Deputetët izraelitë të së djathës ekstreme, Yehuda Glick dhe Shuli Moalem, kanë hyrë në kompleksin Al Aksa nën masa të gjera të sigurisë të policisë izraelite
ERUSALEM (AA) – Deputetët izraelitë të së djathës ekstreme, Yehuda Glick dhe Shuli Moalem, kanë hyrë në kompleksin Al Aksa nën masa të gjera të sigurisë të policisë izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga burime të Administratë së Vakëfeve Islame të Jerusalemit, anëtari i së djathtës ekstreme, Partisë Likud, Glick, dhe Moalem nga Partia HaBayt HaYahudi kanë hyrë në Al Aksa nga Porta Megaribe.
Glick dhe Moalem hyjnë në Al Aksa për herë të parë pas një viti e gjysmë, ndërsa pas shëtitjes brenda kompleksit kanë dalë nga porta e njëjtë drejt Murit Burak (Muri i Vajit).
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të dielën lejoi hyrjen e deputetëve hebrenj në Al Aksa për qëllime “testuese”. Glick dhe Moalem janë deputetët e parë hebrenj që hyjnë në kompleks pas vendimit të Netanyahut.
“Al Aksa është vetëm e muslimanëve”
Në ndërkohë, dijetarët e Jerusalemit kanë reaguar ndaj hyrjes së deputetëve hebrenj në Al Aksa të shoqëruar nga policia.
Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga Këshilli i Lartë i Vakëfeve Islame të Jerusalemit, Këshilli Suprem Islam, Myftinia e Jerusalemit dhe Palestinës dhe Zyra e Kryegjykatësit të Administratës së Vakëfeve Islame të Jerusalemit, leja për hyrjen e deputetëve në Al Aksa është cilësuar si vendim joligjor dhe jonjerëzor me qëllime provokimi.
“Ky vendim është sulm nga një autoritet i cili nuk ka asnjë përgjegjësi mbi Al Aksanë. Al Aksa është vetëm e muslimanëve”, thuhet në deklaratë.
Nga ana tejtër, Ahmed et-Tijbi dhe Talib Ebu Arar, deputetë të Listës së Përbashkët Arabe në kuvendin izraelit, kanë shprehur reagimet e tyre duke mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Jerusalemin e okupuar Lindor.
Tijbi e ka cilësuar si “hap të vetëdijshëm” lejen e Netanyahut për deputetët hebrenj për të hyrë në Al Aksa.
“Ne i refuzojmë këto hapa provokative dhe të paarsyeshme të Netanyahut. Edhe njëherë theksojmë se Al Aksa është vend adhurimi për muslimanët dhe se duhet të dihet se kush është plaçkitësi, e kush i zoti i shtëpisë”, ka theksuar Tijbi.
Ndërkaq, deputeti Ebu Arar, duke theksuar se Izraeli ngrit tensionet në Jerusalem, tha se Al Aksa “po përballet me kërcënime të një qeverie të djathtë ekstreme cioniste” dhe potencoi nevojën që bota arabe-islame të mobilizohet.