2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Deputeti i himnit shqiptar në Kuvendin maqedonas: jo unë arsyeja e shpërthimit të dhunës dhe pse duam një Shqipëri stabile

Më të lexuarat

Po spekullohet rëndom këto orë se shkaku i sulmit ndaj Kuvendit maqedonas nga përkrahës të VMRO-së, ishte këndimi i himnit shqip nga deputeti i BESËS, Zekerija Ibrahimi. Por ky i fundit e mohon këtë fakt. Në një intervistë për tesheshi.com, Ibrahimi sqaron se si ndodhi që ai shkoi deri te himni. Dhe në fakt kjo ka bërë habi, pasi i njohuri si Zeka i BESËS nuk është një politikan folklorik, ndërsa himni i tij në Kuvendin maqedonas u servir nga mediat shqiptare me maksimumin e folklorizmit. Për deputetin Ibrahimi, gjithçka ndodhi lidhet me emërimin kryetar Kuvendi të një shqiptari….

Bisedoi: Mensur Krasniqi

Disa media kanë shkruar se ishit ju, pra këndimi i himnit shqiptar prej jush në Kuvend, shkak për trazira. Sa për qind e vërtetë është kjo?

Ndonëse të gjithë e dinë të vërtetën, dikujt mbase ashtu i pëlqen ose ashtu është i porositur të veprojë.

Këndimi i himnit të flamurit shqiptar erdhi si pasojë e një diskutimi që e kishim që në mëngjesin e ditës së djeshme me deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët na provokuan se a e respektojmë ne, shqiptarët, himnin e shtetit. Dhe, pastaj – pas dite – që ta rrisin provokimin, një deputet i kësaj partie e shfrytëzoi të drejtën e fjalës për vërejtje ndaj rregullores që në ato minuta ta këndojë himnin maqedonas. Natyrisht, ne e respektuam. Por, si reagim ndaj kësaj, se edhe ne e kemi himnin tonë dhe po ashtu mund ta këndojmë nga Kuvendi, që ta shohim edhe sa na respektojnë ata neve, por edhe si reagim që kryesuesi i mbledhjes e lejoi veprimin e tij, erdhi himni shqiptar.

Por, mbledhja përfundoi pa ndonjë incident dhe ne qëndruam në sallë derisa u zgjodh kryetari i Kuvendit. Pasi përfunduan të gjitha procedurat, ne u larguam. Ndonëse atyre mund t’u ketë djegur që një shqiptar ua këndon himnin nga foltorja e Kuvendit, mendoj se arsyeja e sulmit të huliganëve ndaj deputetëve ka qenë për shkak se shumica parlamentare e zgjodhi kryetarin e Kuvendit.

Me ç’ndërgjegje e bëtë këtë, politike apo atdhetare?

Nuk besoj që ka shqiptar që himnin e flamurit mund ta këndojë me ndërgjegje tjetër, pos atdhedashurisë.

Kishit ndonjë dilemë para se ta ndërrmernit këtë hap: ta bëj apo mos ta bëj?

Jo, nuk kisha asnjë dilemë. Kisha vetëm dertin a do ta ma japin fjalën, sepse mbledhja përmbyllej për dy minuta. E kisha vendosur.

Ku u ndodhët kur u sulmua Kuvendi nga turmat, mos rrezikuat dhe ju?

Pasi që përfundoi seanca e zgjedhjes së kryetarit, një pjesë e deputetëve shkuan në press-qendër dhe pjesa tjetër dolëm jashtë. Në atë kohë mezi arrita deri te makina, sepse turma e huliganëve ishte ja 10-15 metra më tej. Natyrisht, më shanë e më gjuajtën me çka kishin në dorë, por – falë Zotit pa ndonjë lëndim – arrita të largohem. Pas kësaj, turma i ka kaluar barrikadat dhe është futur në Kuvend. Ka qenë dallimi për dy-tre minuta. Jam i bindur se po të më kishin kapur, sidomos pas atij himnit në Kuvend, s’besoj që do të kishim mundur ta realizojmë këtë intervistë.

Prandaj, duke u përballur me vdekjen, kur shoh postime në stilin “pse nuk qëndruat aty, pse ikët?”, më duken njësoj si thirrjet albanofobe “shqiptari i vdekur – shqiptar i mirë”. Nëse duhej të pësonim që të na vajtonin e të bëheshim heronj, kjo mendoj se është e ulët.

Si u ndjetë kur patë Zaevin dhe Selën ashtu të gjakosur?

Natyrisht, shumë keq. Para se të dalim u përshëndetëm me Zaevin dhe biseduam shkurtimisht për hapat e mëtejme, ndërsa me Selën u ndamë të fundit në korridor. Dhe, t’i shohësh pastaj të gjakosur, nuk ka si bëhet më keq. Megjithatë, më vjen mirë që e kanë marrë veten dhe tash janë më mirë. Uroj që kjo kurrë më të mos përsëritet.

Si e parashihni të ardhmen e afërt të situatës?
Është pak herët të prognozojmë, por se Maqedonia tashmë ka rrëshqitur nga kriza e demokracisë në krizë të sigurisë, kjo është evidente. Dhe, meqë e dimë se cilat rregulla ndërkombëtare duhet të vlejnë në raste të krizës së sigurisë, shpresoj që tash komuniteti ndërkombëtar do të jetë më këmbëngulës në vendosjen e rendit, qetësisë dhe kthimin e demokracisë.

A mendoni dhe ju si influence ruse ka ndikimet e saj në gjithë këtë situatë?
Po nëse nuk merren në konsideratë rekomandimet e BE-së e të SHBA-ve për zgjidhjen e krizës, vetvetiu shtrohet kjo pyetje.

Po situatën në Shqipëri si po e përjetoni dhe a ju ndihmon kjo në betejat tuaja politike si faktor shqiptar?
Do të doja që atje së paku të jetë gjendja stabile.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit