4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

DEMOKRACIA MIDIS MITIT DHE REALITETIT – Klementin Mile

Më të lexuarat

DEMOKRACIA MIDIS MITIT DHE REALITETIT
Klementin Mile

I. Demokraci pa shtyllë kurrizore

E kemi dëgjuar shpesh që demokracia varet nga ekzistenca e një klase të mesme masive. Sipas politologut amerikan Lipset, kur klasa e mesme përbën shumicën e popullsisë së një vendi, kjo gjë ndikon direkt në suksesin e tranzicionit demokratik dhe, më vonë, në stabilitetin demokratik. Nga ana tjetër, demokracia rrezikohet vazhdimisht dhe cenohet në vendet ku madhësia e klasës së mesme është e vogël.

Një vend i tillë është Shqipëria. Edhe pse nuk ka studime të mirëfillta, perceptimi i përgjithshëm është se klasa e mesme në Shqipëri është në pakicë. Për shembull, ajo as që i afrohet rastit gjerman, ku në klasën e mesme bëjnë pjesë rreth 60 për qind e popullsisë. Në Shqipëri dominojnë ndjeshëm të varfërit, ndërkohë që madhësia e klasës së mesme është modeste dhe e përafërt me atë të të pasurve. Nga një perceptim i informuar prej vëzhgimeve josistematike mund të thuhet se në Shqipëri ka 5 për qind të pasur, 7 për qind klasë të mesme dhe 88 për qind të varfër. Duke qenë se klasa e mesme konsiderohet të jetë shtylla kurrizore e demokracisë, në vendin tonë politika demokratike i bie të gjejë mbështetjen e brishtë të vetëm 7 për qind të njerëzve.

Kjo duket se është arsyeja e emocionit të papërmbajtshëm të shqiptarëve kur bëhet fjalë për të diskutuar çështje politike. Këtë emocion mund ta vësh re qysh kur nis dita dhe telefonuesit në emisionet televizive të mëngjesit shajnë të mllefosur ose lëvdojnë pa kufi parti e politikanë, e pastaj në shumë situata të tjera gjatë ditës – në kafene, auditorë mësimorë, ambiente pune – ku vijon rrjedha e pandalshme e emocioneve të stimuluara nga ngjarjet politike.

Problemi është se shumica dërmuese e shqiptarëve janë ose shumë afër, ose shumë larg politikës. Të pasurit janë shumë afër, të varfërit shumë larg. Të pasurit bëhen emocionalë pasi kanë interesa pragmatike për të mbrojtur. Cenimi potencial i këtyre interesave të lidhur ngushtësisht me pushtetin politik i bën këta njerëz të shfaqen shpeshherë si histerikë, evokon ndjenja të fuqishme në publik, ankthe për të ardhmen e kështu me radhë. Të varfërit, nga ana tjetër, nuk kanë thuajse asnjë interes konkret për politikën.

Gjendja e tyre vazhdon të mbetet e njëjtë, pavarësisht se politikat dhe qeveritë ndryshojnë. Por të varfërit, prej largësisë së pafundme nga politika, aq sa duket se jetojnë në një botë tjetër, e ndjekin politikën ashtu siç ndjekin lajmet e showbizz-it për aktorët, muzikantët dhe sportistët e famshëm. Ata s’mund të jenë kurrë si idhujt e tyre, por nuk duan për asnjë arsye të humbasin ndonjë episod të telenovelës politike ku veprojnë politikanët e famshëm. Ndërsa emocioni i të pasurve buron prej pasjes, emocioni i të varfërve buron prej mospasjes. “Nuk duam as drita, as ujë, as bukë”, tha dikur ajo gruaja nga Berati, “vetëm ju mos u zini”.

Afërsia e madhe e të pasurve nga politika dhe largësia e madhe e të varfërve bën që shumica dërmuese e shqiptarëve t’i qasen emocionalisht politikës. Kjo ka prodhuar në masë votuesin emotiv dhe ligjërimin e karakterizuar nga retorika boshe ose gabimet logjike foshnjarake. Racionaliteti, përdorimi i arsyes dhe argumenteve për çështje politike ka mbetur në duart e 7-përqindëshit të klasës së mesme. Këta janë njerëzit që nuk janë as shumë afër, as shumë larg politikës. Ata ndikohen prej ligjeve dhe reformave, por jo si të pasurit që mund të fitojnë ose të humbasin gjithçka prej tyre. As si të varfërit që e shijojnë politikën me emocionet e një spektakli, ku ata janë vetëm spektatorë pasivë, ndërkohë që aktrimin, skenarin dhe regjinë e bëjnë të tjerët. Lipset-i kishte të drejtë kur e quante shtresën e mesme shtyllën kurrizore të demokracisë; por në Shqipëri demokracia, për momentin, i ka shanset vetëm 7 për qind.

II. Debatokracia

Koha ecën, por disa gjëra mbeten njësoj. A nuk ka një ngjashmëri të madhe midis arenës së gladiatorëve në Perandorinë Romake dhe arenës së debatit në studiot televizive të Shqipërisë së sotme? Sigurisht nuk derdhet më gjak duke e goditur tjetrin me shpatë, me heshtë apo me ndonjë armë tjetër të tmerrshme; sot mjafton fjala. Në fakt, njëri nga dallimet themelore të demokracisë përkundrejt regjimeve monarkike dhe tiranike është pikërisht ky: ndërsa në monarki dhe tirani bëheshe mbret apo tiran duke e eliminuar fizikisht rivalin (apo, edhe kur e merrje fronin paqësisht, të duhej ta mbroje me gjak nga rivali), në demokraci lufta civile është zëvendësuar nga polemika, nga pushteti i fjalës.

E megjithatë populli si në kohën e Perandorisë Romake, ashtu dhe në kohën e demokracisë, ka mbetur në shkallët e amfiteatrit, duke soditur betejën e ‘të përzgjedhurve’ në arenë, e gladiatorëve të djeshëm dhe të sotëm. Mbase jemi të justifikuar të themi se këtë shfaqje e mundëson “etja për gjak”, e cila duket të jetë e pashtershme te qeniet njerëzore. Në epokën romake amfiteatri ishte plot e përplot; në epokën tonë amfiteatri është bosh. Veçse nuk duhet të krijojmë iluzione – amfiteatri vetëm është zhvendosur; ai nuk gjendet më në një vend të mirëpërcaktuar dhe të kufizuar në hapësirë, por është decentralizuar, është pluralizuar dhe tashmë ka një amfiteatër në çdo shtëpi banimi brenda së cilës gjendet një televizor.

Një numër shumë i madh emisionesh nëpër televizionet shqiptare organizohet në formë debati. Gjithashtu nëpër gjimnaze e universitete anembanë vendit ngrihen vazhdimisht klube debati dhe trajnohen të rinjtë dhe studentët me teknikat e debatit. Në pamje të parë kjo duket si shenjë e shëndetit të demokracisë dhe e pluralizmit në vend, madje mund të gjykohet se i bën mirë edhe sferës publike dhe një shoqërie të hapur. Por, po të reflektojmë pak për këtë situatë, do të vëmë re se duke i lënë kaq shumë hapësirë debatit, kemi sakrifikuar thuajse tërësisht diskutimin.

Diskutimi dhe debati kanë një dallim esencial: ndërsa në debat interesi është të mposhtet kundërshtari, pavarësisht nëse argumenti yt është i vlefshëm apo jo, i fortë apo i dobët, në diskutim interesi është të zbulohet e vërteta. Diskutimi, duke patur për synim të vërtetën e çështjes që diskutohet, priret t’i respektojë në maksimum rregullat e logjikës. Nga ana e vet, debati ka një imperativ tjetër – fitoren me çdo kusht – dhe prandaj mund të dhunojë sipas volisë rregullat e logjikës dhe t’i referohet më së shumti retorikës, volumit të lartë, zhurmës, ekzibicionizmit etj. Nuk është aspak e rrallë të vëresh në debatet e zhvilluara në mediat shqiptare argumente kundër personit që shprehet (ad hominem), apele force (argumentum ad baculum), apele keqardhje (argumentum ad misericordiam) e kështu me radhë; pra të vëresh në veprim të ashtuquajturat stratagjema, të cilat, ndërkohë që nga njëra anë trajtohen si kulmi i artit të retorikës, nga ana tjetër nuk janë veçse gabime logjike të rëndomta.

Po kujt i duhet logjika dhe rregullat e saj kur interesi primar është të mposhtësh kundërshtarin? Këto rregulla kanë vlerë vetëm në diskutim, vetëm kur synojmë të vërtetën, jo kur synojmë miratimin dhe mbështetjen e popullit amator pas televizorit të shndërruar në amfiteatër. Populli kërkon betejë, jo saktësi; kërkon fitues dhe humbës, jo një reflektim më të thellë për gjendjen ku ndodhet. Në këtë mënyrë, pushteti i debatit – debatokracia – është vërtet demokraci, pushtet i popullit. Fundja demokracia nuk është regjim shkencor, por politik.

Megjithatë, edhe pse mbase nuk ka arsye për t’u shqetësuar për demokracinë, ka shumë arsye për t’u shqetësuar nga demokracia. Një demokraci e reduktuar në debatokraci e ka uzurpuar gati të gjithë hapësirën ku mund të synohej shprehja e së vërtetës.

III. Përfaqësimi dhe përshpinësimi parlamentar

Më ka mbetur në mendje një seancë parlamentare ku përfaqësuesit tanë në Kuvend pritej të diskutonin për buxhetin dhe vetëm për buxhetin nuk folën. Si zakonisht, Parlamenti u kthye në arenë akuzash dhe kundërakuzash për përfshirje të përfaqësuesve tanë në veprimtari kriminale, për projekte kriminale, për motive kriminale dhe për lidhje me kriminelë. Ky qe teksti i fjalimeve parlamentare. Përveç faktit që e injoroi çështjen themelore të diskutimit të buxhetit të shtetit, ky tekst e injoroi edhe kontekstin e vet.
Ajo seancë parlamentare u zhvillua ndërkohë që Shqipëria, në qytet dhe në fshat, përmbytej nga vërshimet e ujërave, shumë njerëz humbisnin pasuritë e vëna me mund, energjia elektrike mungonte në shumë zona, rrugët ishin të pakalueshme, shërbimet nuk funksiononin dhe jeta e njerëzve ishte në rrezik.

E megjithatë, përfaqësuesit tanë, në qeveri dhe opozitë, nuk e patën aspak të vështirë ta injoronin kontekstin ku gjendeshim ne, të përfaqësuarit. Ata u morën si zakonisht me lojërat e tyre të pushtetit, shantazhuan njëri-tjetrin me nëntekstin “po tregove krimet e mia, do nxjerr provat që kam për krimet e tua”.

Nuk ishte hera e parë që ndodhte kjo gjë në Parlamentin shqiptar; veçse kësaj here Parlamenti u kthye në një teatër absurd, pasi jashtë tij të përfaqësuarit përballeshin me situata emergjence nga më të rëndat. “Pandjeshmëria” ndaj kësaj emergjence ishte fjala e parë që të vinte ndërmend për të cilësuar qëndrimin e përfaqësuesve tanë në Kuvend. Por këtë e dinim. Një tjetër togfjalësh, që përdoret kryesisht nga politologët, është “kriza e përfaqësimit”. Por edhe ky është një cilësim negativ, i cili tregon vetëm mungesën e diçkaje, në këtë rast mungesën e përfaqësimit të interesave dhe vlerave tona prej atyre që janë mandatuar për t’i përfaqësuar.

“Kriza e përfaqësimit” vetëm na thotë se kanali i komunikimit ndërmjet të përfaqësuarve dhe përfaqësuesve është bllokuar, duke i bërë autikë (pra t’i flasin vetëm vetes) si përfaqësuesit, ashtu dhe të përfaqësuarit. Por hipoteza e dy realiteteve paralele, ku ekzistojnë përkatësisht përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit të ndarë nga një humnerë moskomunikimi, nuk shpjegon megjithatë se si ndërveprojnë të dyja palët. Për shembull nuk shpjegon se si të përfaqësuarit, pavarësisht se u është bllokuar kanali i komunikimit me përfaqësuesit, prapëseprapë i votojnë ata sërish në zgjedhjet e ardhshme.

Përveç kësaj, hipoteza e dy realiteteve paralele që nënkupton “kriza e përfaqësimit”, në fund të fundit u jep realitet të dyja palëve, duke justifikuar në këtë mënyrë emërtimet “përfaqësues” dhe “i përfaqësuar”. Kjo na shpie në rrjedhojën absurde që në Shqipëri deputetët janë “përfaqësues” të elektoratit dhe elektorati është “i përfaqësuar” nga deputetët, por ama “përfaqësim” nuk ka. Por në fakt është përfaqësimi që i lind përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit. Nëse nuk ka përfaqësim, as deputetët nuk janë përfaqësues, as elektorati nuk është i përfaqësuar.

Pandjeshmëria e deputetëve ndaj interesave dhe vlerave të elektoratit është dëshmi e mungesës së përfaqësimit. Por nëse nuk ka përfaqësim, si ta emërtojmë lidhjen ndërmjet deputetëve dhe elektoratit? Ndoshta një metaforë e jep më mirë idenë. Fundja edhe termi “përfaqësim”, në gjuhën tonë ka kuptim metaforik. Të për-faqë-sosh do të thotë të jesh për faqen e dikujt; do të thotë që, ashtu si ky dikush (i përfaqësuari) kthen faqen dhe sheh realitetin, ashtu ta shohësh dhe gjykosh realitetin edhe ti, si përfaqësuesi i tij.

Por ajo seancë parlamentare e gjeti shumicën e elektoratit duke i kthyer shpinën diskutimeve në Kuvend, pasi, në mungesë të dorës së shtetit, ata i kishin duart të zëna me hallet personale e familjare përballë vërshimit të ujërave. Elektorati i ktheu faqen çështjeve private dhe shpinën çështjeve publike. Të njëjtën gjë bënë edhe deputetët në Parlament, duke u kujdesur për çështjet private të tyre. Të dyja palët u lidhën nga një “për-shpinë-sim” ndaj publikes. Një përshpinësim që i konstituoi deputetët si “për-shpinë-sues” dhe elektoratin si “të për-shpinë-suar”.

Përshpinësimi është realiteti i hidhur i lidhjes së deputetëve me elektoratin. Kjo lidhje do të vazhdojë e tillë për aq kohë sa do t’i kthehet shpina çështjeve publike. Më së pari, është detyrë e elektoratit të ndryshojë faqe – të kthehet e të shohë jo vetëm oborrin e vet, por edhe çfarë ndodh përtej tij. Pasi duhet kujtuar një e vërtetë e thjeshtë, e cila harrohet shpesh: janë deputetët që mandatohen nga elektorati, jo e kundërta. Kur elektorati u kthen shpinën çështjeve publike, deputetët janë përshpinësues, e kur u kthen faqen, përfaqësues.

IV. Tendencat vetëvrasëse të demokracisë

Zgjedhjet në Shqipëri deklarohen gjithmonë si vendimtare për të ardhmen e vendit, si historike për aspiratat europiane, si prova e zjarrit për aspiratat demokratike dhe zhvillimin ekonomik. Të paktën këtë pretendojnë lidershipat përkatës me zë të lartë dhe të sigurt, me metafora imagjinative, me shifra dhe statistika dhe me apele për të mos e humbur rastin historik. Të krijohet përshtypja se jo vetëm katër vitet e ardhshme, por vetë fati i shekullit XXI për shqiptarët varet nga rezultati i zgjedhjeve.

Veçse demokracia nuk është bërë për t’i rezistuar vizioneve kaq madhështore. Demokracia është modeste: ajo vetëm na thotë se për të pasur politikë funksionale duhet të kemi mazhorancë dhe opozitë, dhe mekanizmin e zgjedhjeve për të mundësuar rotacionin ndërmjet palëve. Që demokracia të funksionojë është e rëndësishme të mos ngatërrohet vlera simbolike e zgjedhjeve me vlerën reale të tyre. Simbolikisht, zgjedhjet shërbejnë për të unifikuar të gjitha strukturat politike (shtetin, partitë dhe elektoratin) në misionin e shenjtë të legjitimimit të sistemit politik. Realisht, zgjedhjet nuk e realizojnë kurrë atë çka pretendojnë, vullnetin e popullit, kuptuar si vullneti i secilit dhe i të gjithëve. Fundja, po ta realizonin, pse do kishte nevojë për zgjedhje të tjera në të ardhmen?

Artikulimet politike për rëndësinë monumentale të zgjedhjeve ngrenë iluzionin se demokracia dhe zgjedhjet kanë një vlerë më të madhe sesa simbolike: demokracia, thuhet, do të jetë reale, do të jetë literalisht pushteti i popullit. Problemi është se edhe për një popull kaq pragmatik si ky yni, të tilla iluzione marrin kuptim dhe mund të besohen. Për votuesit pragmatikë pushteti i popullit vërtet mund të mos lidhet me politika publike që do përmirësojnë radikalisht jetën e qytetarëve shqiptarë, por ama mund të garantojë përfitime individuale të ndjeshme, edhe pse në kurriz të interesit publik. Nuk ka shumë rëndësi nëse votuesi shqiptar është idealist apo pragmatik, në të dyja rastet ai mund të bjerë viktimë e iluzionit se zgjedhjet mund të bëjnë çudira.

Teoricieni gjerman Niklas Luhmann na kujton se zgjedhjet janë thjesht një ftesë periodike që i bëhet elektoratit për të hedhur zaret. Ato i ngjajnë valles së shiut të fiseve indiane që mendonin se kështu mund të ndryshonin motin. Sigurisht, moti nuk ndryshonte për shkak të valles, por ama valltarët fitonin prestigj dhe pushtet dhe në mbrëmjet e qeta të fisit flitej vetëm për ta. Dhe jeta e fisit mund të vazhdonte normalisht, e strukturuar dhe me kuptim, deri në vallen e radhës. Kështu edhe zgjedhjet, edhe pse nuk sjellin ndryshime rrënjësore në mirëqënien publike, janë të rëndësishme sepse mbajnë në këmbë mitin e demokracisë, mitin e pushtetit të popullit. Por si çdo mit, edhe ky ka nevojë për dy gjëra: e para të mos neglizhohet, e dyta të mos merret si i vërtetë. Dhe kjo do të thotë që zgjedhjet e ardhshme duhen trajtuar thjesht si zgjedhjet e rradhës, që do përcaktojnë disa fitues dhe humbës të përkohshëm dhe do të legjitimojnë nisjen e disa reformave me rezultate modeste.

Perëndimi i qytetëruar, ku politika funksionon pa problem, nuk ia gërvisht koren simbolike demokracisë dhe nuk e ngatërron mitin me realitetin. Paradoksalisht, demokracinë mund ta vrasë vetë demokracia. Premtimet dhe apelet për demokraci të vërtetë, për zgjidhje historike, për pushtet të qytetarëve e të tjera formulime pompoze si këto mund ta shkatërrojnë vlerën simbolike të demokracisë – mund ta shkatërrojnë tërërisht atë ditën e shenjtë të zgjedhjeve që unifikojnë shtetin, partitë dhe elektoratin për të legjitimuar sistemin politik.

 

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit