9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Depërtimi i shkencës moderne në Turqi

Më të lexuarat

Ekmeludin ihsanoglu

Depërtimi i shkencës moderne në Turqi*

(Deri tek shpallja e Tanzimatit)

Derisa historia osmane është studiuar nga shumë aspekte, historia shkencore e saj, sipas hulumtuesve nuk është hulumtuar sa duhet. Në këtë punim do të bëjmë fjalë për marrëdhëniet e Osmanlinjve me Perëndimin, për të arriturat teknologjike të Perëndimit, për institucionet shkencore, dhe në përgjithësi për ndryshimet e krijuara të jetës shkencore dhe arsimore në shtetin Osman deri te shpallja e Tanzimatit. Ky artikull është pjesa e parë i një punimi më të gjerë që e kemi bërë në bazë të punimeve shkencore të historisë së shkencës osmane. Sjelljen e mirë dhe qëndrimet e Osmanlinjve kundruall shkencës dhe teknologjisë perëndimore është e pa mundur ta ndash nga qëndrimet e përgjithshme të tyre ndaj perëndimit. Përveç kësaj, duhet menduar se në çfarë mase institucionet e tyre kanë mundur tu përgjigjen nevojave të reja të krijuara. Për këtë arsye, në kërkimet e marrëdhënieve të Osmanlinjve me Perëndimin në fushën e teknologjisë, duhet pas parasysh se si Osmanlinjtë në përgjithësi e shikonin Perëndimin.

Njëra prej karakteristikave të qarta që vërehet në marrëdhëniet politike dhe ushtarake të shtetit Osman me Evropën tregon se Osmanlinjtë që nga formimi i mbretërisë Osmane në çdo aspekt veten e konsideronin më të përparuar nga Evropianët. Ky superioritet mund të vëzhgohet përmes faktorëve shpirtëror dhe material. Aso kohe Osmanlinjtë shikuar në aspektin ushtarak dhe ekonomik ishin shumë më të fortë se Evropianët dhe shtetet tjera Islame. Shkakun që në pikëpamje ekonomike të forcohen dhe që në mënyrë psikologjike veten ta konsiderojnë më superior kundër Evropës mund ta gjejmë në atë sepse kishin pasuri të mëdha minierash, që kontrollonin rrugët tregtare dhe sepse nga çdo betejë ushtarake që hynin , ata dilnin fitues. Osmanlinjtë e shihnin veten më të mirë se Evropianët në pikëpamje shpirtërore, sepse konsideronin që i takojnë fesë Islame si fe të fundit dhe si feja më e drejtë, dhe se janë trashëgimtarë të civilizimit të ndritshëm islam të mesjetës. Përveç kësaj, në kërkimet e qëndrimeve të Osmanlinjve ndaj shkencës perëndimore, duhet të miret parasysh gjendja e kulturës dhe shkencës në shtetin Osman. Medresetë, që ishin institucione më të rëndësishme arsimore dhe shkencore të shtetit Osman, themelimi i të cilave kishte për qëllim t’i mbulojë kërkesat shoqëroro-kulturore dhe që t’i zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohen. Në kuptim e gjetjes së zgjidhjeve themelore për problemet e krijuara osmanlinjve ju mjaftonin institucionet e tyre. Sistemi i tyre arsimor plotësisht ishte i rregulluar në këtë drejtim. Për këtë arsye ata me shekuj nuk e kanë hetuar nevojën për shkencat evropiane dhe nuk i konsideronin të duhur. Fakti që Osmanlinjtë ishin më të përparuar nga shtetet e atëhershme evropiane si dhe nga shtetet tjera islame, që po ashtu vërehej edhe te mirëqenia që e siguronte sistemi ekonomik. Ajo, shkenca e tyre që Osmanlinjve ju mjaftonte nuk i parandaloi që të marrin nga perëndimi të arriturat e reja të cilat nuk i kishin dhe të cilat i konsideronin të nevojshme. Pikërisht këto ishin shkaqet që Osmanlinjtë i parandalonin që t’i kuptojnë rendësit e një realiteti të ri intelektual që ishte lajmëruar në Evropën Perëndimore në kohën e renesancës dhe ta vlerësojnë se ndikimi i këtyre të arriturave, e prezantojnë përparimin e shoqërisë evropiane, dhe që mund të jenë rrezik potencial për ata. Megjithatë, është e qartë se rrethi shoqëror nuk prezantonte barrierën për t’i marr të arriturat e duhura të perëndimit gjatë kohës së renesancës dhe më vonë.

Mund të themi se Osmanlinjtë i kishin mundësit që për së afërmi t’i përcjellin përparimet e perëndimit. Pozita e shtetit të tyre, që shtrihej nga Anadolli deri në Evropën e mesme, që ka sunduar me Detin Mesdhe dhe Afrikën, dhe që kufizohej me Evropën Perëndimore, Osmanlinjve ua mundësonte që të jenë në prani shumë të afërt me të tjerët. Nuk ka dyshim se ai kontakt gjeografik e ka lehtësuar marrjen e shkencave të reja. Përveç kësaj, emisarët Evropian të cilët kishin pranuar Islamin, udhëtarët, tregtarët, marinarët, të robëruarit, të shpërngulurit dhe posaçërisht Hebrenjtë dhe Maurët, që kishin ikur nga Spanja dhe Portugalia për shkaqe të presioneve fetare, gjegjësisht nga dhuna katolike, gjetën shpëtim nën mbrojtjen e perandorisë Osmane, kanë kontribuar që shkenca e re dhe diturit teknologjike të arrijnë në perandorinë Osmane. Këta persona sollën me vete disa shkathtësi shkencore të reja.

Shembujt që do t’i theksojmë, do të na tregojnë se Osmanlinjtë ishin të informuar me ndodhitë e botës perëndimore, si dhe se kishin marrëdhënie selektive ndaj këtyre të ndodhurave.

Osmanlinjtë në mënyra të ndryshme, por gjithnjë duke i zgjedhur, i përcillnin ndodhitë në Perëndim gjatë shekujve XV dhe XVI në fushën e teknologjisë ushtarake, xehetarisë gjeografisë dhe mjekësisë. Faktorë shumë i rëndësishëm në këtë përcjellje ishte mu ajo se shteti Osman kishte kontakte të drejtë për së drejta (direkte) gjeografike me Evropën. Ky kontakt gjeografik siguronte që Osmanlinjtë me lehtësim të madh t’i përvetësojnë dituritë teknologjike të Perëndimit.

Sulltan Mehmet Fatihu kishte thirr në Stamboll njërin nga piktorët e renesancës Gjentili Belinin të cilin e kishte lejuar që ta pikturoj portretin e tij. Muret e pallatit të ri ishin të zbukuruara me freskat e stilit të renesancës (1479-1481). Ai kishte thirr nga Venediku mjeshtrit e shkrirjes së bronzit dhe mjeshtrit për punimin e kallëpeve të shpatave. E gjithë kjo tregon se Osmanlinjtë pas luftës me Venedikun që kishte zgjatë 60 vjet, kanë pas mundësi të kontaktojnë me Perëndimin dhe t’i marrin ato që i duheshin.

Rhoados Murphey në punimin e tij në lidhje me xehetarinë tek Osmanlinjtë thotë se dallimi nuk ishte i madh mes osmanlinjve dhe Evropës në teknologjinë mineralogjike dhe eksploatimit të minierave në shek. XVI, dhe se Osmanlinjtë në vitet e tetëdhjeta të shek. XVI e përdornin po thua se teknikën e njëjtë të xehetarisë të cilat përdoreshin edhe në Evropë.

Minierat e Osmanlinjve të argjendit në Serbi që nga hapja e tyre kanë punuar në përputhje me ligjet Saxon për xehetari që është shumë normale se Osmanlinjtë e kanë shfrytëzuar terminologjinë e drejtë dhe të saktë në xehetari. Minierat kryesisht punonin nën mbikëqyrjen e ekspertëve të cilët i punësonte shteti dhe të cilët nga miniera i merrnin fitimet e mjaftueshme. Këto kushte i nxitnin xehetarët për të prodhuar më shumë.

Osmanlinjtë për nxjerrjen e xeheve në të gjithë vendin, në punësimin e minierave dhe përpunimin e prodhimeve nga xehja përveç ekspertëve të huaj ata punësonin edhe punëtorë vendorë. Ndërsa ata eksportonin xehet fitimprurëse edhe në Rumeli edhe në Anatoli, ata që merreshin me xehetari i lironin nga tatimet e veçanta, dhe për këtë arsye punët nëpër miniera ishin joshëse. Shkurtë mund të themi se shteti Osman në këtë fushë përcillte përparimet teknike në Evropë dhe se deri në shek. XVII kishte arrit t’i shfrytëzoj xehet e veta në mënyrë mjaft fitimprurëse.

Në anën tjetër, përdorimi dhe shfrytëzimi i armëve të zjarrta paraqet një shembull të rëndësishëm për marrëdhëniet Osmane me perëndimin në teknologji dhe diturive të reja si dhe tregues i qartë i qëndrimeve të reja të tyre.

Edhe pse nuk dihet data e saktë që kur Osmanlinjtë kanë filluar t’i përdorin armët e zjarrta, ekzistojnë shumë dëshmi se shumë herët e kishin marr nga Evropa këtë teknik të cilën kanë filluar ta zbatojnë. Dihet se serbët, të cilët kah fundi i shek. XIV kanë pas kontakte të afërta me vendet e Evropës së Mesme dhe nga ata kanë kuptuar për risitë e armëve të zjarrta, patën një rol shumë të rëndësishëm në atë që edhe Osmanlinjtë të kuptojnë për këtë lloj të armatimit. Ekzistojnë dokumentet që na bëjnë me dije se Osmanlinjtë në atë kohë kishin filluar të furnizohen nga perëndimi me armë.

Osmanlinjtë në gjysmën e parë të shek XV shënojnë një përparim fascinonte në armatime të zjarrta, veçanërisht tek artileria me topa. Derisa topat e artilerisë osmane deri atëherë tregonin një përparim paralel në vendet ballkanike dhe në vende tjera evropiane, që nga gjysma e parë e shek. XV Osmanlinjtë u treguan të përparuar në artilerinë me topa ndaj taktikave të veta luftarake dhe burimeve financiare. Duhet theksuar që në mesin e shkaktarëve të përparimit të tyre me topa, përveç mjeshtërve të shkathët për shkrirje, ishte edhe ajo që vetë sulltan Fatihu interesohej për balistikën e artilerisë dhe se që së bashku me komandantët e vet më mirë e kuptonte vlerën e këtij armatimi të ri në luftëra se sa bashkëkohësit e tij Evropian.

Interesimi që u zgjua tek Osmanlinjtë për pushkën e cila në masa të mëdha prodhohej në Serbi dhe Bosnje, si dhe tjera armë të zjarrta, ishte një interesim i ngjashëm të cilën e patë zgjuar artileria. Mënyra e mësimit të tyre dhe marrja e kësaj teknike të re ishin të njëjta.

Osmanlinjtë konfiskonin sasi të mëdha të pushkëve nga ushtarët me të cilët luftonin në vendet ballkanike dhe urdhëronin që të vazhdohet me prodhimin e tyre nëpër punëtorit të cilat atje ekzistonin. Në Smederevë në vitin 1480, prodhoheshin lloje të ndryshme të pushkëve në të cilat ishte shenja “kayi”. Natyrisht se shumica e kuadrove që punonin në fillim në këto punëtori përbëheshin nga Serbët.

Krahas krishterëve nga Ballkani, të cilët në fillim ju ndihmuan Osmanlinjve që t’i marrin teknikat e perëndimit, ky proces vazhdoi me pjesëmarrjen e shkencëtarëve italian dhe gjerman të cilët vinin nga vendet e largëta evropiane. Më vonë, ekspertët francez, anglez dhe holandez që në periudhat e ardhshme numri i tyre gjithnjë shkonte duke u shtuar, hynin në shërbim tek Osmanlinjtë.

Pranë gjithë këtyre është vërtetuar se Osmanlinjtë kishin formuar një ekip të punëtorëve me emrin “Grupi i Evropianëve” (taife-i efrenciyan) në mënyrë që të lehtësohet marrja e teknologjisë nga Perëndimi. Edhe pse është mjaftë interesante të dihet se kush kanë qenë dhe çfarë kanë punuar këta ekspert të huaj të punësuar në projekte të ndryshme ushtarake dhe civile tek Osmanlinjtë edhe në zbatimin e teknologjisë përparimtare, është e nevojshme që në lidhje me këtë të gjinden informata më në detale. Maxhar Urbani, njëri nga më të njohurit prej tyre, në fillim ishte punëtor mjeshtër shkrirës i metaleve për topa në imperinë Bizantine, kurse më vonë kaloi në anën tjetër dhe mbaroi artilerinë e madhe të cilin sulltan Fatihu e përdori për ta pushtuar Stambollin.

Osmanlinjtë kurrë nuk e kanë pas kollaj që ta përcjellin përparimin e teknikës ushtarake nga Evropa. Osmanlinjtë në fillim, gjegjësisht prej shek. XV deri në shek. XVII, me sukses i përcillnin zhvillimet e teknikës së armëve të zjarrta nga Evropa,madje artilerinë e rëndë e shfrytëzonin në mënyrë të favorshme. Sa i përket pushkëve, u tregua se pushkët të cilët i kanë përdorë Osmanlinjtë në luftë me Austrinë në vitin 1680 kanë qenë të kualitetit të njëjtë me ato të ushtrisë austriakë, por me një largësi më të mirë.

Në shek. XVI Osmanlinjtë kujdeseshin, që përveç kuadrit teknik që vinin nga jashtë, të edukojnë edhe kuadro vendase për prodhimin dhe përdorimin e armëve të zjarrta. Shteti që ishte ngopur me të huajt mundohej që t’i aftësoj njerëzit e vet me përdorimin e pushkëve. Kjo situatë duke filluar nga shek. XVIII filloi dal ngadalë të ndryshoj dhe Osmanlinjtë pranë, furnizimit me pajisje luftarake nga Perëndimi, filluan të importojnë edhe sisteme të reja. Menjëherë në fillim të këtij shekulli ata u përqendruan në prodhimin e barutit sipas modelit Anglez. Shihet se në atë kohë në literaturën Osmane shpesh përdorej sqarimi “prodhimi i barutit në mënyrë angleze”.

R. Murey, i cili kishte dhënë një dimension të ri në hulumtimin e marrëdhënieve Osmane me teknologjinë perëndimore, shkaqet e kësaj prapambetjeje, me vonesë prej një shekulli nga epoka e teknologjisë Evropiane, i sheh në ndryshimet e furnizimit të pajisjeve të cilat bënë jehonë tek mbretëria, e jo në prapambetjen e teknikave dhe pengesave psikologjike tek Turqit.

Osmanlinjtë në fund të shekullit XVII, duke filluar nga viti 1695, për herë të parë filluan ta blejnë barutin me çmime të larta nga Perëndimi, veçanërisht nga tregtarët anglez. Dhe kjo tregon se ata deri në këtë kohë kishin mundësi t’i plotësojnë nevojat e veta me furnizimin e pajisjeve luftarake. Ajo që Osmanlinjtë e blinin barutin nga Evropa nuk ishte për shkak të kualitetit të dobët të barutit të Osmanlinjve, por për shkak se nuk mundnin t’i përmbushnin kërkesat të cilat vazhdimisht rriteshin. Këtë e konstatojmë nga deklarata e Mehmed Emin-beut, i cili në vitin 1697 ishte prodhuesi kryesor i barutit: “Unë e bëjë barutin edhe më të mirë se që është baruti më i mirë i Evropës.” Pranë kësaj, është e vërtet se Osmanlinjtë vazhdimisht kishin nevojë për teknikët Evropian në mënyrë që ta përcjellin përparimin në Evropë, prej të cilëve merrnin dituri të reja. Kështu filloi nga shekulli XVIII që në ushtri çdo herë e më shumë filluan të punësohen ekspertët e huaj.

Në shekullin XVIII më nuk mjaftonte që të furnizohen vetëm me armatim të lehtë, sikur që ndodhte më përpara, për të mbuluar dallimin që shkallë-shkallë rritej mes Evropës dhe Mbretërisë Osmane. Ajo çka ishte vështirë të përvetësohet në këtë periudhë ishte sistemi luftarak e cila tërësisht ndryshojë, jo vetëm në fushën e teknikës por edhe në fushën e taktikës, dhe pikërisht kjo hulumtohej përmes reformave që filluan të zbatohen gjatë çerekut të fundit të shekullit XVIII, dhe të cilat shkaktuan ndryshime të mëdha në strukturat ushtarake dhe shtetërore. Këto reforma në ushtrinë Osmane shkaktuan ndryshime të ashpra në lidhje me shtetin dhe ushtrinë, si dhe shumë trazira tjera.

Për ta kuptuar më mirë suksesin e Osmanlinjve në marrjen e diturisë nga Perëndimi në lidhje me armët e zjarrta dhe shkathtësive në fushën luftarake të shekullit XVII, nevojitet të sqarohen faktorët politik dhe ekonomik. Janë shumë të dobishme mendimet dhe dëshmitë në lidhje me këtë temë të Mahmud Raif-efendiut, profesorit të algjebrës dhe gjeometrisë në çerekun e fundit të shekullit XVIII. Sipas mendimit të tij menaxhimi me prodhimin e barutit u bë një obligim i thjeshtë për shkak se shteti Osman një kohë të gjatë gjendej në paqe. Me një rënie të përhershme erdhi deri aty që mundësit e sigurimit të barutit të jenë të sasisë gjysmake prej 3.000 kuintalësh dhe të kualitetit shumë të dobët, aq sa pritej nga prodhuesit e barutit në Stamboll, Galipoli dhe Selanik. Vërehej se baruti, që prodhohej në perandorinë Osmane pas luftës me Rusët, duhej të blihej me çmime të larta nga vendet e huaja për të shfrytëzuar vetëm për zjarre festive dhe për nevoja ushtarake, dhe se një sasi shumë e vogël, që nuk sigurohej lehtë, ka qenë kualitative, por që vështirë sigurohej me kohë.

Në kohën e Selimit III (1761-1808, i cili me postin e sulltanit sundoi gjatë viteve 1789-1807, sqarim Sh. V.) u ndërmorën masa për ndalimin e shitjes së nitrat potasit njërës prej përbërësve kryesor të barutit, dhe që të sjellën ekspertë nga Evropa. Me sigurimin e gjitha instrumenteve dhe pajisjeve për riparimin e depos së barutit punët filluan të ecin rrjedhave të veta. Posaçërisht në Kuçukqekmexhe u ngrit një fabrikë e re e barutit me emrin Azadli. Në këtë fabrikë të re përdoreshin mullinjtë të cilat i kishte ç’pikur njëfarë Ermeni i quajtur Arekelbarut dhe të cilat lëviznin me ndihmën e ujit. Në këto dy fabrika brenda vitit prodhoheshin 11.000 kuintal (1 ton) barut të kualitetit të njëjtë çfarë ishin ato holandeze dhe angleze. Edhe pse çmimi i nitrat potasit ishte ngritur dyfish, materialet tjera bliheshin me çmimet e volitshme. Rrogat e punëtorëve në prodhimin e barutit u trefishuan, kurse mjeshtërve të huaj iu caktuan rrogat e larta nga 500 deri 1000 grosh.

Mahmud Raif-efendiu me gëzim të madh e shpall publikisht këtë sukses të arritur të fund viteve të shekullit XVIII. Duke e vlerësuar këtë përparim ai thotë: “Aq kemi arrit deri në përsosje sa që një uncë (30,5 gr.) e barutit të ri u bë tetë herë më i fortë nga baruti i vjetër. Më nuk kemi nevojë për barut të huaj, depot tona janë të plota, dhe mjaftojnë për fushë beteja. Madje kemi filluar edhe të eksportojmë.” Sipas mendimit të Mahmud Raif-efendiut njësitet ushtarake të arsimuara me taktik në mënyrën Evropiane në kohën e Selimit III aspak nuk mbetën prapa popujve evropian. Mahmud Raif-efendiu ishte një tip intelektuali i burokracisë-teknike osmane i cili ishte pinjoll dhe përkrahës i ashpër i restaurimit të ushtrisë osmane.

Kur i analizojmë marrëdhëniet e Osmanlinjve karshi teknologjisë perëndimore, mund të themi se ata qysh në fillim i përcillnin pa ndërprerje të gjata teknikat e reja që zhvilloheshin në Perëndim dhe se i kishin marrë teknikat e nevojshme. Si e dyta, shohim se Osmanlinjtë nuk kishin vështirësi në marrjen selektive të teknologjisë perëndimore nga ato fusha për të cilat kishin nevojë. Si e treta, për njohjen dhe përdorimin e teknikës perëndimore sillnin ekspert nga Evropa dhe i punësonin teknikët. Në fund, e dinin që kishin mjaft teknik duke i arsimuar pranë ekspertëve Evropian-kuadro të cilët do t’i shfrytëzojnë për tërë mbretërinë. Duke iu falënderuar kësaj ata përpiqeshin që të shkojnë në hap me Evropën. Megjithatë, derisa merreshin me te, nuk e konsideronin të nevojshëm të merrnin masa që do t’i kishin siguruar mundësit për prodhimin dhe zhvillimin e teknologjisë së re që do ishte e pavarur nga përparimi Evropian. Ky tip i sjelljes së Osmanlinjve, që do të vazhdojë deri në shekullin XX, dëshmon qartë për qëndrimin e tyre ndaj teknologjisë perëndimore.

*“Osmanlije i Nauka-otkrice u svijetlu izvora” (Osmanlinjtë dhe shkenca-zbulimet nga drita e burimeve). Sarajevë 2006, faqe 213-223.

Përktheu dhe përshtati Shefki Sh. Voca.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit