2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Dënohet ish-kontabilisti i Radio Kosovës, Gjykata merr vendim t’i konfiskohet shtëpia dhe vetura

Më të lexuarat

Është shpallur aktgjykimi ndaj Bajram Shehut, ish-shef i kontabilitetit të Radio Kosovës, i akuzuar për dy vepra të përvetësimit në detyrë.

Të njëjtit Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar dënimin plotësues, pasi që Shehu ishte dënuar fillimisht më 18 mars 2019 me 3 vite e 2 muaj burg.

Ndërsa me këtë dënim plotësues Shehut do t’i konfiskohet shtëpia në lagjen “Emshir” dhe vetura “Land Rover”, të përfituara nga vepra penale.

Me shitjen e këtyre aseteve do të bëhet kompensimi i Radio Kosovës, si palë e dëmtuar.

Kujtojmë se më 18 mars 2019 Bajram Shehu ishte shpallur fajtor.

Gjykata e Apelit më 16 maj 2019 kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së të dënuarit dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërsa sa i përket këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, mbrojtja e të akuzuarit Shehu, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

E me këtë ka kërkuar që Supremja të bëjë anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë. Gjithashtu kishte kërkuar që klienti i saj të lirohet nga shqiptimi i dënimit plotësues sa i përket konfiskimit të shtëpisë.

Gjykata Supreme me aktgjykimin e datës 17 tetor 2019 ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, ashtu që me këtë ka kthyer në rivendosje çështjen penale në fjalë.

Supremja ka kërkuar që për konfiskimin e shtëpisë, Gjykata Themelore të sqarojë arsyet sa i përket konfiskimit të pasurisë të së bijës të të akuzuarit Shehu.

Aktakuza thotë se më datë të pacaktuar prej vitit 2007 deri në vitin 2012, i pandehuri Bajram Shehu, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në Prishtinë, në pozitën shef i kontabilitetit, gjatë punës së tij, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, nga mjetet të cilat i janë besuar atij, nga llogaria bankare e Radio Televizionit të Kosovës i ka bartur në xhirollogarinë e firmës së tij NSH “Pastrimi” shumën e të hollave prej 331,350.87€.

Tutje thuhet se këto të holla i ka përvetësuar për vete, me ç’rast të dëmtuarës, Radios Kosovës, i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm në vlerë prej 331,350.87€.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se më 31 gusht 2012, i pandehuri Bajram Shehu, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në Prishtinë, në pozitën shef i kontabilitetit, gjatë punës së tij, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet të cilat i janë besuar për kryerjen e obligimeve për nevoja të Radio Kosovës, i pandehuri Bajram Shehu në firmën e “Adria 7”, e cila gjendet në Prishtinë, nga pronari i kësaj firme Alban Krasniqi ka blerë 12 radiatorë për nxemje qendrore.

E këta radiatorë thuhet se i ka blerë me faturë nr.473/12 në vlerë prej 523.82€ dhe me faturë 474/12 të datës 31 gusht 2012 në vlerë prej 537.68€, të dy faturat në vlerë të përgjithshme prej 1,061.50€, të cilët radiatorë i ka paguar me mjete të Radio Kosovës.

Tutje ceket se radiatorët e blerë me të holla të Radio Kosovës i ka përvetësuar për vete, duke i dërguar dhe vendosur në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës, Radio Kosovës, i ka shkaktuar dëm material.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit