit të ulët të popullsisë, sasia e ujit të ëmbël për kokë banori është më e lartë se e shumë rajoneve.

Azia është një nga rajonet me sasinë më të ulët për sa i përket burimeve të ujit të ëmbël për frymë me 7.750 litra në ditë.

Burimet e përditshme të ujit të ëmbël për frymë janë 750 litra në Afrikën e Veriut dhe 230 në Gadishullin Arabik. Theksohet se Kuvajti është rajoni që ka më pak sasinë e ujit të mjaftueshëm të ëmbël me të pakktën 16 litra në ditë për frymë.

700 milionë njerëz mund të detyrohen në emigrim

Miliarda njerëz në pjesë të ndryshme të botës nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe të sigurt në shtëpitë dhe bizneset e tyre. Përveç kësaj, ky problem përjetohet edhe në shkolla. Shumë organizata ndërkombëtare tërheqin vëmendjen se grupet e pafavorizuara, veçanërisht gratë, fëmijët, indigjenët dhe refugjatët kanë ende qasje të kufizuar në ujë të pastër.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 2.1 miliardë njerëz në botë nuk kanë ujë të pastër në shtëpitë e tyre. Po ashtu 844 milionë prej tyre kanë vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm bazë ndërsa 263 milionë njerëz, shumica e tyre në Afrikën Sub-Sahariane, duhet të presin gjysmë ore për të marrë ujë nga rubineti. Nga ana tjetër, edhe 159 milionë njerëz i plotësojnë nevojat e tyre ujore nga ujërat sipërfaqësore.

Sipas UNICEF-it, një në çdo katër shkolla fillore në botë nuk ka ujë të pastër të pijshëm. Krahas kësaj, më shumë se 700 fëmijë nën moshën 5 vjeç vdesin çdo ditë nga diarreja e shkaktuar nga uji jo higjenik.

OBSH thekson se 80 për qind e njerëzve në botë që nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe të sigurt jetojnë në zonat rurale, periferike. Nga ana tjetër, të pasurit paguajnë më pak për të siguruar ujin, ndërsa të varfërit duhet të paguajnë më shumë për të pasur të njëjtin shërbim.

Sipas të dhënave të FAO, në vendet e zhvilluara konsumohen deri në 800 litra ujë për person në ditë për nevojat e brendshme, ndërsa në vendet e pazhvilluara kjo normë zbret deri në 10.

Është vlerësuar se gjysma e popullsisë së botës deri në vitin 2025 do të jetojë në zonat me burime të kufizuara ujore. Të dhënat nga Instituti Global i Ujërave paralajmërojnë se deri në vitin 2030, për shkak të mungesës së ujit do të duhet të emigrojnë 700 milionë njerëz nga rajonet ku ata jetojnë.

Rëndësia e ujitjes efektive në bujqësi

Qasja në ujë të pastër është një nga çështjet më të rëndësishme të njerëzimit në shekullin 21.

Në mbarë botën, 70 për qind e ujit përdoret për bujqësi, 20 për qind për industrinë dhe 10 për qind për përdorim shtëpiak. Konsumi i rreth 70 për qind të ujit në botë për bujqësi rrit rëndësinë e përdorimit të duhur dhe efektiv në këtë fushë.

Të dhënat e FAO tërheqin vëmendjen se deri në vitin 2030 zonat e ujitura në vendet në zhvillim do të rriten me 34 për qind.

Si rezultat i zhvillimeve dhe përmirësimeve në metodat e ujitjes, FAO thekson se sasia e ujit të përdorur në ujitje bujqësore mund të rritet vetëm me 14 për qind dhe për këtë arsye vë në dukje metodat produktive, efikase dhe të vazhdueshme të ujitjes./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit