-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Deputetët pyesin ministrin Shala për Xhaminë në Kalanë e Prizrenit

Më të lexuarat

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, gjatë rendit të ditës për pyetje parlamentare, deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe zv/kryetar i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka, i parashtroi pyetje ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Shala, për projektin e restaurimit të Kalasë së Prizrenit, përkatësisht për arsyen e pengesës së ndërtimit të xhamisë dhe të Sahat Kullës, në Kala. Damka u shpreh se në bazë të dëshmive të vjetra, qytetarët e Prizrenit kanë organizuar peticione dhe ata kanë prova për kërkesën e ndërtimit të xhamisë dhe të sahat kullës, të cilat sipas tij do të përdoren si simbol kulturor.

fikrimdamka1512

Kurse ministri Shala, iu përgjigj kësaj pyetjeje duke thënë se përpos xhamisë ka evidence edhe për një kishë në Kala dhe shtoi se Kalaja e Prizrenit është një lokalitet arkeologjik i cili duhe të trajtohet ndryshe.

“Ministria e Kulturës nuk harton projekte të asaj natyre, për institucionet publike nacionale të cilat janë të specializuara. Nuk mund të bëhet projekt total për lokalitete arkeologjike sepse këto bëhen faza faza, varësisht se si ecin gërmimet me karakter arkeologjik”, tha Shala.

Ai po ashtu bëri të ditur se për këtë çështje Ministria e Kulturës ka marrë shkresë edhe nga Bashkësia Islame dhe shtoi se çdo kërkesë duhet të adresohet së pari tek Qendra Rajonale e Trashëgimisë në Prizren dhe pastaj tek Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“Kjo është një procedurë ligjore standarde që rregullohet me ligj. Përveç kësaj çdo aktivitet tjetër, sidomos aktivitetet të natyrës politike, janë plotësisht të panevojshme. Kjo është çështje ligjore dhe profesionale”, tha Shala.

Ndërkaq deputeti Damka iu përgjigj ministrit Shala se nuk ka asnjë dëshmi që në Kala ka pasur ndonjë kishë dhe shtoi se dëshmitë e xhamisë ekzistojnë me vite, të cilat sipas tij, mund të shihen edhe nëpër fotografi.

Ai theksoi se brenda Kalasë janë ndërtuar disa ndërtesa të cilat nuk kishin ekzistuar më parë, dhe të cilat sipas tij edhe prishin pamjen dhe arkeologjinë e saj. “Në një anë nuk jepni pëlqimin për ndërtimin e xhamisë për të cilin thuani se nuk është arkeologjik, e në anën tjetër ndërtoni ndërtesa të cilat nuk kanë qenë dhe as nuk kanë figuruar më herët në atë kala”, tha ai.

Ndërkaq, ministri Shala iu përgjigj deputetit Damka se në lokalitetet arkeologjike lejohet vetëm ndërtimi i vizitatoriumeve dhe i muzeve. Sipas legjislacioneve në lokalitete arkeologjike, ministri Shala tha se nuk lejohet ndërtimi i objekteve religjioze.

“Sipas legjislacionit të Kosovës dhe të konventave ndërkombëtare, në lokalitete arkeologjike nuk lejohet ndërtimi i objekteve religjioze, do të thotë ka evidenca edhe pë kishën. Kisha e xhamia janë të një kategorie ndërkaq Sahat Kulla është e një kategorie tjetër, por për të gjitha këto së pari duhet të bëhen studimet, duhet të kryehen gërmimet arkeologjike dhe pastaj në bazë të rezultateve të këtyre mund të bëhen kërkesat shtesë”, tha në fund ministri Shala.

Këshilli i Bashkësisë Islame kërkon rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Ndryshe, muaj më parë Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) të Prizrenit kishte kërkuar rindërtimin e xhamisë së rrënuar në Kalanë e Prizrenit, duke theksuar se kjo është kërkesë qytetarëve të Prizrenit.

Sipas KBI-së xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit dhe të Kosovës, e ndërtuar rreth viteve 1450, kur Shteti Osman ishte vendosur në qytetin e Prizrenit.

Përfaqësuesit e KBI-së bëjnë të ditur se ajo kishte pësuar shkatërrime dhe rrënime në periudha të ndryshme, e cila së fundi pas vitit 1920, si dhe objektet e tjera në Kalanë e Prizrenit, kishte përjetuar një kulturocid nga pushteti serbo-malazez i asaj kohe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit